Editorial

Momenti përcaktues i fatit të Donald Trump

Shkruar nga Liberale
Momenti përcaktues i fatit të Donald Trump

Francesco Boezi

Panorama në politikën amerikane duket në pamje të parë e ngurtë, por në realitet ajo po lëviz shumë. Faza aktuale është një fazë vendimtare, për të kuptuar nëse Donald Trump mund të pretendojë apo jo kandidaturën për presidencën e Shteteve të Bashkuara në zgjedhjet e vitit 2024.

Zgjedhjet e mesit të mandatit po afrohen. Sistemi amerikan, garanton një rotacion të vazhdueshëm dhe përballje të shumta elektorale për të matur raportin e forcave. Në sipërfaqe, duket sikur ka kaluar vetëm një ditë nga fitorja e Joe Biden.

Por manjati i njohur e ka nisur tashmë fushatën e tij elektorale. Para zgjedhjeve të mesit të mandatit, partitë kryesore në SHBA mbajnë zgjedhjet paraprake brenda tyre. Dhe Trump ka kandidatët e tij në këtë garë.

Ata që shumë shpesh do të kundërshtohen nga eksponentë që do të donin normalizimin e Partisë Republikane, pra bërjen e një hapi pas, në drejtimin e kundërt me atë që ndërmori GOP (Great Old Party) me zbritjen në fushë të ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara.

Për këtë arsye, ky është një moment shumë më delikat sesa mund të imagjinohet. Për shembull gara e Ohajos është shumë simbolike. Max Miller është një Trumpian i vërtetë, do të thoshte një populist, ndërsa Anthony Gonzalez është një republikan që votoi në favor të fajësimit (impeachment) të ish-presidentit.

Nëse do të fitojë ky i fundit, për ish-Komandantin e Përgjithshëm kjo do të ishte shenja e

parë e krizës. Edhe sepse Ohajo është një nga ato shtete që e rikonfirmuan besimin ndaj Trump në zgjedhjet presidenciale të nëntorit të vitit kaluar. Për këtë arsye, aktivizmi i

Trump është më se i shpjegueshëm.

Udhëheqësi populist duket se nuk dëshiron që të humbasë skeptrin e ‘primus inter pares’ (i pari mes të barabartëve), përndryshe duhej të kishte dalë në pension në jetën private, pa bërë shumë bujë. Përfytyrimi se si mund të duket Partia Republikane në zgjedhjet e viti 2024, është sot diçka shumë e vështirë.

Situata është pak e shumë e ngjashme me atë që ekzistonte gjatë presidencës:Trumpistët janë në shumicë, por krahu i moderuar i partisë, ai i përfaqësuar nga Mitt Romney, do të donte një kundërrevolucion

“Telashet” e Donald Trump

Kjo nuk është një periudhë e lehtë për Donald Trump. Facebook ka konfirmuar bllokimin

e profilit të tij në median sociale deri në vitin 2023. Ne e dimë shumë mirë, se sa dhe si ndikon në opinionin publik aktiviteti në platformat e reja.

Por kjo është një çështje dytësore krahasuar me atë që mund të ndodhë në aspektin gjyqësor.

Siç është raportuar nga mediat, Organizata Trump do të përballet me akuzat për mashtrime dhe krime të tjera fiskale. Ish-presidenti Trump ka reaguar ashpër, duke folur për një “komplot” të së majtës ekstreme ndaj tij.

Ai pretendon se ka pasur një plan të posaçëm që synon të shkatërrojë peshën e tij politike, edhe përmes hetimeve të natyrës fiskale. Gjatë muajve të ardhshëm, do ta mësojmë nëse ish-banori i Shtëpisë së Bardhë mund ta quajë veten një lojtar kryesor në skenën politike amerikane.

Tek e fundit, është shumë i afërt rreziku i një krize të besueshmërisë. Edhe pse sido që të shkojnë gjërat, duhet theksuar uniteti i elektoratit republikan, që duket se i ka qëndruar besnik ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara.

Hetimet, beteja e brendshme brenda Partisë Republikane, dhe ndryshimet e mundshme gjatë proceseve zgjedhore:këta janë tre faktorët e rrezikut, që mund të zvogëlojnë një herë e përgjithmonë fenomenin Trumpian.

Ja si Biden dëshiron që të zhdukë Trump nga skena politike

Ndërkohë presidenti aktual Joe Biden po vazhdon punën e tij të “fshirjes” së paraardhësit të tij nga skena politike. Që me masat e para që ndërmori, Biden i kishte bërë shumë të qarta synimet e tij:të anulonte, përveç ndërhyrjeve legjislative, edhe ndikimin administrativ të Trumpistëve në nivel lokal.

Pas hapjes bioetike mbi abortin dhe ndryshimin e gjinisë, dhe pas ndryshimeve në lidhje me politikat e migracionit, tani është radha e urdhrave federalë, që janë pezulluar. Në SHBA shumëkush mendon se nëse demokratët do të kishin mundësi, ata do të zgjidhnin një lloj “damnatio memoriae”, dënim me zhdukjen e Trump nga kujtesa kolektive.

Gjë që në fakt po ndodh në terma metaforikë. Tani nuk është koha për të bërë parashikime për Shtëpinë e Bardhë. Ka shumë të ngjarë që as Biden dhe as Trump të mos garojnë pas 3 vitesh. Megjithatë sot për sot, janë ata që e dominojnë ende skenën politike amerikane.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH