Kryesore

Nata e parë e protestës

               Publikuar në : 10:15 - 13/04/19 Liberale

Çfarë pritet të ndodhë në tubimin e radhës së opozitës dhe pse këtë herë është zgjedhur mbrëmja e së shtunës, si në Mal të Zi dhe Serbi. Ndikimi i protestave në zgjidhjen e krizës politike, mesazhet për ndërkombëtarët dhe kryeministrin që ka zgjedhur të jetë jashtë vendit

Suadela Balliu

Për nga thirrjet dhe ora e  grumbullimit në muzg mund të ngatërrohej disi pak me gjueti shtrigash, por opozita e bashkuar, ka njoftuar se ajo e së shtunës poshtë zyrës së Edi Ramës do të jetë më e madhja e tetë protestave të organizuara deri tani.

Nuk është e padëgjuar nga lideri i selisë blu, i cili edhe më herët në protestat e 16 shkurtit dhe të 16 marsit do të deklaronte me bindje para se ato të zhvilloheshin se do të ishin më të mëdhatë e organizuara ndonjëherë nga forcat politike në vend, në tridhjetë vite pluralizëm. E nëse protesta e parë shënoi incidente dhe u etiketua nga faktori ndërkombëtar si e dhunshme, e dyta do të ishte me tone më të shtruara e të qeta.

Kjo protestë, e treta në rend, që zhvillohet ditën e shtunë, vjen me një orar të pazakontë.

Protesta në moton “Shqipëria ngrihet përpara Kryeministrisë” , siç kanë bërë të ditur organizatorët do të zhvillohet sot në orën 18:00, ndërsa më herët ish-deputetë të opozitës do t’u  bënin thirrje qytetarëve për t’iu bashkuar. Por ajo që e bën ndoshta më të veçantë protestën e 13 prillit, nuk është orari sesa përkimi me dy protesta të tjera, të njoftuara gjithaq se do të jenë madhështore, në Beograd dhe Podgoricë, nga opozita serbe dhe ajo malazeze.

E cilësuar shpesh si “Pranvera Ballkanike”, vala e pakënaqësive që i ka nxjerrë qytetarët dhe partitë opozitare të protestojnë në rrugë kundër qeverive që ata i cilësojnë të korruptuara dhe liderët si autokratë, vjen si një dallgë më e madhe, e organizuar në tre shtete, në të njëjtën kohë.

E ndërsa në Beograd, protesta pritet edhe të përshkallëzojë, edhe pse organizatorët janë shprehur se do të jetë ashtu si të tjerat paqësore, në Tiranë ka pasur deklarata nga figura të opozitës, të cilët u janë drejtuar jo vetëm si ftesë qytetarëve, por edhe si paralajmërim kryeministrit.

“Nesër të gjitha në shesh, t’ia marrim shpirtin Edi Ramës…”, do të  thoshte  kryetarja e Lidhjes Demokratike të Gruas, Albana Vokshi gjatë një takimi me gra dhe vajza në qytetin e Korçës, ndërsa ish-deputeti Bardh Spahia në një postim në rrjetet sociale, i fton qytetarët për të mos lejuar instalimin e një diktature të re me sloganin “Rama Shporru!”

Edhe ish-kryeministri Sali Berisha e ka theksuar se kjo protestë do të jetë më e madhja që ka parë Shqipëria deri më sot, duke thënë se dita dhe nata janë të popullit opozitar. “E ftoj krye Kreun e Meduzës të nderojë qoftë dhe një herë atë zyrë që rri në të”, i është referuar ish-lideri i Partisë Demokratike, kryeministrit Rama.

Për kryetaren e Lëvizjes Socialiste për Integrim, orari i ndryshëm në këtë protestë, vjen si zgjidhje pragmatiste për të mos u përballur me temperaturat e larta, si më herët, edhe pse nuk e kanë parashikuar se do të ishte mot i paqëndrueshëm me shi.

Përballë mesazheve të qarta ndaj kryeministrit, orarit të pazakontë deri më tani, por edhe precedentit me protestën e parë, ku u dëmtua jo vetëm porta hyrëse e kryeministrisë, por edhe vepra arti si kërpudha gjigante me tri pjesë në oborrin e saj, edhe qeveria ka marrë masat e saj duke mobilizuar më shumë se 1500 efektivë policie, punonjës të Gardës, por edhe të Forcave speciale për tubimin e së shtunës.

Perimetri përreth godinës së Kryeministrisë, i cili u zhvesh nga gardhimi, kur në pushtet erdhën të majtët, është mbuluar sërish me gardhe metalike dhe blindat e hedhjes së ujit do të jenë aty pranë, në rast se protesta bëhet e dhunshme.

“Po të jetë për t’i bërë gjëmën Edi Ramës ia bën kur të duash. Ai ka frikë vetëm për kurrizin e tij”, është shprehur Kryemadhi, ndërsa kryeministri do të jetë në një vizitë zyrtare në Kuvajt. Është protesta e tretë e madhe e zhvilluar nga PD, LSI dhe partitë aleate që Rama ka zgjedhur të mos jetë në kryeqytet, ndoshta si masë paraprake për të  shmangur ndonjë përshkallëzim të protestave, që mund të kishin si synim edhe futjen me dhunë brenda godinës kryeministrore.

Ndërkombëtarët

Megjithëse organizatorët e  protestës kanë deklaruar se grumbullimi përpara kryeministrisë nuk do të ketë orar të përcaktuar, mësohet se forcat e rendit do të jenë në gatishmëri gjatë gjithë natës.

Sipas kreut të PD-së, Lulzim Basha, i cili prej ditësh ka bërë një tur nëpër rrethe, për t’i bërë thirrje qytetarëve t’i bashkohen kauzës së opozitës, e cila kërkon largimin e kryeministrit, formimin e një qeverie tranzitore dhe organizimin e zgjedhjeve të parakohshme, situata është në favor të opozitës. Sipas Bashës, Partia Demokratike është “de facto” shumicë, ndërsa ka pasur një rritje të menjëhershme mes të pavendosurve, pas vendimit për të djegur mandatet.

Kreu i selisë blu i referohet rezultateve të sondazhit të kryer nga “IPR Marketing”, ku nëse zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbaheshin gjatë muajit prill, PD dhe LSI do të formonin shumicën. Rreth 34 përqind e të pyeturve e vlerësojnë qeverisjen e socialistëve negativisht, ndërsa 44 përqind e kanë votën të orientuar nga PS, kurse 28 përqind nga PD dhe 15 përqind nga LSI, që i bën këto parti opozitare, në një rast hipotetik zgjedhjesh, shumicë.

Partia Socialiste ka pësuar rënie me 4 përqind, në krahasim me zgjedhjet e dy viteve më parë, ndërsa PD ka rritje me mbi 10 përqind.

“Duhet ta përkthejmë sa më shpejt në votë këtë mbështetje të shqiptarëve. Për këtë arsye, pjesëmarrja e lartë në protestë ka një rëndësi të jashtëzakonshme”, është shprehur Basha. Por ndërkohë që zv/ndihmës sekretari amerikan  i shtetit, Matthew Palmer, i cili vizitoi Tiranën në fillim të javës do të thoshte se ShBA e njeh qeverinë si legjitime dhe i nxiti partitë politike të marrin pjesë në zgjedhjet lokale të 30 qershorit. Përkundër nga sa është menduar se kriza politike, edhe kësaj here, ashtu si më 2017-ën, do të zgjidhej nga negociatorët ndërkombëtarë, Palmer, i cili shërben në Byronë për Çështjet e Euroazisë, njohës i mirë i rajonit, do të thoshte  se nuk ishte këtu për të negociuar një zgjidhje. Të njëjtin mesazh kanë përcjellë edhe më herët zyrtarë të tjerë të BE-së, ndërsa kanë kritikuar djegien e mandateve të deputetëve dhe kanë bërë thirrje të vazhdueshme që protestat të mos precipitojnë në dhunë, pasi do të ishin minim i rrugës që Shqipëria ka bërë deri tani në proceset integruese drejt Bashkimit Europian. “Kërkesa jonë mbetet e pandryshueshme. Largimi i Edi Ramës dhe qeveria tranzitore. Të shpjegojmë kudo në çdo takim që ne jemi shumicë dhe duhet ta tregojmë këtë”,  do të deklaronte Basha, i cili pati gjithashtu një takim me zv/ndihmës sekretarin amerikan të shtetit, ditën e hënë. Megjithëse refuzoi të flasë për mediat, kreu i PD-së, do të shkruante në Tëitter se kishte biseduar me zyrtarin amerikan rreth situatës në vend, me mungesën e gjykatës kushtuese dhe gjykatës së Lartë, pandëshkueshmërinë, krimin, korrupsionin dhe krizën politike.

Një ditë para protestës, Basha do të theksonte edhe njëherë vendimin e opozitës për të mos hyrë në zgjedhjet lokale, por edhe duke deklaruar se zgjedhje, pa opozitën, të cilat ai i cilëson si “false” nuk do të ketë.

Megjithëse kjo protestë është veshur disi me mister nga organizatorët që kanë zbuluar pak detaje rreth protestës dhe janë mjaftuar me caktimin e orarit dhe të vendndodhjes, duke hedhur dyshime se mund të ketë edhe akte dhune apo edhe përsëritjen e skenarit të 2017-ës me ngritjen e çadrës në bulevard, ish-deputetja Jorida Tabaku do të zbulonte se nuk do të ketë, nga ana e opozitës, akt më të rëndë sesa ajo e djegies së mandateve, duke shtuar se nuk do të ketë një ccadër të dytë.

E ndërsa opozita shqiptare e organizon protestën e 13 prillit, përpara Kryeministrisë , opozita serbe, e cila po ashtu proteston prej muajsh, ka vendosur të mblidhet përpara Parlamentit në Beograd pasditen e 13 prillit. Një muaj më parë, protestuesit dhe liderët e opozitës i vendosën një afat 30 ditor, Vuçiçit, që e përshkruan si autokrat dhe qeverisë për t’u tërhequr apo përndryshe do të përballeshin me protesta masive në Beograd, më 13 prill. Opozita serbe e akuzon presidentin për korrupsion dhe për kapje të mediave.

Nga ana tjetër, presidenti serb, Aleksandar Vuçiç  njoftoi se një numër i madh njerëzish do të mblidheshin tek mitingu i tij i quajtur “E ardhmja e Serbisë”, më 19 prill. Ai ka thënë se mitingu do të jetë grumbullimi më i madh civil në 40 apo 50 vitet e fundit.

Stinë protestash në Ballkan

13 Prilli pritet të jetë ditë protestash edhe tek fqinjët e Malit të Zi, të cilët pasi kanë organizuar tetë protesta rresht përpara  godinës së Parlamentit, në Podgoricë. Kauza e opozitës malazeze është e ngjashme me atë shqiptare, pas videove të publikuara që tregojnë për shitblerje të votave. Ndërsa në Shqipëri, protestat morën shkas pas publikimi të përgjimeve të kryebashkiakut të Durrësit me anëtarë të bandës kriminale të Avdylajve ku flitet për shitblerje votash, në zgjedhjet parlamentare të 2017-ës,  në Mal të Zi, një regjistrim sekret i vitit 2016, tregonte një oligark të njohur vendës duke i dhënë një zarf me para një bashkëpunëtori të Milo Gjukanoviçit, udhëheqësit të Malit të Zi. Çështja “Zarfi”  shkaktoi  protesta të shumta kundër Gjukanoviçit, që kërkonin  dorëheqjen e tij, pas pothuajse 30 viteve në pushtet.

Edhe protesta në Tiranë, pasditen e së shtunës do të zhvillohet nën thirrjet e përsëritura prej dy muajsh “Rama ik!” Zgjedhja e orës së vonë të pasdites nga ana e opozitës shqiptare mund të ketë ardhur si shenjë solidariteti me opozitat e vendeve fqinje që protestojnë për çështje të ngjashme dhe për të përcjellë simbolikën e bashkimit, në të njëjtën ditë, në atë që është cilësuar si  “pranvera ballkanike”. Ndoshta edhe si një përgjigje ndaj ndërkombëtarëve, të cilët deri tani kanë parë si përparësi stabilitetin në rajon dhe proceset integruese, sesa çështjet e demokracisë së brendshme, gjë që i ka bërë protestuesit në të tre shtetet e Ballkanit, t’u drejtohen zyrtarëve të BE-së, me slogane se “Stabilokracia nuk është demokraci!”

Megjithëse deklaratat flasin për një protestë madhështore, që përtej numrit, pret të ketë efekte konkrete në kërkesat e opozitës, deri më tani nuk duket të kenë sjellë ndonjë ndryshim që do të mund të zgjidhte krizën politike. Ndoshta kjo protestë e parë, në mbrëmje mund të jetë pika e kthesës…/ Gazeta Liberale

Etiketa:

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *