Aktualitet

Murati: Kasem Hysenbelliu, drejtori ideal për një media të madhe

Shkruar nga Liberale
Murati: Kasem Hysenbelliu, drejtori ideal për një media të madhe

Kryeredaktori i “Gazetës Shqiptare”, Erl Murati, e kujtoi Presidentin e “Fax News”, Kasem Hysenbelliu, që humbi tragjikisht betejën me koronavirusin, si drejtorin ideal për një media të madhe, që i mbronte gazetarët dehr adaktorët.

Në një lidhje me “Skype” në News24, Murati tha se Kasemi kishte pikë të fortv komunikimin dhe humanitetin, elementë që e bënin të kishte sukses në iniciativat e tij.

“Kur merr vesh në mënyrë të papritur për humbjen e njerëzve me të cilët ke punuar, për një moment mpihesh dhe reflekton dy herë për kohën e vështirë, në të cilën jetojmë. E dija që Kasemi, apo drejtori, ashtu siç i thërrisja kur punoja me të, ishte prekur nga koronavirusi, por uroja që të bëhej mirë sa më shpejt dhe lajmi më erdhi i papritur. Me Kasemin kemi punuar mbi 5 vite. Kasemi ka qenë drejtori ideal për një media të madhe, sepse ka qenë njeriu që bënte amortizatorin dhe lubrifikanti mes punëdhënësit dhe punëmarrësit. Ka qenë njeri i komunikueshëm dhe kjo është “A-ja” apo themeli për një njeri që pretendon të drejtojë. Komunikimi ishte pika e tij e fortë. Ai ishte i suksesshëm dhe suksesi i tij bazohej mbi humanitetin e tij. Media është shumë e vështirë që të kesh sukses, pasi ka shumë rëndësi bashkëpunimi dhe në këtë aspekt Kasemi e bënte me shumë kompetencë, që e kishte virtyt.

Kujtoj me kënaqësi maksimale momente tensioni me të, për një linjë editoriale, për paanësinë e gazetës, për lajmet që publikonim. Vërtet Kasemi ka qenë nga ata drejtorët që i mbronte gazetarët dhe redaktorët. Ka nga ata që të shesin te politikani apo biznesmeni i parë, që i bie telefonit dhe të ankohet për produktin, por Kasemi ishte ai që të thoshte fike telefonin se merrem unë me gjithçka tjetër. Në gazetë preknim piramida të pushtetit dhe Kasemi bëhej mburojë për median e tij, gazetarët dhe redaktorët e tij. Kjo ka pasur kosto për të, por për ne ishte mjaft komode. Ai ishte njeri ambicioz dhe ne bënim bilance të përditshme të tirazhit të gazetës. Ishte një tension i vazhdueshëm pozitiv, që na ndihmonte të gjithëve. Ishte njeri dinamik, nuk ishte burokrat zyrash”, u shpreh Erl Murati.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH