Kryesore

Mungon protesta e fjalës dhe e retorikës

               Publikuar në : 09:55 - 14/05/19 Ervis Iljazaj

Ervis Iljazaj

Opozita shqiptare, me sa duket ka zgjedhur të vazhdojë betejën për kauzën e saj nëpërmjet protestave dhe aksioneve, duke treguar forcën e popullit të saj në përballje me këtë qeveri. Përballje të cilën e ka bazuar te forca. Por, të gjitha shenjat janë se për të arritur qëllimin forca nuk mjafton.

Kjo mënyrë është zgjedhur edhe për faktin se, për opozitën është një qeveri që tashmë është kthyer në një regjim, i cili mund të rrëzohet vetëm me protestat popullore. Mirëpo, që protestat të krijojnë efektin e saj, nuk mjafton dalja në bulevardin “Dëshmorët e kombit” e një numri qoftë edhe të madh protestuesish.

Deri më tani, opozita shqiptare ia ka dalë të mbajë frymën e protestës ndezur, edhe në kushte të një maratone të gjatë që kërkon durim dhe besim. Kush mendonte se kjo do të ishte një betejë e shkurtër ishte totalisht në iluzion. Strategjitë politike për natyrën e tyre dhe për të pasur sukses janë të gjata. Edhe në këtë rast, beteja e opozitës ishte e qartë se do të ishte një betejë e gjatë dhe që kërkonte një sërë elementesh për të shkuar deri në fund.

Ajo që i ka munguar opozitës shqiptare deri më tani për të kompletuar dhe për ta bërë më efikase betejën e saj, është pa dyshim fjala. Ose e thënë ndryshe, veshja e protestave dhe marshimeve me ngjyrat përkatëse të retorikës, që është element i domosdoshëm për të fituar terren në opinionin e gjerë publik.

Prandaj, për të qartësuar qëllimet, për të bindur shqiptarët se kjo është një kauzë e drejtë dhe që duhet të triumfojë, opozita shqiptare duhet me patjetër që fjalimeve politike dhe komunikimit me opinion publik duhet t’i kushtojë më shumë vëmendje.

Sigurisht, që fjalimet e liderëve të opozitës nuk kanë munguar deri më tani. Por duket sikur ato janë fjalime tërësisht të orientuara për të karikuar pjesën e aksionit opozitar dhe atyre njerëzve që mbajnë gjallë tubime të tilla politike. Si të thuash, janë fjalime për të ruajtur besimin e pjesës më të “nevrikosur” të popullit opozitar.

Megjithatë, edhe pse kjo pjesë e fjalimeve është e rëndësishme, nuk ka forcën e duhur për të depërtuar në një masë të madhe të shoqërisë, e cila ka nevojë për një lloj komunikimi totalisht të ndryshëm.

Është e qartë, se përtej protestave, opozita shqiptare do të dalë fituese nga kjo betejë vetëm nëse arrin të krijojë një lidhje midis kauzave të saj dhe opinionit përtej anëtarëve të partisë. Dhe kjo kërkon një strategji tërësisht të ndryshme. Kërkon që protestat të shoqërohen me fjalime, të cilat të përcjellin mesazhet e duhura. Kërkon një retorikë, e cila të jetë si një bashkëbisedim në distancë midis opozitës dhe opinionit të gjerë publik, duke ngjallur shpresat tek ata, se kjo është vërtet një betejë që ia vlen të zhvillohet, sepse është pikërisht në interes të tyre.

Për të arritur këtë, opozita shqiptare ka nevojë të mbushë protestat e saj me fjalime që kanë brenda tyre mesazhin e duhur politik. Ka nevojë për një gjuhë racionale që prek në thelb problemet e sistemit politik shqiptar, por edhe hallet e përditshme të qytetarëve.

Nëse arrin të zhvillojë një komunikim me masën e madhe të qytetarëve, atëherë kjo është një rrugë e sigurt drejt një beteje, që në thelb të saj është e drejtë.

Për këtë arsye, opozita duhet të bëjë pjesë të protestës së saj njerëz publikë, që vijnë nga profesione të ndryshme, të cilët nuk janë militantë të saj, por që janë të aftë të përcjellin mesazhet e duhura tek opinioni publik. Këta mund të jenë pedagogë, artistë, publicistë, apo çfarëdo personalitetesh publike që i japin kësaj proteste një dimension më të gjerë social. Madje, në çdo protestë, njerëz të tillë duhet të kenë në tribunën e tyre. Edhe për faktin se politika nuk është gjë tjetër veçse retorikë dhe arti i fjalës. Shumica e studiuesve të politologjisë e konsiderojnë retorikën dhe fjalën si një teknologji pushteti. E rëndësishme është që kjo teknologji të përdoret për një kauzë të drejtë./ Gazeta Liberale

Etiketa:

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *