Aktualitet

Muaji i Ramazanit, liderët politikë urojnë besimtarët myslimanë

Shkruar nga Liberale
Muaji i Ramazanit, liderët politikë urojnë besimtarët

Besimtarët myslimanë nisën sot muajin e Ramazanit, i cili për të dytin vit radhazi shënohet në kushtet e pandemisë. Liderët politikë në vend kanë përcjellë mesazhe urimi për besimtarët, që sot edhe për 30 ditë të tjera do të agjërojnë në shenjë të sakrificës dhe përulje ndaj Zotit.

Kreut i shtetit uron për të qenë më pranë të sëmurëve, të moshuarve dhe çdo shqiptari në nevojë, “për të rizgjuar shpresën për ditët më të mira, që po afrojnë dhe që patjetër do të vijnë për Shqipërinë!”.

“I bashkohem urimit për agjërim të lehtë e të pranuar dhe lutjeve të çdo besimtari, që Zoti t’i falë mëshirën e Tij, t’ia shpërblejë sakrificën e shumëfishtë dhe të lehtësojë dhembjen e çdokujt, veçanërisht në këtë periudhë sprovash të mëdha, me të cilat përballen të gjithë shqiptarët.

Me lutjet dhe përkushtimet tona, me shpirt dhe zemër, duke u shërbyer me përulësi, të jemi më pranë të sëmurëve, të pamundurve, të moshuarve dhe çdo shqiptari në nevojë për të rizgjuar shpresën për ditët më të mira, që po afrojnë dhe që patjetër do të vijnë për Shqipërinë!”, shkruan Meta.

Kryeministri Edi Rama iu uron agjërim të lehtë të gjithë besimtarëve myslimanë.

“Agjërim të lehtë për të gjithë besimtarët myslimanë në muajin e bekuar të Ramazanit”, shkruan Rama.

Ndërsa kreu demokrat Lulzim Basha një ditë më parë uroi besimtarët, duke përcjellë mesazhin e një jete më të mirë për çdo familje shqiptare.

“Të dashur miq të besimit islam që nesër nisni agjërimin e muajit të shenjtë të Ramazanit, nga zemra ju uroj agjërim të lehtë dhe të pranuar! Le të shërbejë ky muaj për të na udhëhequr në rrugën e drejtë dhe përmes sakrificës e lutjeve tona drejtuar Zotit, të ndërtojmë një jetë më të mirë për popullin tonë, me më shumë mundësi dhe gëzim për çdo familje shqiptare. Agjërim të lehtë e të pranuar, dritë, shpresë dhe begati sjelltë ky muaj për ju, familjet tuaja dhe gjithë shqiptarët kudo që janë”, shkruan Basha.

Urimit i është bashkuar edhe ambasadorja amerikane në vendin tonë, Yuri Kim, e cila përcolli mesazhin e shpresës për dhembshuri dhe mirësi në të gjithë botën.

“Ne i shprehim urimet më të mira komunitetit Mysliman në Shqipëri për një Ramazan të bekuar dhe paqësor. Ndërsa fillon ky muaj i shenjtë, ne shpresojmë për përtëritje shpirtërore, dhembshuri dhe mirësi këtu dhe në të gjithë botën”, shkruan Kim.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH