Kryesore

Monika Stafa: 5 sugjerime leximi

               Publikuar në : 11:02 - 02/09/19 LP

Monika Stafa ka vetëm pak kohë që ka hedhur në treg librin e saj më të ri “Hebrenjtë në Shqipëri”. Me parathënie nga Ismail Kadare, ky libër na sjell një histori të raportit historik të shqiptarëve me hebrenjtë, parë me optikën e një studimi bashkëkohor. Autore e “Vitrina e librit” në Top Channel, Stafa vjen për Leteraturën me disa sugjerime leximi.

Amygdala Mandala, Loer Lume

Fitues i çmimit Kadare i vitit 2019, Loer Kume është një autor përfaqësues i një brezi të ri që eksperimentojnë me letërsinë. Tregimet e tij, botuar në këtë libër, janë një ftesë leximi për një njohje me këtë gjeneratë të re krijuesish. Preç Zogaj shkruan për këtë autor se, “Tregimet e këtij libri, sikurse është një tendencë e viteve të fundit në prozën tone, nuk kanë koordinata të qarta në hapësirë dhe në kohë; ato ruajnë një distance që nuk di si t’ia vë emrin me realizimin. Dhe kjo mund të vihet re deri te një lloj sfumimi i personazheve të gjalla dhe nxjerrjes në pah të personazheve-ide apo që ilustrojnë ide të caktuara. Loer Kume e mbush bollëkun që krijon objektivisht kjo lloj proze e predikateve me kulturën që zotëron dhe me stilin e të shkruarit. Njëherë e një kohë shkrimtarët niseshin si të tillë dhe shkonin drejt përsosjes së stilit”.

Njëqind vjet vetmi, Gabriel Garcia Marquez

Libri vjen i shqipëruar nga Mira Meksi,. Historia e librit më të famshëm të Gabriel Garcia Marquez-it fillon në mars të 1952 gjatë një udhëtimi me nënën në Aracataca, fshati i tij i lindjes. Ndoshta pikërisht në ato ditë Macondo filloi të marrë jetë në mendjen e shkrimtarit. Hija e gjyshit, figura më e rëndësishme e jetës së Marquez-it, e ndihmoi të mbyllej me fantazmat e shtëpisë ku kishte jetuar në fëmijëri, për të krijuar botën e tij magjike. Në kryeveprën “Njëqind vjet vetmi”, fillimisht menduar me titullin “Shtëpia”, përshkruhet ngritja dhe rënia e familjes Buendia dhe e fshatit Macondo, themeluar prej saj në zemrën e Kolumbisë. Gjashtë breza, jetët e të cilëve gërshetohen në një dimension alternativ, në një vend jashtë botës.

Nga kryeplaku i familjes dhe themeluesi i Macondo-s, Josè Arcadio Buendia deri tek fëmija i fundit me të cilin mbyllet romani kalon një shekull, një shekull plot magji dhe misticizëm. Duke u martuar Josè Arcadio me kushërirën e tij Ursula, të gjashta brezat jetojnë të mbytur nga supersticioni dhe nga frika e fëmijëve me bisht derrkuci. Të pakta janë çastet e lumtura në jetën e Mocando-s, shpesh herë i trazuar nga lufta civile, lulëzimi ekonomik, shfrytëzimi, katastrofat natyrore dhe shkatërrimet nga dora e njeriut. Jeta që zhvillohet në faqet e romanit nuk është vetëm ajo e fshatit por e gjithë Amerikës Latine. Personazhet e historisë janë të shumtë: nipër, fëmijë, vëllezër, me hidhërimet e tyre, ndryshimet e gjeneratave, fantazitë e papërmbushura, vitalitetin e burrave dhe mençurinë e grave të Macondos. Derisa arrijmë në fund, ku tërë fshati shkatërrohet nga një ciklon tropika

Histori arratie e qëndrese, Elena Ferrante

“Histori arratie e qëndrese” është vëllimi i tretë i sagës napolitane, pas romaneve “Mikesha gjeniale” dhe “Mbiemri i ri”. Elena vazhdon të rrëfejë historinë e jetës së saj e, në mënyrë të tërthortë, edhe atë të Linës. Ato janë tashmë gra: Lila është martuar, ka lindur një fëmijë dhe është ndarë nga bashkëshorti i saj abuzues. Elena është larguar nga lagjja e fëmijërisë, është diplomuar dhe ka botuar një roman të suksesshëm, ngjarje që i kanë hapur dyert e salloneve intelektuale e mondane. Të dyja gratë janë përplasur me muret e burgut që do t’i kishte mbajtur të ndrydhura në një jetë varfërie, injorance dhe nënshtrimi. Më në fund, atyre po u ofrohen mundësitë e mëdha, toka e premtuar e emancipimit femëror. E megjithatë, fantazmat e së shkuarës nuk janë larguar, hendeqet nuk janë mbushur dhe ndryshimet i kanë rrënjët ende të njoma. “Histori arratie e qëndrese” rrëfen mbi të gjitha për rrënjët dhe të kaluarën, për historinë personale që gëlon thellë brenda nesh dhe na dikton, me hir e me pahir, gjestet e vogla e deri zgjedhjet e mëdha, ato që na përkufizojnë ose na kufizojnë në diçka, në dikë, shumë herë më të vogël, të pisët e të varfër se ç’mendon se duhet të ishim, se ç’jemi të bindur se jemi. E megjithatë, arratia qëndron gjithmonë në imagjinatën kolektive si një nga zgjidhjet, ndoshta më e mira, e një sërë të këqijave të pakurueshme, si varfëria, injoranca dhe dhuna të nakatosura thellë në shoqëri. Askush nuk arrin të arratiset vërtet, por të gjithë mundohemi, qoftë edhe një herë të vetme të arratisemi nga lagjja, nga qyteti, nga vendi apo thjesht vetja jonë.

Kapitalizmi dhe Liria, Milton Friedman

Liberalizmi, shteti i vogël dhe ekonomia private, koncesionet dhe oligarkët janë tema që në Shqipëri janë rrekur të debatohen përgjatë dekadave që pasuan rënien e komunizmit këtu në Shqipëri. Parti të vetëshpallura të djathta janë shitur sikur kanë zbatuar “politika liberale” po aq sa edhe parti të vetëshpallura të majta kanë kryer privatizime të pronës publike, kanë krijuar monopole faktike dhe kanë dhunuar individin duke i prezantuar të gjitha këto si “politika liberale”. Me pak fjalë, në Shqipëri jemi përballur me liberalizmin pa mësuar se çfarë është liberalizmi.

Po çfarë është Liberalizmi? Libri që keni në dorë jep një shpjegim konçiz të destinuar për publik të gjerë dhe që ndihmon për të dalluar idetë dhe shqetësimet e vërteta liberale nga reklamat e gënjeshtërta. Ky është libri që i hapi rrugën ringritjes së liberalizmit në ekonominë e shumë vendeve. Për ne shqiptarët është veçanërisht i rëndësishëm për t’u lexuar për arsye se vetëm pasi ta lexojmë Fridman, do të mund të kuptojmë se çfarë është ajo që politikanë të ndryshëm apo opinionistë apo biznesmenë, janë përpjekur të na e shesin si ‘Liberalizëm’ përgjatë dekadës së fundit. Në fund, leximi i ideve të Milton Friedman është i domosdoshëm për të dalluar idelogjinë nga zgjidhjet praktike. Shqipëria është një vend që ka vuajtur shumë nga ideologjia, nga një set parimesh thuajse fetare që imagjinohen si të vërteta të padiskutueshme. Liberalizmi është ekzaktësisht e kundërta e kësaj. Zgjidhjet janë në varësi të rrethanave pavarësisht se çfarë mund të jetë parimisht e mirë në rrethana hipotetike të cilat nuk ekzistojnë. Në fund, liberalisti është modest në njohuritë e veta. Në librin që ju keni në dorë do të lexoni shpesh: “në dijeninë time”, “për aq sa unë di”.

Mikesha, Simone De Beauvoir

Libri paraqet një personazh kryesor të mbytur nga pikëpyetjet ekzistencialiste, që përpiqet të zbulojë kush është dhe ç’vend zë në këtë botë. Beauvoir-i shkruan në mënyrë fort shprehëse mbi natyrën njerëzore duke vënë gishtin në plagë falë përkujtimit të ndjenjave dhe mendimeve që mundohemi gjithmonë t’i varrosim thellë brenda vetes./Gazeta Liberale

(Visited 645 times, 1 visits today)

Etiketa: , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *