Kronikë

Ndalën trafikun në Adriatik, nis lulëzimi i serave në Pulia, 6 shqiptarë në pranga

Shkruar nga Liberale
Ndalën trafikun në Adriatik, nis lulëzimi i serave në Pulia,

Janë arrestuar 11 persona (5 shtetas italianë dhe 6 shtetas shqiptarë) për prodhim dhe trafikim të lëndëve narkotike, si dhe armëmbajtje pa leje.

Nga hetimet doli se pas arrestimeve të viteve të fundit, që kanë ndikuar në uljen trafikun e drogës mes dy brigjeve të Adriatikut, grupet kriminale kanë zhvendosur prodhimin e drogës nga Shqipëria në krahinat e Barit dhe Foggia-s. Kësisoj ata kanë shmangur transportin.

E ndërsa policia italiane është fokusuar të kontrollojë vijën bregdetare, grupet kriminale kanë nisur ta kultivojnë lëndën narkotike në qytetet italiane, pranë Adriatikut.

U sekuestruan dy plantacione, në serra, me  mbi 8000 bimë marijuanë, me peshë mbi një ton e gjysmë, nga të cilat do të ishte e mundur të merreshin mbi 10.000 doza droge për t'u hedhur në treg.

Arrestimet u kryen në Pulia dhe Lombardi. U dokumentuan transferta të drogës për gjithsej 140 kg hashash, gjysmë kilogram kokainë të pastër, 113 kilogramë marihuanë, përveç posedimit të dy pistoletave të kalibrit 9, të sekuestruara. Operacioni “Zemra” është pjesë e operacionit të Antimafias së Barit, në luftën kundër trafikut të drogës që vjen nga Shqipëria për në Pulia, i nisur në vitin 2017. Grupi i përbashkët hetimor në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të Tiranës dhe Eurojust, në periudhën 2018-2021, bënë të mundur arrestimin e 118 personave dhe sekuestrimin e rreth gjashtë tonë drogë. /Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH