Dossier

Nacionalizmi, Shqipëria etnike dhe lëvizja N.- Çl.

               Publikuar në : 08:45 - 28/12/19 liberale

Eugjen Merlika

(Vijon nga numri i kaluar)

Dalja e Mustafa Krujës nga jeta aktive politike nuk do të thoshte frenim i projektit nacionalist të klasës politike shqiptare. Në një pjesë të nacionalizmit, që e quante pushtimin nga Italia si të keqen më të madhe të Shqipërisë, për pasojë luftën kundër saj si objektivin kryesor, lindi iluzioni se mund të shërbehej çështja kombëtare duke bashkëpunuar me Lëvizjen Nac.- Çl. të drejtuar nga Enver Hoxha dhe tutorët e tij serb e malazez.

Deri në verën e vitit 1941, grupet komuniste në Shqipëri e n ‘Evropë ishin në një letargji të plotë. Ata i konsideronin fitoret e Boshtit dhe pushtimet e tij në gjithë Evropën si fitore kundër fuqive imperialiste e kolonialiste, që duheshin përshëndetur. Në Francën e pushtuar komunistët ishin mbështetësit më të mirë të administratës franceze të Petenit. Në Shqipëri pushtimi italian u prit me optimizëm prej komunistëve që e quanin si mjetin më të mirë për të nxitur krijimin e klasës punëtore e të ndërgjegjes së saj proletare. Problemet filluan të dalin me bashkimin e tokave shqiptare, sepse në këtë mënyrë, simbas tyre, dëmtoheshin marrëdhëniet me popujt grek e jugosllav. Meqenëse çështja kombëtare ishte bërë veprimtaria kryesore e nacionalizmit që gjente në këtë fushë përkrahjen e Italisë, ajo duhej luftuar apriori.

Kjo apati e komunistëve evropianë e kishte burimin në vartësinë e tyre nga Kremlini dhe Kominterni, ku vazhdohej të respektohej Pakti Ribentrop – Molotov me të gjitha pasojat e veta në lidhje me Poloninë e republikat baltike. Më 21 qershor ai pakt u hodh në kosh, mbasi Hitleri dhe bashkëpunëtorët e tij menduan se, brenda dy muajsh, do të bënin të dorëzohej Stalini. Llogaritë nuk u bënë si duhet dhe koha e humbur për sulmin në Ballkan qe fatale për gjermanët, mbasi dimri rus frenoi ofensivën gjermane, deri atëherë tepër e suksesshme. Historia u përsërit dhe gjermanët provuan atë humbje që 130 vjet më parë kishin pësuar francezët nën drejtimin e Perandorit Napoleon Bonaparti.

Mbas këtij sulmi filluan të aktivizohen e të organizohen edhe komunistët shqiptarë të ndarë në grupe, pa ndonjë veprimtari të dukshme. Ndonjë përpjekje për bashkimin e grupeve kishte ekzistuar, por nuk kishte patur sukses, mbasi secili prej tyre mëtonte zotërimin e partisë. Kështu, me nismën e Qemal Stafës etj. u vendos të kërkohej ndihma e partisë komuniste jugosllave, ndihmë që i shkoi shumë për shtat fqinjëve lindorë e që nuk vonoi. Miladin Popoviçi, që ishte i internuar në Peqin, u lirua nga një aksion i Mustafa Gjinishit e Vasil Shantos dhe u vu në dispozicion të organizimit të partisë. Ai arriti t’i mbledhë e t’i bashkojë  grupet komuniste, të krijojë partinë, duke përjashtuar nga drejtimi gjithë krerët e grupeve e duke zgjedhur në udhëheqje njerëz që mund t’i vërtiste siç donte ai, me në krye Enver Hoxhën.

Ndër detyrat më kryesore që i parashtroi vetes PKSH-ja , në rezolucionin e mbledhjes ishte zhvillimi i “dashurisë dhe bashkëpunimit luftarak me të gjithë popujt e Ballkanit, sidomos me popujt serb, grek, malazez e maqedonas, që luftojnë heroikisht për çlirimin e vet nacional”[1]

Që në fillim organizatorët jugosllavë u kujdesën t’i japin drejtimin pro serb partisë që krijuan, duke e veshur atë me petkat e “internacionalizmit proletar”, që ishte baza e doktrinës komuniste. Që në themelim PK dilte në arenën politike si një forcë kundër shqiptare, sa i përkiste  shtrirjes territoriale e bashkimit të trevave kombëtare me Shtetin shqiptar. Duke mbuluar me demagogjinë e luftës kundër pushtuesit, qëllimin e vërtetë të projektit serb, që ishte ai i kthimit në kufijtë e 1913, pra me Kosovën, Dibrën dhe Liqenjtë, përsëri nën administrimin jugosllav, drejtuesit e PK viheshin katërçipërisht në shërbim të strategjisë kundër shqiptare që kishte filluar në luftën ballkanike, kishte vazhduar me Konferencën e Londrës dhe Protokollin e Firences, ishte ligjëruar plotësisht në Konferencën e Paqes 1919 – 1921, ishte ripohuar në mungesën e çfarëdo lloj kundërveprimi ndaj pushtimit të Shqipërisë e përmbysjes së rendit të saj kushtetues më 7 prill 1939, gjente një mbështetje të fortë në deklaratën e 17 dhjetorit 1942 të Ministrave të Jashtëm  të Anglisë, SHBA-ës dhe BS. E lindur si një forcë alternative e nacionalizmit shqiptar, të rreshtuar në anën e Boshtit jo për përkatësi ideologjike, por për interesa kombëtare, PK e mbështjellë në shpërgënjtë e Beogradit komunist, mori që në fillim trajtat e një force politike në të cilën mbizotëronin kurthet, pabesitë, intrigat e krimet. E keqja e madhe ishte se propaganda e saj, e gatuar në kuzhinat më të përsosura të botës sllave, gjente tokë të punuar në të rinj të paformuar që, në “idealizmin” e tyre të moshës rinore, nuk arrinin të ndanin grurin nga egjra, të kuptonin se e ardhmja e tyre ishte e lidhur më shumë me atdheun e fituar, se energjitë e tyre duhej të derdheshin për të arsimuar krahinat që nuk njihnin akoma shkollat shqipe, për të përhapur në to, jo idetë e Marksit, por idealet e Rilindjes e poezitë e Naimit e të Fishtës.

Në vitin 1942, në gjimnazin e Tiranës, kur prof. Epaminonda Bulka po shpjegonte historinë e Skënderbeut, studenti Astrit Bozgo, djali i Kasem Bozgos nga Gjinokastra, u ngrit dhe bërtiti : “Mjaft na çave kokën me Skënder koqen!”

Në polemikën e përditshme të tyne, komunistat pretendojshin  se Kosova nuk duhet lidhë me Shqipninë, mbasi kjo qe vepër e fashizmit; ajo do të ishte ma mirë nën sundimin e nji Jugosllavie demokratike se nën nji Shqipni zogiste e reaksionare.

Ndodh njiherë që, në shtëpinë e nji fshatari, në Kolonjë, vjen për me ba agjitacion nji djalë komunist, ilegal. Gjatë bisedës, ai i flet për vëllaznimin me popullin grek. Fshatari, i zemruem, i thotë : Kjo shtëpi asht djegë tri herë prej grekvet. Del jashtë!”

Ma vonë, si shenjë vllaznimi, komunistat kanë thye gurët e kufinit me Greqinë. Dhe çetat komuniste greke, bullgare e jugosllave kanë hy në Shqipni dhe kanë luftue së bashku me komunistat shqiptarë kundër shqiptarëve nacionalista.

Nji komunist vlonjak, i cili, natën e 2-3 prillit të vitit 1943, kishte marrë pjesë në therjen me thika të ushtarëve italianë në Romsi të Mallakstrës, vjen në mëngjes me pushue tek nji shtëpi. Vajzat komuniste që ishin mbrenda, tue e pa djaloshin me rrobat tanë gjak, qesin brimën të tmerrueme. Djaloshi i paditë vajzat te Mehmet Shehu, i cili i heq vërejtjen dhe i kërcënon, tue i thanë se ato duhej të gëzoheshin e të ishin kryenaltë. Po këto vajza, ma vonë, në vjeshtë të atij  viti, do të asistojnë në vrasjen e tmerrshme të xhandarit, në Prevesh të Shëngjinit të Tiranës, prej Dushanit dhe do të shfaqin gëzimin për këtë vrasje, bile do të flitshin kundër viktimës.

“Në mes të këtij degjenerimi komunist të rinisë, ma e tmerrshme paraqitet të ngjallunit e urrejtjes kundër prindëve, bile sa me i shtye edhe në vrasje..”[2]

Shkëputa këtë paragraf tepër domethënës nga vepra e Faik Qukut, për të ndriçuar më mirë, me shembuj të thjeshtë, pa hyrë në retorikën e diskutimeve akademike, gjëndjen e rëndë në të cilën, brënda një kohe të shkurtër, Miladini, Dushani dhe sejmenët e tyre të komunizmit sllavofil, kishin përpunuar në kah jo vetëm kundër kombëtar, por edhe kundër njerëzor, një pjesë të rinisë shqiptare të kohës. Infektimi me idetë vrastare deri në konceptimin e krimit si një “vepër morale”, rrëzimi nga piedistali i historisë kombëtare të autoritetit më të lartë të saj, brumosja me ide të kundër shqiptarizmit më agresiv, të njëjtësuara me termin antifashizëm, asgjësimi i plotë i parimeve morale të respektit ndaj prindërve e vlerave të familjes, tregonin zvetënimin shpirtëror në të cilin ishin zhytur Raskolnikovët dhe Ivan Karamazovët e vonë të jetës shqiptare. Fatkeqësisht, indoktrinimi me këta parime rrënuese për çdo popull, aq më shumë për ndonjë si yni, që nuk kishte në vetvete antikorpet e qytetërimit të vërtetë, nuk qe diçka e përkohshëm, nuk qe vetëm një kërkesë e kohës së vështirë. Ai u bë kuintesenca e filozofisë së “botës së re”, që ndërtuan ata djem e vajza partizane, në një Vend që u bë fusha më pjellore e sprovës më të suksesshme të krimit në shkallë evropiane. Shifrat e përndjekjes komuniste janë aty, dëshmia më e mirë  dhe më e pakundërshtueshme e përmasave të së keqes që i sollën komunistët Shqipërisë.

Shfaqje të dukurive të mësipërme, fatkeqësisht, vazhduan në gjithë harkun e qenies së regjimit, duke filluar me vrasjet masive të kosovarëve, si masakra e Tivarit, në dënimet e pafund të shqiptarëve që mbronin përkatësinë e Kosovës Shqipërisë, në krimet e përbindshme ndaj oficerëve të SHIK-ut në Vlorën e vitit1997, deri në “teoritë” e sotme të “kombit kosovar” e të “çmitizimit” të figurave historike, duke kaluar nëpër thertoren e pafund të gjyqeve komuniste, që nga Riza Dani e Shefqet Benja deri tek “poliagjenti” Mehmet Shehu e Kadri Hazbiu, këto brenda lëvizjes e “gjirit të partisë”, për të mos folur mbi gjëmën e madhe të pësuar nga kombi me zhdukjen sistematike të vlerave politike, kulturore e fetare, në asgjësimin fizik të inteligjencës kombëtare.

Përballë daljes në skenë të PK e së ashtuquajturës lëvizje nacional-çlirimtare, nacionalizmi shqiptar, i përbërë nga bashkëpunëtorët me Italinë, nga mbretërorët me në krye Abaz Kupin dhe nga partia e Ballit Kombëtar, ku militonin pjesa më e madhe e mërgatës antizogiste dhe anti italiane, pati qëndrime të ndryshme, që kushtëzoheshin edhe nga aleancat në plan ndërkombëtar, që këto forca i quanin më të dobishmet për t ‘ardhmen e Shqipërisë. Jeta politike shqiptare e asaj kohe ishte në një ngërç tepër të vështirë për t’u zgjidhur. Motivet kryesore lëvizëse të tij ishin dy : Shqipëria etnike dhe Shqipëria e pushtuar. Ky inkuadrohej në kornizën e luftës botërore, të blloqeve kundërshtare të saj, e të lidhjeve, interesave, vartësive apo parapëlqimeve të rrymave të ndryshme të mendimit e veprimit politik brenda nacionalizmit shqiptar.

Problemi kombëtar, ruajtja e Shqipërisë etnike edhe përtej çastit politik të kohës, sido që të ishte fati i luftës, ky ishte shqetësimi kryesor i forcave politike nacionaliste, ky ishte dhe materiali lidhës që përshkonte atë pjesë të politikës, që ndahej pastaj pothuajse në të gjithë përbërësit e tjerë të programeve e filozofisë politike të tyre. Në krahun tjetër, PK vazhdonte të mbante një qëndrim të papërcaktuar, të fshehur mbas figurave nacionaliste të futura në gjirin e lëvizjes, megjithëse roli gjithnjë në rritje i të dërguarve jugosllavë në të nuk mund të linte asnjë shpresë në lidhje me respektimin e gjendjes së re.

Motivi i dytë shtytës i zhvillimit të ngjarjeve ishte lufta kundër pushtuesit. Këtë e propagandonin me forcë PK, dhe Legaliteti që, nëpërmjet Abaz Kupit, ishte integruar si forcë e pavarur në lëvizjen, por që gjithmonë pohonte vullnetin e njohjes së Shqipërisë etnike. Kundër pushtuesit italian ishte dhe Balli Kombëtar, që kishte dhe ai, si pikë të parë të programit Shqipërinë e bashkuar. Motivi i luftës kundër pushtuesit, që nxitej me të gjitha mjetet edhe nga misionet angleze që ishin të pranishme  në Shqipëri që në 1941, nëpërmjet organizatës D, e që nga maji 1943, në formë të rregullt, pranë Shtabit të Përgjithshëm N-Çl. e pranë forcave nacionaliste, nxirrte në pah më shumë kundërshtitë e mëdha mes tyre. Bashkëpunimi i tyre me Frontin N.-Çl. që kërkohej me forcë nga misionet aleate, të cilat ishin të interesuara vetëm të angazhonin sa më shumë ushtarë të Boshtit në Shqipëri, që këta të mos kishin mundësi të shkonin në frontet e luftës në pjesë të tjera, krijonte zhgënjim e mosbesim tek pjesa tjetër që kishte bashkëpunuar me Italinë deri në kapitullimin e saj. Ai kapitullim solli një sqarim në jetën politike, hoqi prej saj rrezikun, e valëvitur për katër vjet, simbas të cilit Shqipëria kishte humbur pavarësinë  e saj, si pasojë e pushtimit ( e vërtetë) e që rrezikonte të humbte identitetin e saj si popull, si pasojë e Bashkimit (frikë e rreme).

Duke dalë nga kuadri shqiptar Italia me të gjitha pasojat e saj e duke u zëvendësuar nga Gjermania, e cila nuk kishte pasur asnjëherë interesa të drejtpërdrejta në Shqipëri, problemi shqiptar duhej parë në një dritë tjetër. Jo vetëm për faktin e mësipërm, por edhe për perspektivën e luftës që, me përjashtim të një faktori të jashtëzakonshëm që mund të ishte arma atomike, tek e cila shpresoi deri në fund diktatori gjerman e që, ndoshta, mund të ndryshonte fatin e saj, dukej e vendosur në dobi të Aleatëve.

*  *  *  *  *

Këtu ngërçi bëhej edhe më i ngatërruar për nacionalizmin shqiptar. Aleatët ishin përkrahës tradicionalë të Jugosllavisë (Rusia) dhe të Greqisë (Anglia). Integriteti tokësor shqiptar ishte kërcënuar prej tyre, që kur lindi Shteti i parë më 1912. Pra gjendja e Shqipërisë, në sytë e nacionalistëve ishte e pashpresë. Kësaj i shtohej edhe fakti ogurzi që formacioni politik referent i Aleatëve në Shqipëri, Lëvizja N-Çl., mbas Konferencës së Mukjes në gusht të 1943-it, kishte shpallur haptas, pa asnjë mëdyshje se problemi kombëtar për të nuk ekzistonte e se ajo pushtetin në Shqipërinë e mbas luftës nuk donte t’a ndante me askënd, madje mund të mendonte të zëvendësonte bashkimin me Italinë në atë me Jugosllavinë.

Për të përballuar një mundësi të tillë, që do të ishte, shkatërrimtare e vdekjeprurëse, jo vetëm për projektin e sendërtuar të Shqipërisë së bashkuar, por edhe për fatin e vetë së ardhmes politike të shqiptarëve, duhej një ndërgjegjësim i shkallës eprore të gjithë përbërësve të jetës politike, administrative, fetare e kulturore të kombit. Duhej një bashkim i fuqishëm, ku secila përbërëse e fushës politike të hiqte dorë nga një pjesë e vetvetes, nga paragjykimet e çfarëdo lloji e t’i delegonte një autoriteti të pranuar prej të gjithëve si shpresa e shpëtimit të Atdheut. Ky autoritet duhej të përbëhej nga një skuadër njerëzish atdhetarë të aftë e të ndershëm, që duhet të kishin largpamjen për të hartuar një projekt që të funksiononte  duke u përqendruar në dy objektiva kryesore : ruajtja e tërësisë tokësore shqiptare dhe sigurimi i një demokracie të vërtetë të modelit perëndimor mbas luftës. Ndërmarrja ishte shumë e vështirë, por jo e pamundur.

Duheshin bindur aleatët se në Shqipëri kishte një klasë drejtuese, që frymëzohej, sa i përkiste modelit të shtetit e të shoqërisë, nga parimet e demokracisë së tyre e, njëkohësisht, t’u provonin atyre se populli shqiptar ishte në krahun e saj. Kjo arrihej si rezultat i një ujdie mes të gjitha rrymave të nacionalizmit e duhej t’i nënshtrohej një parimi të njohur : çdo stinë politike duhej të kishte përfaqësuesit e vet, por që të gjithë t’i shërbenin një qëllimi. Popujt që kanë një ndërgjegje kombëtare të zhvilluar e venë në zbatim këtë parim dhe stafeta mes klasave drejtuese në faza të ndryshme, në marrëveshje të hapura e, më shumë të fshehta, nuk përbën një blasfemi. Edhe në Shqipëri, gjatë luftës, këto përpjekje marrëveshjesh janë bërë në nivele personale, por nuk kanë sjellë në një përfundim të kënaqshëm, sepse paragjykimet ishin shumë të forta.

Lidhjet me aleatët në Shqipëri mbaheshin prej misioneve angleze, që qëndronin pranë forcave të mikut të tyre, Abaz Kupit. Por kundrejt kërkesave të tij për sigurinë e Shqipërisë etnike dhe vendosjes së kontakteve me Mbretin Zog, megjithë miratimin në planin vetjak të oficerëve të misioneve, përgjigjet nga Forejn Ofis apo Ministria e Luftës ishin gjithmonë negative. Në sferat e larta të politikës britanike e amerikane ishte vendosur që Vendet e Lindjes i qenë caktuar ndikimit sovjetik, si shpërblim të peshës që atdheu i komunizmit po mbante në luftën e madhe. Si pasojë parapëlqimet e tyre shkonin drejt forcave që qëndronin në pozitat e afërta ideologjike e politike me B.S., në rastin tonë me Frontin N- Çl. që merrte të gjitha ndihmat materiale që caktoheshin për Shqipërinë. Në këtë gjendje, kur ishte e qartë se çfarë drejtimi po merrnin ngjarjet, e vetmja mënyrë për të shpresuar ndryshimin e kursit të tyre, ishte një kundër front i fuqishëm që do të kishte në shërbim të tij së paku 50 mijë ushtarë të armatosur mirë, të gatshëm për të ruajtur rendin, sigurinë dhe institucionet me ikjen e gjermanëve.

Në këtë mundësi teorike duheshin zgjidhur dy probleme : shtabi drejtues dhe armatimi. Faktori i parë, për mendimin tim, do të ishte i plotësuar nga kthimi i Mbretit, që mund të ishte personi më i përshtatshëm për të siguruar një besëlidhje të krahinave e forcave politike të ndryshme, që vlerësonin rrezikun komunist. Por Mbreti mbahej i mbyllur në Angli, pa mundur të mbante lidhjet me bashkëqytetarët e tij. Anglia u kishte krijuar mundësi të gjitha Vendeve të pushtuara të mbanin në tokën e saj “Qeveritë në mërgim”. Këtu bënte përjashtim vetëm Shqipëria. Nuk kuptohej nëse ky qëndrim ishte një “dënim” i Mbretit shqiptar për politikën e tij të marrëveshjeve me Italinë, apo një projekt afatgjatë që e përjashtonte atë nga e ardhmja politike e Shqipërisë. Në rastin e parë mendoj se imazhi i Anglisë dhe i Qeverisë  së saj nuk është në përputhje me korrektësinë në marrëdhëniet mes shteteve, që do të thotë respektim i rregullave për të gjithë. Nëse kishte dyshime për mënyrën e shpalljes së Mbretërisë, Ahmet Zogu kishte deklaruar se nuk do të pranonte Fronin nëse nuk do të kishte ligjësimin popullor, nëpërmjet një referendumi. Por komunistët e kishin ndaluar kthimin e Mbretit me vendime të njëanshme të drejtuesve të tyre dhe anglezët e amerikanët vinin në zbatim këta vendime.

Kupi tha se do të sulmonte gjermanët vetëm kur të merrte urdhër nga mbreti Zog. Ne e kishim takuar mbretin Zog në Angli i cili na kish autorizuar zyrtarisht me shkrim por Ministria e Jashtme refuzoi të na lejonte që ta merrnim me vete. Menduam se ndodhi kështu meqënëse ata nuk donin ta njihnin Zogun si mbret sepse kjo mund të prishte marrëdhëniet tona me amerikanët të cilët ishin shumë antimonarkistë dhe kishin ngritur zërin kundër njohjes së mbretit të Greqisë nga ana e jonë”[3]

Kështu shkruan oficeri i misionit anglez pranë Abaz Kupit, David Smiley, në parathënien e librit të kolegut të tij Julian Amery “Bijtë e shqipes”. Ndoshta ishte më shumë vullneti i sovjetikëve se i amerikanëve që respektohej në këtë rast, sidoqoftë nuk ishte shprehje e vënies në jetë të parimeve demokratike që trumbetonin ata si luftëtarë kundër diktaturave, ishte një detyrim që i bëhej zgjedhjeve të një populli. E përjashtuar mundësia e pranisë së Mbretit në zhvillimin e ngjarjeve shqiptare, i takonte të tjerë prijësve, që jetonin në Shqipëri të gjenin zgjidhjen në një organizëm kolektiv, ku bindja e secilit duhet t’i nënshtrohej interesit madhor të shqiptarëve.

Problemi i dytë, ai i armatimit, kërkonte një përkrahje nga jashtë. Meqë kjo përkrahje nuk mund të vinte nga aleatët që ishin angazhuar me komunistët, nuk mbetej tjetër zgjidhje veçse nga gjermanët. Marrëdhëniet me këta të fundit ishin më pak problematike se me italianët. Gjermanët nuk merrnin pjesë në administrimin e Vendit, atyre u interesonin dy gjëra : të mos lejonin një zbarkim të anglo-amerikanëve në Ballkan e të kishin rrugët e lira për t’u larguar. Pushtimi i tyre ishte i përkohshëm dhe varej nga ecuria e luftës. Kështu më 1 tetor 1943 u bënë zgjedhjet për Kuvendin Kombëtar, ku për herë të parë e të fundit shqiptarët votuan në të gjitha trevat e tyre etnike, me përjashtim të Çamërisë e zonave të Jugut. Ishte ai Kuvendi më përfaqësues i Shtetit shqiptar gjatë gjithë jetës së tij deri më sot, ku binin në sy listat e deputetëve të Dibrës së Madhe, të Pejës, të Prizrenit, të Prishtinës.

Kuvendi u mblodh më 16 tetor 1943 e zgjodhi kryetar të përkohshëm Lef Nosin e sekretar Xhelal Mitrovicën.

“Më 22 tetor 1943, Kuvendi Kombëtar miratoi dhe dekretoi 5 vendime të tij që bënë të mundur :

1 – Shfuqizimin e vendimeve të asamblesë së 12 prillit 1939, e cila kishte “votuar” për “bashkimin personal” midis Shqipërisë dhe Italisë.

2 – Abrogimin e të gjitha ligjeve që binin në kundërshtim me vendimin e 22 tetorit 1943.

3 – Caktimin e institucionit të Këshillit të Naltë të Regjencës për aq kohë sa do të zgjaste lufta, si dhe ushtrimin prej tij të pushtetit ekzekutiv. Po ashtu Këshilli i Naltë ushtronte bashkarisht me Parlamentin pushtetin legjislativ.

4 – Rifuqizimin e Statutit Themeltar të Mbretërisë Shqiptare të vitit 1928.

Në pikën 5 thuhej:

“Konsiderohet e paqenë dhe mbetet pa fuqi për çdo efekt, dekretligja me datë 9 qershor  1940, e botueme  në “Fletorja Zyrtare” nr. 93 datë 10 qershor 1940, kthyer në ligjin nr. 128, datë 19 gusht 1940, me të cilin Shqipnija njihej e hyeme në luftë me ato shtete me të cilat Mbretnia e Italisë ka pas qënë në luftë”, duke shpallur në këtë mënyrë asnjanësinë e Shqipërisë nga konflikti botëror.” [4]

Shpallja e asnjanësisë në konfliktin botëror ishte një masë e detyruar dhe e zgjuar njëkohësisht. Ishte e detyruar sepse ushtritë gjermane ndodheshin në territorin shqiptar dhe lufta kundër tyre vinte në pikëpyetje tërësinë tokësore të Shqipërisë të cilën ata po e respektonin. Ishte edhe një masë e zgjuar sepse i tregonte kundërshtarëve të gjermanëve  se Shqipëria nuk ishte në luftë me ta e se kishte një arkitekturë institucionale demokratike që e përfaqësonte.

Organet administrative, të dala nga Kuvendi, i kishin të gjitha kompetencat ligjore për të sendërtuar atë bashkim, që duhej të vinte në zbatim projektin e shpëtimit të çështjes kombëtare e të demokracisë së ardhshme. Ishte një projekt që duhej realizuar nëpërmjet përballimit ushtarak të përparimit të ushtrisë N.-Çl, që ishte kthyer në një organizatë terroriste në shërbim të misionarëve jugosllavë. Edhe pse qeveritë e R. Mitrovicës e të F. Dines ishin të ndërgjegjshme për domosdoshmërinë e luftës kundër komunistëve, arritjet në këtë drejtim ishin të pakta. Arsyet ishin të ndryshme, por mendoj se e para, e më e rëndësishmja, ishte ajo kronikja e historisë sonë, paaftësia për të qënë të një mëndje, edhe kur ishim në buzë të greminës e askush nuk do të mund t’i shpëtonte. Kështu forcat nacionaliste të Ballit Kombëtar e të Legalitetit, nuk merrnin vendim të luftonin komunistët edhe kur sulmoheshin prej tyre, sepse misionet angleze e ndalonin kategorikisht një gjë të tillë. Megjithë përpjekjet e eksponentëve të ndryshëm të nacionalizmit për të koordinuar forcat dhe veprimet rezultatet ishin pothuaj baraz me zero, aq sa që dita e ikjes së ushtarit të fundit gjerman nga Shqipëria, u bë edhe dita e  marrjes së pushtetit nga komunistët në Shqipëri. Bilanc më negativ as që mund të imagjinohej. Siç e kam pohuar dhe më sipër, vështirësitë ishin shumë të mëdhaja, sepse në anën e komunistëve ishin fuqitë fituese të luftës, por ato nuk ishin të pranishme ushtarakisht në Shqipëri e nuk m’a merr mëndja se për të vënë në pushtet Enver Hoxhën do të zbarkonin trupat e tyre në Shqipëri. Një shtet nacionalist me një fuqi të konsiderueshme, që do të  kishte mundur të detyronte lëvizjen komuniste të mos e quante veten fituesen e vetme të luftës, bëhej domosdoshmërisht bashkëbiseduesi i aleatëve dhe  garant i interesave kombëtare e demokratike të shqiptarëve. Ky shtet nuk u ndërtua, megjithë vullnetin e mirë të shumë prej aktorëve të jetës politike, ai nuk qe në gjendje të ndalojë ofensivën komuniste që pasonte ikjen e gjermanëve. Fitoi Shteti terrorist i përkrahur nga Vendet e mëdha demokratike, të cilët shpejt e kuptuan se çfarë çorbe të ndyrë kishin gatuar me duart e tyre.

“Përse  SOE (Special Operations executive)(Njësitë e veprimeve të veçanta E. M. )  hodhi poshtë aleatët natyrorë të Britanisë së Madhe e mbështeti një lëvizje komuniste?A do të kishte ndryshuar gjë nëse do të mbështeste mbretërorët dhe Ballin në vend të tyre?A do t’a kishte ndryshuar përfundimin e luftës civile shqiptare?   Meklin, Smajli dhe Emëri janë plotësisht të bindur për po, e që Britania e Madhe bëri gabimin të mos kuptojë shpejt se komunizmi do të ishte kundërshtari i s’ardhmes.. Simbas tyre, qëndresa kundër komuniste, nëse do të ishte mbështetur nga paisjet dhe prestigji britanik, do të kishte arsye të luftonte dhe do të kishte patur besimin e popullsisë….

Në vjeshtën e 1944 trupat gjermane ishin në tërheqje e komunistët e kishin fituar luftën civile por, simbas Emërit, loja nuk ishte humbur akoma. “Un ndodhesha në Shqipëri n’atë çast kritik. Me një ndërhyrje shumë të vogël britanike ose amerikane mund t’a kishim mbajtur Shqipërinë nga ana e Perëndimit….

Emëri nuk është i një mëndjeje me ata që, duke i bërë jehonë fjalëve të Çërçillit për Jugosllavinë , mendojnë se Perëndimi nuk kishte asnjë interes të pranueshëm në t’ardhmen e Shqipërisë, e aq më pak të drejtën për t’a ndikuar. Kishte, thotë, dy justifikime, njëri moral e tjetri praktik. I pari, ishte një gabim të braktiseshin shqiptarët në duart e regjimit mizor të Hoxhës dhe synimeve imperialiste të Stalinit. E dyta, Vlora dhe ishulli i Sazanit kontrollojnë kanalin e Otrantos, grykën e Adriatikut.

Në Londër në Ministrinë e Luftës nuk e mendonin kështu”[5]

Solla këtë pjesëz të shkëputur nga libri i prof. Betëllit “Misioni i tradhtuar” me nëntitullin “Si Kim Filbi sabotoi mësymjen e Shqipërisë”, që shpjegon shumë qartë, nëpërmjet opinionit të njërit prej më të njohurve antarë të misioneve britanike në Shqipëri, tragjedinë shqiptare dhe rolin e politikës angleze në të. Nuk e di nëse brejtja e ndërgjegjes së Emërit, Smajlit apo Maklinit për braktisjen e Shqipërisë ka gërvishtur sado pak ndërgjegjen atyre që ishin sipër tyre e vendosnin politikën e fuqisë koloniale më të madhe të kohës. Për klasën politike nacionaliste të asaj kohe është një ngushëllim i varfër se përgjegjësia për mos shmangien e së keqes më të madhe të kombit nuk duhet të bjerë vetëm mbi të. Është e vërtetë se nuk patën miq fitimtarë, është e vërtetë se patën kundërshtarë që u treguan më të “aftë” për të gënjyer e për të vrarë, është e vërtetë se ishin më të dobët, se kishin më zemër, se nuk donin të vrisnin shqiptarë. Por besoj se skrupujt i kanë mbajtur mbi ndërgjegje e tyre të vrara, sepse ata skrupuj, ajo pavendosmëri, ajo verbëri solli një tragjedi të pamasë, me pasoja të llahtarshme për një popull që u mashtrua deri në palcë e u tradhtua në aspiratat e tij më të shtrenjta si liria, jeta e pasuria, për një Vend që u zgjua nga një ëndërr shumë e bukur, ajo e kombit të bashkuar e ra pre përsëri e mizorisë së fituesve. Ëndrra u thye, por ashtu copë-copë u ngjit lart në zemrën e kujtesës historike të shqiptarëve, për t’u kujtuar atyre gjithmonë se ajo mbetet një synim, një shpresë, një frymëzim për t ‘ardhmen e një kombi edhe në një epokë kur shpirtrat e tyre priren drejt bashkësive.

[1] Kastriot Dervishi “Historia e Shtetit shqiptar 1912-2005”  F. 460

[2]Faik Quku  “Qëndresa shqiptare gjatë luftës së dytë botnore 1941 – 1944” Vëllimi 2 F.46 – 47

[3] Julian Amery  “Bijtë e Shqipes” Shtëpia botuese  “Lumo Skëndo”  Tiranë 2002  Faqe 10 – 11

[4] Kastriot Dervishi “Historia e Shtetit Shqiptar 1912 – 2005” F. 502 – 503

[5] Nicholas Bethell  “La missione tradita” Arnoldo Mondadori editore  1986  F. 29 – 30

Vijon /Gazeta Liberale

Tags: , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back