Sport

Ndahet papritur nga jeta ish-futbollisti i njohur i Pogradecit dhe Skënderbeut

Shkruar nga Liberale

Ndahet nga jeta krejt papritur në moshën 54-vjeçare, futbollisti i njohur i Pogradecit dhe Skënderbeut, Festim Fetollari.

Me largimin nga jeta të Festim Fetollarit, Pogradeci dhe Skënderbeu kanë humbur një nga futbollistët më të njohur në 30 vitet e fundit.

Fetollari karrierën e nisi në Korçë me ekipin e para të rinjve të Skënderbeut.

Por duke qenë se jetonte larg nga Korça e kishte të vështirë për ta vijuar normalisht stërvitjen. Ndaj dhe vendosi ta vazhdojë karrierën në Pogradec, pasi fshati i tij Pirg ishte me pranë këtij qyteti.

Trajnerët e tij, Urim Jorgoni dhe Kopi Gusho, e kanë përfshirë menjëherë si titullar me ekipin e të rinjve, por shumë shpejt mesfushori i talentuar do të kalonte në të rriturit e skuadrës liqenore, ku luajti deri në vitin 1994 me një grup futbollistësh, padyshim më të mirët e gjithë historisë së futbollit pogradecar, që nga Janaqi e Blaceri, Bashllari e Abazaj, Çekiçi e Laçka, Topçiu e Neziri, Mahmutat Fraholli e shumë të tjerë, të cilët bënë gjithçka për ekipin e tyre.

Pas këtij viti Fetollarin luajti te Skënderbeu  deri në vitin 1999 për t'u rikthyer edhe njëherë tjetër te Pogradeci, aty ku dhe mbylli gjithçka si futbollist. Me vonë Fetollari nisi punën si trajner pranë klubit pogradecar kur liqenorët luanin në Kategorinë e Parë.

Për një sezon ishte edhe trajner i skuadrës së Devollit, për t'u rikthyer edhe njëherë tjetër pranë akademisë së futbollit pogradecar, ku mori përsipër të drejtojë një grup futbollistësh të vegjël U-11, të cilëve u mësonte magjinë e kësaj loje.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH