Letërsi

Mustafa Nano, përfaqësuesi i një dukurie jo rastësore në letërsi

Shkruar nga Liberale
Mustafa Nano, përfaqësuesi i një dukurie jo rastësore

Ermir Nika

Në zhvillimet e sotme letrare, vihet re jo vetëm dhe thjesht një prirje, por një proces i pashkëputur ku spikat një protagonizëm jo i panjohur për shumë prej vendeve evropiane (i cili tashmë ka hyrë në dekadën e dytë të tij), ku gazetarë dhe publicistë të njohur, kanë kthyer vëmendjen dhe tanimë kanë një angazhim të qëndrueshëm në procesin krijues, kryesisht në atë të prozës romanore.

Nëse do të bëjmë një analizë të drejtpërdrejtë vërejmë se kjo lëvizje, ambicioze në pamje të parë, e cila nuk mund të vlerësohet thjesht dhe vetëm si trend apo si një modë e kohëve të sotme, ka në përbërje të saj emra të njohur të medias të shkruar si Ben Blushi, Blendi Fevziu, Alfred Peza, Mustafa Nano etj. Vija emërore e kësaj gjenerate gazetarësh, të cilët në fazën e parë të paraqitjes së tyre para lexuesit u shfaqën si emra dhe pena të shtypit periodik, tashmë duket se janë përqendruar seriozisht në rrjedhat letrare që përfaqësojnë epokën nëpër të cilën depërtojnë prirjet dhe kahjet e shumta krijuese.

Ky vërshim i pazakontë veprash të cilat i renditen emrave të mirënjohur të Letërsisë Shqipe, për mendimin tim, nuk përmbys asnjë raport me emrat dhe protagonistët përfaqësues të letërsisë së sotme, ndaj edhe i përmbahem mendimit se kjo prurje nuk duhet gjykuar me kompleksivitetin e të “paftuarve” në strehën letrare. Përkundrazi, ata plotësojnë fizionominë e kësaj etape e cila shënon kulme po ashtu edhe dhe gjendje rutinore, një panoramë mëse e pranueshme, si në çdo ecuri të natyrshme zhvillimore në çdo fushë të kontributit intelektual shqiptar.

Ndër të tjera, ardhja e një sërë emrash të mirënjohur nga fusha e gazetarisë në botimtarinë shqiptare, mendoj se po ndikon ndjeshëm në ndërgjegjësimin dhe kthimin e vëmendjes së publikut shqiptar drejt botës së madhe dhe të larmishme të librit dhe protagonistëve të tij.

Mendoj se askush nuk duhet të qëndrojë shpërfillës ndaj kësaj dukurie që po shfaq prani dhe hapësirë në letrat shqipe. Gjykimi kritik mbi çdo tipar që paraqet risi apo regres në artin e shkruar, duhet të jetë vlerësues apo në raste tw caktuara edhe demaskues në lidhje me prurjet ende të pandalshme që karakterizojnë dëshirën për të krijuar një kënd autentik në arsenalin letrar.

Deri përpara se të njihesha me romanin “Një javë në Manastir” (nëntor 1908),  të autorit Mustafa Nano, nuk e kisha menduar se do të më nxiste ndonjë motiv për të shkruar qoftë edhe pak rradhë mbi këtë dukuri, jo vetëm shqiptare. Kjo gjë më ndodhi kur u përfshiva në shtjellat arstistike të subjektit dhe kapitujve të këtij romani. Pa kurrëfarë hezitimi mund të pohoj se ky roman është vepra më e arrirë e autorit, e cila shënon edhe një pikë kulmore në krejt krijimtarinë e tij letrare, por në të njëjtën kohë, shënon edhe një etapë të re, në krejt gjeografinë shkrimore të shkrimtarëve që vijnë në letërsi prej gazetarisë.

Letërsia Shqipe nuk i ka të pakta rastet kur autorë të rëndësishëm të saj, kanë një të kaluar të pazgjidhshme me përvojën publicistike. Këtu mund të përmendim; Faik Konicën, Dritëro Agollin, Teodor Kekon, Kiço Blushin e plot emra dinjitozë në traditën krijuese shqipe. Romani në fjalë i Mustafa Nanos, na bën të kuptojmë se tashmë një përvojë e tillë, përbën vërtet një shkollë të konsoliduar në procesin evolutiv letrar, duke i dhënë një pamje ku zenë vend gjurmët nëpër të cilat ka kaluar dhe është formësuar ndërgjegja shoqërore e bashkëkombasve tanë. Në të njëjtën kohë, kjo vepër paraqet një rapor tjetër të Nanos me të kaluarën historike, e cila ndërthurret dhe shkrihet nw fiction, më tej ndihet një raport tjetër me gjuhën si edhe me vetveten. Në romanin “Një javë në Manastir” (nëntor 1908), Mustafa Nano, shfaqet me një pikëmamje dhe përmasë tjetër, jo vetëm si kërkues i motivit dhe zbërthimit të subjektit, por edhe si një gjurmues i gjuhës dhe ndërtues i peisazhit të një periudhe të pajetuar në dukje; porse në një nivel tjetër leximi, çdokush prej nesh e ndien veten brenda saj.

Në këtë udhëkalim, cilido do të mund të përfshihet nga dilema se në çfarë hemisfere apo skaji të fshehur fshihet destini i fatit të gjithësecilit prej nesh, cilës kohë apo epoke i përkasim. Fjalët që do të mund të mbushin këtë boshllëk janë më të vështirat nga të gjitha përgjigjet. Në fund të fundit, çdo lexues mund ta identifikojë vetveten, të parët apo figurat mbizotëruese të asaj periudhe, brenda profileve të pangjashëm dhe fateve të personazheve që përsillen në të djeshmën dhe të sotmen e ditëve, javëve dhe viteve që shkojnë e vijnë përzishëm në qytetin e Manastirit. /Gazeta Liberale

 

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH