Aktualitet

Mungesë ushqimesh në Çad, shpallet gjendja e emergjencës

Shkruar nga Liberale
Mungesë ushqimesh në Çad, shpallet gjendja e emergjencës

Çadi, në Afrikën Qendrore, ka shpallur gjenden e emergjencës ushqimore për shkak të mungesës së furnizimeve me drithëra për shkak të luftës në Ukrainë. Gjendja është përkeqësuar jashtëzakonisht gjatë muajve të fundit dhe vendi ka urgjentisht nevojë  për ndihma humanitare ndërkombëtare, tha kreu i qeverisë ushtarake, Mahamat Idriss Déby Itno, në kryeqytetin e vendit N'Xhamena.

Më shumë se pesë milionë vetë rrezikohen nga uria

Organizata e Kombeve të Bashkuara vlerëson se këtë vit në Çad do të kenë nevojë për ndihmë ushqimore 5.5 milionë vetë - një e treta e popullsisë. Deri tani për mbështetjen me gjërat më të domosdoshme për banorët e Çadit janë në dispozicion më pak se 16 përqind e 510 milionë dollarëve amerikanë që nevojiten.

Çadi është ndër vendet afrikane që janë shumë të varur nga importet e drithërave nga Rusia dhe Ukraina. Sipas OKB-së 54 vendet e Afrikës e importojnë pothuajse gjysmën e grurit të tyre nga këto dy vende. Rusia është gjithashtu një nga furnizuesit e rëndësishëm të plehrave kimike për shumë vende afrikane.

OKB: Nga lufta në Ukrainë mund të preken 1.4 miliardë vetë

Lufta në Ukrainë mund të ketë sipas OKB-së pasoja tepër të rënda në të gjithë botën. Nëse eksportet e grurit nga Ukraina dhe të plehrave kimike nga Rusia do të vazhdojnë të mbeten të bllokuara, nga mungesa e ushqimeve mund të preken rreth 1.4 miliardë vetë, tha Amin Awad, koordinatori i OKB-së për krizën në Ukrainë.

Sipas Amin Awad-it, është absolutisht e nevojshme që rrugët tregtare përmes Detit të Zi të mos mbahen më të bllokuara. "Nëse hapja e porteve dështon, kjo do të rezultojë në uri, destabilizimin dhe migrimin masiv në mbarë botën," paralajmëroi Awad-i nga Kievi./DW/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH