Krye

Mustafa Nano: Si e njoha Aleksandër Meksin

               Publikuar në : 10:23 - 10/08/19 LP

Më dërgoi dikush një foto në whatsapp para disa javësh, ku kishin pozuar Fatos Nano, Sali Berisha, Aleksandër Meksi dhe një i katërt, që dukej sikur mbahej më të madh dhe kish pozuar si njeriu më i rëndësishëm i grupit. Ishte në qendër të fotografisë.

Mesazhi që më erdhi, më thoshte: “Muç, po më thotë dikush që ky personi i katërt është Sulo Gradeci, dhe fotografia është shkrepur jashtë Shqipërisë, në vitin 1987. Të jetë e vërtetë, thua? Unë nuk e besoj.” Para se t’i shkonte mikut tim, ajo fotografi u kishte shkuar qindra, ndoshta mijëra të tjerëve në rrjetet sociale, me qëllimin për të përcjellë mesazhin: “Shikoni se kush e ka udhëhequr tranzicionin prej diktaturës në demokraci!”. Në atë fotografi disi flu, personi i katërt i ngjante vërtet Sulo Gradecit. Ky i fundit ka qenë më i gjatë sesa dukej në fotografi, në fakt. Por nuk ishte kjo që më bëri të dyshoj. Dyshimi kryesor kishte të bënte me Aleksandër Meksin. Sikur të mos ishte ky i fundit, fotografia do të ishte krejt normale.

Sepse Fatos Nano ishte pjesë e nomenklaturës komuniste, ndërsa Sali Berisha kishte kohë që u vinte rreth familjeve të Bllokut. Dhe kështu një fotografi me Sulon nuk do të ishte fare çudi, as për njërin, as për tjetrin. Siç nuk kanë qenë çudi fotografitë e Berishës me fëmijët e Enver Hoxhës. Mirëpo, ishte Meksi që ma prishte filmin. Do të ishte tronditëse për mua, nëse do të ishte e vërtetë. “Meksi me Sulo Gradecin? Bah!” Më kërciste shumë situata. Dhe i thashë atij mikut: “Nuk besoj se kjo është një foto e vërtetë”. Dhe në fakt, pak minuta më pas, miku im më dërgon një sms tjetër, ku më thotë: “E sqarova. Personi i katërt nuk është Sulo Gradeci. Është Mentor Çoku, një nacionalist shqiptar me banim në Itali qysh prej vitit 1944. Dhe fotoja nuk është e vitit 1987, por e vitit 1991”. Nuk kishte se si të ishte ndryshe. Në fakt, fjala është për një foto që është publikuar edhe më parë, por unë për këtë u ftillova, pasi më erdhi sms-ja e dytë e mikut tim. Ata që e kanë nisur këtë lojë kanë shfrytëzuar një ngjashmëri faciale mes Mentor Çokut e Sulos së famshëm.

Më duhet t’iu them se nuk pata asnjë dyshim që me foton kishte diçka që nuk shkonte. Përsëris: Për shkak të pranisë së Aleksandër Meksit. Ky i fundit, për mua kishte qenë gjithë kohën një njeri me kredenciale të rregullta politike. Një pjesë e madhe e atyre që themeluan Partinë Demokratike e kishin ndonjë “njollë”, e cila bëhej shkak që të lindnin lloj-lloj dyshimesh. Ishte koha kur të dyshoje te tjetri ishte gjëja më e parë që të shkonte në mendje. Por për Aleksandër Meksin nuk ekzistonin dyshime. Nuk është se kishte dhënë prova antikomunizmi gjatë regjimit të Enver Hoxhës, të kuptohemi. Kush jepte prova të tilla përfundonte në qelitë e burgjeve. Dhe Meksi në burg nuk ka qenë. Përkundrazi ka ushtruar qetësisht veprimtarinë e tij kërkimore në institute të ndryshme, ka dhënë leksione në universitet, e është specializuar jashtë Shqipërisë.

E megjithatë, ai duket se ka qëndruar larg “të mëdhenjve”. Nuk është kruar me ta, por edhe nuk u është qurravitur atyre. Ka parë punën e vet. Dhe me shumë gjasë, komunizmin nuk e ka dashur. Në vitin 1990 mbështeti pa ndërdyshje lëvizjen studentore. Ishte ndër të parët që themeluan Partinë Demokratike. Dhe ishte biografia e tij, në të cilën nuk kishte shenja e prova të ndonjë simpatie ndaj komunizmit, që i bëri shumë vetë ta shihnin në ato fillime edhe si kryetar PD-je, ndonëse ai nuk kishte as prerje, as ambicie për udhëheqës. Meksi kishte qenë gjithë jetën “teknik”. Dhe mbeti i tillë. Edhe në krye të qeverisë mbeti thellësisht “teknik”, me fjalë të tjera një njeri që mësonte dhe donte të aplikonte në praktikë atë që mësonte. Funksioni i udhëheqësit kërkonte, përveç të tjerash, një talent për t’u marrë me turmat dhe një etikë të distancës me vartësit. Meksi nuk kishte as njërën, as tjetrën.

Andej nga viti 1993 i kam bërë një telefonatë. Doja ta takoja. Nuk e kisha takuar asnjëherë. Isha i sigurt që nuk më njihte. Nuk kishte pse të më njihte. E hapi vetë telefonin. Dhe sapo iu prezantova, ai zuri të komunikonte me mua si me një mik të vjetër, me një gjuhë shumë konfidenciale, pa u shqetësuar asnjë çikë se mos lëndonte etikën kryeministrore. Të jepte përshtypjen se ai nuk jetonte asnjë çast me idenë se ishte kreu i qeverisë, ose që atë punë e merrte për një punë si të gjitha punët: punë që duhej bërë. Dhe të mendosh se Meksi (nëse përjashtojmë disa kryeministra jetëshkurtër në periudhën 1990-1992) ishte kryeministri i parë që po pasonte një traditë e një stinë kryeministrash të frikshëm. Në kokën e njerëzve, kryeministri duhej të ishte si Mehmet Shehu. Ndërsa Meksi ishte e kundërta e këtij lloji. Krejt e kundërta.

Më kanë treguar se një ditë prej ditësh, po në atë kohë (fundi i vitit 1992), dy persona të njohur në qarqet kulturore të Tiranës i shkojnë në zyrë Bashkim Koplikut, atëkohë ministër i Brendshëm. Deri para tre-katër muajsh kishin qenë miq të ngushtë me Bashkimin. Kishin dhënë e kishin marrë me njëri-tjetrin. Dhe sigurisht, që marrëdhënia ishte e njëjtë. Ishte koha kur miqtë ishin miq. Dhe pikë. Ishte mbrëmje vonë. “Na nxirr ndonjë konjak”, i thanë ministrit të Brendshëm. “Nuk kam.” “Hajt, mos na çaj kokën tani. Nëse nuk ke, shko e gjej.” Kopliku, ç’është e vërteta, nuk ka qenë njeri që pinte. I bën një telefon ministrit të Mbrojtjes, Zhulalit. Dhe i shpjegon situatën. Dhe Zhulali merr një shishe nga të vetat (Zhulali e kishte qejf alkoolin) dhe e mban frymën te zyra e ministrit të Brendshëm. Fillojnë e pinë dhe bëhen pakëz çakërrqejf. Dhe u shkon mendja të marrin në telefon një tjetër mik të tyrin. Që punonte nja 200 metra më tutje, në ndërtesën që ishte përballë ish-Komitetit Qendror të Partisë së Punës. Është fjala për Kryeministrinë. Dhe miku i tyre ishte as më pak, as më shumë Kryeministri Aleksandër Meksi, dora vetë. Dhe i thonë: “Leka, jemi te zyra e ministrit të Brendshëm. Po të presim.” Në harkun e pak minutave, ky i fundit u dha te dera e ministrit të Brendshëm. Dhe zuri t’u shërbente atyre që ishin bërë çakërrqejf. Sepse vetë nuk pinte. Kurrë nuk ka pirë.

Bashkim Kopliku thotë se nuk i kujtohet një situatë e tillë. Edhe Meksi të njëjtën gjë pretendon. Nuk është çudi të mos e mbajnë mend. Por nuk është çudi gjithashtu që ta fshehin e ta mohojnë, pasi mendojnë se një “orgji” e tillë e komprometon figurën e një zyrtari të lartë. Nëse është kjo, e kanë kot këtë lloj turpi. Kjo është një ngjarje fantastike që shpjegon Shqipërinë e asaj kohe, e cila ishte e virgjër, e paprishur, autentike, me miqtë që mbeteshin miq, edhe pasi ngjiteshin nëpër poste të larta dhe me miq të tjerë që u trokisnin të parëve në derën e zyrës pa pikë skrupulli. Ok, të pish në një zyrë ministri nuk është ndonjë gjë për t’u hedhur nëpër manualet e etikës zyrtare si një sjellje për t’u ndjekur. Afërmendsh, jo. Por ju ftoj të shkoni me mendje në atë kohë, kur zyrat më të rëndësishme të shtetit e të qeverisë “u pushtuan” nga njerëz që banonin në apartamente dhomë plus kuzhinë plus aneks plus banjë e që përgjegjësitë e mëdha, karriera politike, fama etj., u kishin ardhur njëherësh, krejt papritur, në një kohë që për këta ishte më e rëndësishme të kishe një mik e të pije një teke konjak me të në një bar ku shërbehej më këmbë sesa të mbaheshe më të madh për gradat e pazakonta politike e shtetërore. Për mua, kjo që tregova është një histori e bukur. Meksi e Kopliku do të duhej ta kishin mirëpritur, edhe sikur të mos ishte e vërtetë.

Një shënim të fundit. Aleksandër Meksi, lidhjet me të cilin i kam edhe sot e kësaj dite, është një nga pak konservatorët gjenuinë të këtij qyteti. Disa njerëz bëhen konservatorë (edhe progresistë, socialistë, liberalë, apo ku di unë çfarë tjetër) prej leximeve apo kontakteve gjatë jetës, por ai ka diçka prej konservatori të lindur. Është konservator në planin politik, kulturor, ekonomik, por edhe në planin e vlerave e të qëndrimeve që ai mban ndaj kombit, familjes, fesë, gruas, ligjit, kushtetutës, shkollës etj., etj. Qoftë edhe për këtë arsye, ai do të kishte respektin tim gjithsesi, edhe pa e njohur fare personalisht. Ka vetëm një gjë, për të cilën jam kritik ndaj tij. Në krizën e madhe të vitit 1996-1997, ai mund të luante një rol më të madh për ta zbutur atë, madje edhe për ta ndalur që të zhvillohej aq sa u zhvillua. Mund ta luante këtë rol edhe duke u larguar prej postit të kryeministrit në një moment të duhur. Mirëpo, ai nuk e bëri këtë. Bëri të kundërtën.

Qëndroi deri në fund. Unë e di, kjo që Meksi bëri mund të shihet edhe ndryshe, mund të shihet si qëndrim konservator (sapo thashë që ai ishte konservator par excellence), mund të shihet si qëndrimi i duhur në mbrojtje e në respekt të institucioneve e të shtetit në tërësi, mund të shihej si një mesazh që u duhej përcjellë njerëzve të rrugës, në mënyrë që këtyre të fundit të mos u shkonte mendja se postet e përgjegjësitë publike mund të vihen në diskutim sipas tekave e humorit të tyre (ky është një debat që po bëhet edhe sot e kësaj dite), por atëmot situata ishte krejt tjetër. Nuk është se me Meksin do të binte një qeveri që situatën e kishte nën kontroll. Jo, do të binte një qeveri që s’kishte asgjë nën kontroll. Ishte koha kur u hapën edhe depot e armëve. Ishte koha kur Shqipëria u bë lesh e li një copë herë. Dhe Aleksandër Meksi – kështu doli më vonë – nuk kishte përgjegjësi në krijimin e asaj situate, sido që ishte Kryeministër i vendit./Gazeta Liberale

(Visited 151 times, 1 visits today)

Etiketa: , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *