Kryesore

Mjeshtri i “kullës” së humorit shqiptar

               Publikuar në : 09:52 - 29/06/20 liberale

Dhjetëra skeçe, drama, komedi mbajnë emrin e Pëllumb Kullës. Për ithtarët e kësaj fushe këto vepra janë shumë të njohura, e të tjerë kanë ende të freskëta batutat e pavdekshme që rikujtohen për vite me radhë. Ka mbetur në kujtesën e spektatorëve të tetarit dhe televizionit komedia “Sa shumë gjethe të thata atë vjeshtë”, Filmi “Tela për violinë” shkruar nga Kulla dhe udhëhequr drejt telekomedisë nga Bujar Kapexhiu… Kush mund ta harrojë kuplet-skeçin “Po martojmë Malon”, monologun “A doni më për Belulin”, minikomeditë si “Telefoni i ri në shtëpi”, e shumë e shumë të tjera që janë shfaqur në teatrot dhe ekranet shqiptare.

E dinë nga Fieri, por Pëllumb Kulla ka lindur në Zëmblak të Korçës në 10 Janar 1940. Pas një kalvari “riedukimi”, viktimë e luftës së klasave, viti 1972 shenjon kthesën fatlume të jetës së tij. Emrohet në Fier si aktor e më pas regjisor i Estradës dhe Teatrit të këtij qyteti, ku jetoi për 18 vite, duke ia dalë të skalisë  në kujtësën e artdashësve shqiptarë humorin e tij. Vetë Kulla e quan Fierin vendlindjen e tij artistike.

Nën drejtimin e Kullës, Estrada e Fierit arriti “kullën” e suksesit. Ështe me e mira ne vend, duke fituar çmimet më të larta në festivalet kombëtare. Kulla firmos libretin dhe regjinë në pesëmbëdhjetë spektakle, ndër të cilët “Çobo Rrapushi me shokë” (1980) bëhet një sukses kombëtar afatgjatë. Gjatë kësaj kohe shkruan më se 300 skeçe dhe komedi një aktëshe, 40 kuplete dhe 23 monologje, shumica e të cilëve shfaqen në TV. Një pjesë e kësaj krijimtarie voluminoze botohet nga Shtëpia Botuese “Naim Frashëri” nën titujt “Lipe Shtogu në listë” (1979), “Shoku Niqifor” (1981), “Portrete pa makiazh” (1983), “Po martojmë Malon” (1984), “Këshilla për fëmijët e moshave nga 5 deri 55 vjeç” (1988), si edhe në buletinin “Teatër”. Më të plotë letërsinë e tij për skenën e gjejmë në pesë vëllime, në një kolanë botimesh të kujdesur në detaje, me titullin  “Teatri kjo lojë magjepsëse”.

Nga 1977 deri më 1990 është bashkëpunëtor i përhershëm i TVSH për spektaklin e Vitit të Ri. Më 1987 i jepet Çmimi “Naim Frashëri” i Klasit të Dytë. Paralelisht me punën në Estradë, realizon dhjetë produksione dramatike, të gjitha drama ose komedi të shkruara prej tij, nga të cilat shquhen “Shoku Niqifor”, “Dy krismat në Paris”, “E bukur shtëpi e vjetër”, “Sa shumë gjethe të thata atë vjeshtë”, vënë në skenë nga Spiro Duni në Teatrin “Skampa” të Elbasanit, që fitoi çmimin e parë në Festivalin Kombëtar të vitit 1989.

Në vitet ’80, humori i Kullës bëhet i kërkuar edhe në kinema. Me skenar të tij xhirohen kinokomeditë “Telat për violinë” dhe “Stolat në park”, pa ndërprerë angazhimin si autor dhe regjisor i skenarëve me metrazh të mesëm televiziv, në televizionin e vetëm shtetëror. Më 1990 largohet nga Fieri, për të nisur punën si pedagog, e më pas Dekan i Fakultetit të Artit Skenik, në Tiranë. Karriera e tij pedagogjike nuk zgjat shumë, për të marrë një shteg të ri; më 1992 emërohet Sekretar për Kulturën dhe Shtypin në Ambasadën e Shqipërisë në Bonn, Gjermani dhe një vit më pas Ambasador në Misionin Shqiptar pranë OKB, në Nju Jork (1993-1997). Pas përfundimit të shërbimit diplomatik, doli në pension dhe u vendos me familjen në SHBA, për të nisur një tjetër kontibut të rëndësishëm; gjatë qëndrimit në SHBA prodhimtaria e tij u pa e begatë. Botoi një seri librash që u pritën me interes. E nisi fillin me essenë e gjatë, me një studim të gjithanshëm të humorit nën diktaturë, “Si qeshnim nën diktaturë” dhe vijoi me romanet “Rrëfenja nga Amerika”, “Lejlekët nuk vijnë më” dhe “Vdekja e Enver Hoxhës”. Ndërkohë Shtëpia Botuese TOENA e përfshiu autorin në kolanën e Tregimeve të Zgjedhura të Autorëve Shqiptarë me vëllimin me tregime “Pushtimi i Amerikës” (2005) teksa Shtëpia tjetër Botuese GEER  përmblodhi novelat dhe tregimet e tij nën titullin “Rrëmbimi i nuses në Nju Jork” (2012).. Vazhdon të shkruajë komedi si “Kërcuri” (2003), “Milioneri” që u cilësua vepra më e mirë në Festivalin e Dramës Shqipe në Gjilan të Kosovës (2011), “Dikush duhet të vdesë” (2011) dhe “Shshsht! Ule zërin” (2013).

Pëllumb Kulla është një figurë e dashur për UET dhe UET Press. Kjo ndërlidhje mes tyre fillon në vitin 2013, kur Kulla u bë për herë të pare, pjesë e botimeve UET Press me veprën voluminoze, nën titullin emblematik “Luftë pa Fund”, ku gjenden tërë shprehuritë politike të autorit në periudhën e tranzicionit të zgjatur të Shqipërisë. Menjëherë pas “Luftës pa Fund”, Kulla ofron material për albumin e bukur me ambasadorët tanë, që vinin në skenën e diplomacisë botërore nga radhët e shkrimtarëve.

Autori do të vijë sërish në një nga botimet e UET Press, tashmë me një parathënie për librin e Perlat Çaushit, “Kush e vrau Mehmet Shehun”, i cilli u promovua në shkurt të këtij viti.

UET ishte edhe iniciatori aktivitetit të madh, që u zhvillua për 80 vjetorin e autorit, në janar të 2020. Nën skenarin e Petrit Rukës dhe drejtimin e Leonard Bombajt, artistë, bashkëpunëtorë dhe studentët të UET interpretuan krijimet e Kullës në ambientet e Art Turbina.

Mbajtës i titullit “Mjeshtër i Madh”, Pëllumb Kulla vijon të përcjellë me filtrin e satirës dhe publicistikës së tij, realititetin politik e social të shoqërisë shqiptare, ku “Diktatura e Parasë ” , është libri më i fundit, botim i UET Press, i sapodalë në qarkullim për lexuesit. /Gazeta Liberale

Tags: ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back