Letërsi

Nature Morte

Shkruar nga Liberale

Loer Kume

Kurrë nuk kam pasur empati apo ndonjëlloj sado të vogël admirimi per Natyrën e Vdekur. Gjithmonë më ka përçuar ndjesi jo të mira, diçka e pluhurosur, statike, e pavlerë, një ngërç, një situatë pa dalje, një makth. Mollë, dardhë, ngjyra të feksura, të theksuara, kontraste, shkëlqime sysh fazanësh të ngordhur, pupla vivide në ngjyra të krijesave të vdekura; nuk kam kuptuar dot se si ka piktorë dhe artistë, diçka më gjerë se piktorë, që u dedikojnë tërë jetën e tyre krijuese pikturimit të natyrave të vdekura.

Në hierarkinë e llojeve të pikturës, të paktën në hierarkinë klasike, natyra e vdekur është e fundit në radhë. Por, çuditërisht, shumë e kërkuar në treg. Dhe këtu lind habia e dytë - jo vetëm ka piktorë që merren vetëm me natyrën e vdekur, por ka blerës që kërkojnë të tilla.

Natyra e vdekur gjendet që në varret e faraoneve të Egjiptit. Muret pikturoheshin me afreske të frutave e gjuetisë për ushqim, sepse egjiptianët e lashtë besonin se imazhet do ktheheshin në ushqim të vërtetë. Mori zhvillim si lloj pikture afresku në kohët greko - romake si shfaqe vaniteti, nëpër vilat gjigande, për të rrëfyer tryezën e pasur të të pasurve dhe parisë, sepse pasuria e tryezës ishte një nga shfaqet e fuqisë. Pra kuptojmë, në të dy epokat, arsyet e pikturimit të të tillë lloj kompozicionesh janë të ndryshme dhe të arsyeshme, e të drejtuara nga barku në çdo rast. Natyra e qetë shpërtheu edhe më fort në Vendet e Ulëta në Mesjetën e vonë, me liberalizmin në këto vende, dhe zbehjen e autoritetit të kishës; nuk ishin më në modë pikturat me subjekt mitologjie fetare, por skena realiste të jetës së përditshme dhe, me ndryshimet sociale dhe pasurimin e një shtrese jo fisnike, këta të fundit, sigurisht, kërkonin... natyrën e vdekur. Por këtë e shoh më shumë si imitim të klasikes, si dëshirë për show off, sesa si pasion në vetvete, sepse pikërisht ky pasioni në vetvete për natyrën e vdekur është mekanizmi që më bëri të ngacmohem rreth kësaj teme. Ç’dreqin duan njerëzit me kumbulla, rrush, fiq, ftonj, fazane, pula, peshq te vdekur, koka derri, proshuta e kofshë të tymosura ose jo, lule e gjethe? Që nga Caravaggio gjakatar e njerëzor propulsues, e deri te Juan Gris me kubizma e çudira fantazioze, të tërë rreth tryezës? Mos vallë i ka shtyrë oreksi? Apo pagesat? Si vallë, natyra njerëzore shkoi nga peisazhet e gjuetisë së bizontit në afresket e lashta, drejt kofshës së derrit e pjeshkës së vdekur rrugës pa kthim drejt kalbjes?

Urrejtja ime ndaj natyrës së vdekur nuk vjen vetëm në pikturë. Ulur në tryezën e ngrënies, në restorante, edhe për shkak të ngopjes pas ngrënies, por kryesisht për shkak të vdekjes që paraqesin, urrej pjatancën me fruta që vjen pas drekës së shërbyer. Frutat e prera, të përgatitura, gati për të zgjatur pirunin e për t’i shtënë në gojë. Imagjino pastaj, kur në ndonjë lloj kuzhine hiperentuziaste, u hedhin këtyre frutave çokollatë të shkrirë, apo çfarëdosoj sherbeti a sheqeri përsipër. Instalacioni duhet të quhet vdekje mbi nature mort. Lëndë të pajeta si krijimet njerëzore u hidhen lëndëve të vdekura, siç janë frutat e këputura e të prera aty, gati që t’i llupësh ti.

Urrej pjatancat me fruta të vendosura nëpër tryeza. Ha shumë rrallë fruta të shërbyera në këtë mënyrë. Por, ngjitem në pemë si fëmijë të këpus fiq, të shkund dardhën, të këpus mollët, e madje t’i ha aty në vend, rrethuar nga grenxa, miza, duke u larë pluhurin me ujë e duke flirtuar me dheun dhe pisllëkun e natyrës.

Dhe pse ndodh kjo gjë e çuditshme? Për shkak të jetës. Nuk ka jetë në frutat e servirura, në pjatanca, në krijesa gati për dekompozim. Por njeriu është një krijesë e jetshme dhe, impulsi ynë i madh, është të ushqehemi me jetë. Të zhgërryhemi nëpër pemë e nëpër ferra, të vjelim frutat nga degët, të marrim lëngun e jetës ende të lidhur me pemën amë, me tokën amë. Të ushqehesh me qelizat ende të gjalla, ende në komunikim të drejtë me nënën natyrë. Njeriu do të rrezikojë. Do të gjuajë. Do të këpusë. Do të pushtojë. Do të ndryshojë natyrën. Të fitojë mbi të. Të marrë frytin nga pema. E ndaluar? Akoma dhe më mirë. Njeriu do të ndihet zot, mbi natyrën. Do të ndihet në kontroll.

Në një bisedë të llojit ‘kush rrëfen me shumë gjëra’ me Henri Çilin, i cili ka qenë dhe ftuesi dhe pritësi i Luc Ferry në Tiranë, më rrëfeu se filozofi francez kishte një ide interesante mbi nocionet e jetës, humanizmit, trans-humanizmit, dhe nature morte. Sipas tij, natyrë e vdekur është çdo krijesë me drejtim të përcaktuar. Kafshët, dihet fare mirë çfarë cikli kanë në gjalljen e tyre. Para pak ditësh më kafshoi një qen. Kaq është më e shumta që një qen i vetmuar mund të bëjë. Është projektuar i tillë. Një tufë qensh, mund të të vdesin. Dhe kaq është më e madhja që ata mund të bëjnë. Nuk dalin nga skema e tyre e trashëgimisë gjenetike. Po kështu dhe bimët, malet, gurët, peshqit, kandilët e përjetshëm të thellësive. Spektri i veprimit të tyre eshtë thjesht gjallimi dhe trashëgimi i species brenda ngushtësisë së kostumeve që u ka përcaktuar natyra. Po njeriu është krejt diçka tjetër. Njeriu del nga kostumi i tij, nga trashëgimia e tij, nga ajo çka kafsha-njeri ka të përcaktuar me kod gjenetik, dhe rritet, zhvillohet, organizohet, operon, në tërë mbretëritë, duke vendosur për fatin dhe jetën e tërë këtyre shtresave të nature mort të tjera poshtë tij. Njeriu është zot. Njeriu është jeta vetë. Njeriu mendon. Njeriu qesh.

Ndaj, një mollë e këputur nga pema, nuk krahasohet kurrsesi me mollën e prerë me feta dhe pirunin e bukur vendosur pranë saj. Ndaj, thuajse, thuajse, nuk e kuptoj eksistencën e pikturave të natyrave të vdekura.

Sidoqoftë ama... ka një sekret brenda nature morte, që sapo e kam zbuluar. Zbulimi më erdhi duke parë ngultazi një pjatancë me fruta, dhe dinamikën e pamenduar të hapësirë-kohës në to.

Ndërsa një kokërr kumbull, një kokër rrush u rrokullis nga frutiera, zbulova një element unik dhe mistik në to. Mendoj se është i ngulitur thellë brenda të pandërgjegjshmes njerëzore, ndaj në historinë e njeriut pas krijimit të shoqërisë dhe institucioneve, pra pas zbulimit të aftësisë njerëzore për të abstraguar, gjithmonë është gjendur diku në ndonjë cep një natyrë e vdekur. Momenti që zgjedh artisti për të pikturuar, frutat, kompozicioni, kujtesa fotografike nga e cila lind skica, ngërthen brenda saj pikërisht të vetmen gjë që njeriu nuk e ka kontrolluar dot, nuk e ka shpjeguar dot plotësisht, nuk e ka manipuluar dot, por e ka admiruar dhe i është trembur njëherësh, pa kompromis. Rastësinë. Rastësinë e kompozicionit, rënies së një kokrre, dhe mosrëniës së një kokrre, mundësive të panumërta të mënyrës si janë pozicionuar këto objekte.

Pikturimi i natyrave të vdekura, ndoshta, mban brenda si akt, pikërisht tallazet tona të pandërgjegjshme të frikës ndaj vdekjes dhe, shtytjes e admirimit të jetës. /Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH