Dossier

Nacionalizmi, Shqipëria etnike dhe lëvizja N.-Çl.

               Publikuar në : 10:39 - 11/01/20 liberale

Eugjen Merlika

(Vijon nga numri i kaluar)

…Ajo klasë politike e luftës së dytë botërore, që historiografia komuniste e emëroi për 70 vjet me radhë si “bashkëpunëtorë”, “tradhtarë”, “kundër kombëtarë”, me gjithë mangësitë  në fushën e marrëveshjeve mes përbërëseve të saj e veprimit politik të përbashkët, megjithë dështimin në planin kombëtar e vetjak, pak për paaftësi e shumë për një fatalitet ngjarjesh më të mëdha  e më të ndërlikuara se mundësitë e përballimit të tyre, betejën për jetëgjatësinë në kujtesën e kombit e ka fituar. Të gjithë pjesëtarët e saj, bashkëpunëtorë me italianët, me gjermanët, me anglezët, në thelb të synimeve të tyre nuk patën kolltukët apo  fitimin vetjak, interesat e familjes, të  partisë, të krahinës apo të të huajve. Ata patën si busull vetëm një gjë : interesat e Atdheut, në tërësinë e tij territoriale e në bashkësinë e tij shpirtërore e kulturore. U takoi ky mision në një nga periudhat më të këqija të historisë njerëzore, në atë të një lufte botërore me përmasa të papara, që i vuri para një mundësie të ëndërruar për rreth tridhjetë vjet, atë të ndreqjes së një padrejtësie historike, atë të një bashkimi kombëtar. I u kushtuan me mish e shpirt sendërtimit të kësaj aspirate, prandaj gjykimi mbi ta merr formë vetëm në këtë këndvështrim, siç duhet të jetë vlerësimi në Shqipërinë tonë për këdo që dëshira, fati apo rrethanat e bëjnë të merret me jetën politike.

Ata ishin të gjithë atdhetarë, me A të madhe, ishin me një formim intelektual të nivelit evropian, me një shtat moral të padiskutueshëm, me një vizion politik të hapur, me koncepte të huazuara nga kultura botërore, me prirjen dhe synimin për t’a ngritur sa më lart nivelin kulturor e jetësor të popullit të tyre. Kanë patur të meta, kanë bërë gabime, është fiziologjike sepse askush nuk mbetet i pagabueshëm, por pasardhësit e tyre në administrimin e Shqipërisë, në të gjitha drejtimet, janë vite drite larg tyre.

Dhe ata ishin bashkëpunëtorë të gjithë rrymave të komunizmit botëror. Lindën  si parti duke kërkuar ndihmën e jugosllavëve, kur Shqipëria kishte bashkuar në gjirin e saj trevat e grabitura nga ata, u rritën nën tutelën e tyre. Me këshillat e ndërmjetësimet e tyre morën nga anglezët ndihmat gjatë luftës, për t’a fituar atë jo kundër gjermanëve e italianëve, por kundër bashkatdhetarëve të tyre nacionalistë. Si shpërblim për fitoren jugosllavëve i dorëzuan trevat e bashkuara, të shoqëruara me mijëra jetë kosovarësh të martirizuar në thertoren serbe, ndërsa anglezëve arrogancën në trajtimin e përfaqësuesve të tyre dhe minat në kanalin e Korfuzit. Erdhën në pushtet, duke tradhtuar interesin kombëtar, e vendosën në Shqipëri diktaturën më të egër që kishte njohur Vendi e, njëkohësisht, atë më mizoren që provoi Evropa e mbas luftës.

Qeverisën për 47 vjet, duke ndërruar miqtë a më mirë të themi padronët, duke u larguar gjthënjë e më shumë nga Evropa, në drejtim të komunizmit aziatik të viteve të urisë, nga jugosllavët te sovjetikët, te kinezët, madje morën titullin e nderit si “zëdhënës të Kinës në Evropë”. Ndenjën nën ombrellën e Titos deri sa ai ishte një ndjekës besnik i Stalinit, por kur ai bëri kthesën e tij historike, duke u shkëputur prej kthetrave të Moskës e duke vështruar nga Evropa, e braktisën atë duke i veshur të gjitha të këqijat që kishin mbjell në Vendin e tyre. Besnikë deri në vdekje të Stalinit e rrugës së tij të krimeve mbi miliona rusë, aq sa, të vetmit në glob ruajtën në qytetet shqiptare bustet e tij deri më 1990, madje duke nxjerrë edhe një ligj të posaçëm për mbrojtjen e tyre në atë vit, pranuan me zor “qiejt e hapur” të Hrushovit, për t’u prishur me të, mbas disa vitesh, kur ai i kërkoi Enverit e Mehmetit të lironin karriget në dobi të njerëzve të rinj. U bashkuan me Kinën e Mao Ce Dunit deri sa ky i linte njerëzit të vdisnin nga uria e i çonte për riedukim nëpër komuna, në t ‘ashtuquajturin “revolucion të madh kultural proletar”, që në Shqipëri e kthyen në vandalizëm kundër besimeve fetare e objekteve të kultit, duke fituar çmimin e madh të Djallit si “i vetmi vend ateist  në botë”, me një kushtetutë që i a kaloi dhe asaj të Stalinit. Filluan t’a kritikojnë ”Timonierin e madh” kur ai filloi të luajë ping pong me amerikanët, e mbas një filtrimi me bandën e të shoqes i prishën marrëdhëniet edhe me Kinën kur Ten Hsiao Pini filloi t’i bindë shokët e tij se ashtu nuk shkohej përpara. Atëherë shpikën teorinë e t ‘ushqyerit me bar e, mbasi i kishin vrarë të gjithë shokët e vjetër të luftës, vdekjes së komandantit i u përgjigjën me kurorëzimin e të vetmit “shok armësh” që kish mbetur gjallë, Urjah Hipit të komunizmit shqiptar, Ramiz Alisë. Ky, simbas historianëve pati meritën se solli demokracinë, dy vjet mbasi kishte rënë Muri i Berlinit. Kjo qe me pak fjalë rruga e jashtëme e socializmit të Enver Hoxhës.

Ecuria e brendshme është një lumë gjaku që, në pak vite, i hoqi Shqipërisë të gjithë klasën e saj intelektuale, duke filluar nga martirët e Kishës katolike e të besimeve të tjera, tek të gjithë eksponentët politikë antikomunistë e nacionalistë, madje dhe ata që në mënyrë paradoksale i kishin besuar “idealit të çlirimit nga pushtuesit”. Krahas këtyre mijëra viktimave lufta e pushtetit të popullit filloi sistematike kundër grave e fëmijëve e pleqve, familjarë të “armiqve”, që fabrikoheshin në vazhdimësi, një luftë që vazhdoi deri në vitin 1991, kur njerëz të detyruar të paraqiten gjithë jetën dy herë në ditë para policit, u lejuan të gjejnë strehim në vende të tjera. Ndërkohë burgjet ishin gjithmonë plot, neni 55 ishte bërë emblema e besnikërisë ndaj regjimit për policë, gjyqtarë, sigurimsa, spiunë e funksionarë partie, duke mbushur me forca gjithnjë e më të reja, kampet e punës së detyruar nëntokë e mbi tokë.

Duke shënuar si të vetmet gjëra pozitive përhapjen e arsimit deri në skajet më të largëta, arsimin tetëvjeçar të detyruar, dhe ndihmën mjekësore të shtrirë dhe në fshatra, nuk mund të le pa përmendur varfërimin skajor të fshatarësisë së kolektivizuar dhe racionimin e ushqimeve, si në kohë lufte, për dhjetëvjeçarë me radhë. Sa i përket zhvillimit industrial, kaq shumë të trumbetuar nga propaganda e regjimit, ishte i tëri një blof i madh. Fabrikat e uzinat ishin me një teknologji të fillimit të shekullit, bujqësia angazhonte 60% të fuqisë punëtore të Vendit dhe “mbrojtja” hante në tunele e bunkerë shifra të pallogaritshme të buxhetit të shtetit. Pra në tërësi ishte një sistem krejtësisht i dështuar që mbahej në këmbë vetëm me forcën e terrorit.

Këtë sistem, krejtësisht mbrapambetës për Shqipërinë, e njerëzit që e krijuan dhe e drejtuan për gati një gjysmë shekulli, duke e kthyer Vendin në simbolin më shprehës të diktaturës, të mbrapambetjes e të varfërisë, historianët tanë ka 80 vjet e këndej që vazhdojnë t’a paraqesin si prodhues të mirëqenies e  të përparimit.  Simbas tyre, ka pasur ndonjë teprim në “luftën e klasave”, por dhe ato justifikoheshin me “rreziqet” që kalonte gjithmonë revolucioni. Vazhdon hyjnizimi i “Luftës N.-Çl.” dhe i udhëheqësve të saj, që e vunë Vendin “në anën e fituesve”. Krahas kësaj paraqitjeje vazhdon nxirja e pjesës më të madhe të personaliteteve nacionaliste, të cilëve kjo historiografi nuk i njeh asnjë meritë.

Ka ardhur koha, madje jemi shumë të vonuar, që në kujtesën historike të vihen në vend të vërtetat e të paditen me forcë mashtrimet dhe autorët e tyre. E vërteta është që nacionalistët shqiptarë i kanë shërbyer interesave të Shqipërisë, në kohë dhe rrethana shumë të vështira e Atdheu i tyre duhet t’i jetë mirënjohës e t’i japë vendin që u takon në Panteonin e vlerave të Kombit. Kjo duhet të bëhet, në radhë të parë, duke i mësuar fëmijëve historinë e vërtetë, jo me tekstet e morisë së historianëve të regjimit që ende sot mëtojnë të kenë monopolin e së vërtetës, por që në fakt zotërojnë të kundërtën, atë të mashtrimit. Së dyti, në këtë njëqindvjetor të pavarësisë, Shteti demokratik dhe organet vendore duhet të venë dorë mbi simbolikën e qyteteve, mbi emrat e rrugëve e të veprave sociale e kulturore, duke ndërhyrë në ndryshimin e tyre në dobi të pohimit të vlerave kombëtare. Nuk e di se sa politika është e prirur të veprojë në këtë drejtim, por mendoj se është një detyrë që e shkuara jonë na e shtron me forcë e, nëse duam t’i mbushim mendjen vetes se po ndërtojmë një demokraci, duhet pa tjetër të vendosim raportin e drejtë mes së vërtetës historike dhe paraqitjes së saj. E, së fundi, uroj që studimi i historisë së Vendit tonë, sidomos i shekullit të fundit, të jetë vepër e studiuesve të rinj, të paindoktrinuar dhe objektivë e pa pasione politike.

Historia jonë është ajo e një toke “të fshikulluar nga përndjekjet”. Ndoshta ky është përkufizimi më i saktë e më domethënës i fatit tonë historik. Nuk është përcaktimi i ftohtë i një historiani, që nuk bën kurrë bilance dhimbjesh njerëzore, por i një Shenjti, për të cilin ajo mbetet gjithmonë prova e madhe e kësaj jete. Shenjti Vojtila qe njëri nga ne, që në shekullin simbol të dhunës së ideologjive, provoi në vetë të parë përndjekjen. Të vetmen herë që erdhi mes nesh u ul në gjunjë dhe puthi tokën tonë. Ndoshta me atë veprim deshi të qetësojë sado pak rënkimin e brendshëm të saj.

Historiani Gibon, një nga monumentet e fushës së historisë, na ka quajtur “një popull që ka mbrojtur gjithmonë çështjen e humbur”. Nuk është një vlerësim bujar ky i historianit anglez, e nuk di se sa argumente mund të kemi për të provuar të kundërtën. Sigurisht bustet e Stalinit në sheshet tona deri në vitin 1990 e bunkerët e mbjellë me shumicë në tokën tonë nuk na ndihmojnë n’atë drejtim. Por ndërmjet shprehjes dashamirëse të Papës Vojtila dhe gjykimit të ftohtë të historianit, ndoshta gjendet e vërteta.

Lidhur me të duhet të ndalemi para një date me këto shifra : 29 /11/ 1944. Kjo datë në udhëtimin përfytyrues shëmbëllen me një prag humnere si ai, në hyrje të të cilit, thotë i madhi Dante, ishte shkruar me germa të mëdha : lini çdo shpresë o ju që hyni! Data, në vetvete, përkon me ikjen e ushtarit të fundit gjerman nga Shqipëria e, normalisht, duhet të ishte një ditë e gëzuar, mbasi askush nuk ka dëshirë të shohë uniformat e huaja ushtarake në tokën e tij. Por për ne qe si porta e Ferrit të Dantes. Fitorja mbi fashizmin qe, për popujt e Evropës Lindore, fitorja e robërisë komuniste. Këtë të vërtetë, të mbajtur në kasafortë për më shumë se gjysmë shekulli, do t’a pohonte me zë të lartë një qiraxhi i Shtëpisë së Bardhë, Presidenti Xhorxh Bush. Ne vazhdojmë ende t’a ruajmë në kasafortë, si ditë “çlirimi” edhe se qe një ditë pushtimi më e keqe se 7 prilli, edhe se qe fitorja e krimit, e padijes, e mashtrimit, e dhunës, e pandershmërisë. Absurditeti më i madh qëndron në faktin se ende sot, mbas 80 vitesh, kur të gjitha këto dhunti të saj i kemi shijuar në tre breza, me pasoja tragjike e të pamatshme, ata që e sollën atë ditë quhen atdhetarët më të mirë, paçka se mbaruan të gjithë duke vrarë njëri tjetrin, e ata që bënë çmos që ajo ditë të mos vinte quhen ende “armiqtë” e Shqipërisë. Se ku qëndron baza edhe më elementare logjike e këtij arsyetimi nuk kuptohet, ndoshta në thënien e Gibonit, kësaj radhe të shtrirë edhe në mendimin, ndoshta në errësirën që, ende, nuk lejon gjykimin e kthjelltë. /Gazeta Liberale

 

 

Tags: , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back