Aktualitet

Mjekët dhe infermierët protestë të heshtur tek Urgjenca e QSUT

               Publikuar në : 11:12 - 24/09/20 liberale

Mjekët dhe infermierët kanë mbajtur sot një protestë të heshtur një orëshe tek Urgjenca e QSUT-së.  Ashtu siç kanë paralajmëruar bluzat e bardha kanë braktisur punën dhe kanë qëndruar në ambientet e jashtme të Urgjencës në QSUT në shenjë proteste për realizimin e kërkesave të tyre.

Dr. Ibrahim Ruka kirurg në QSUT tha për mediat që sindikata u mashtrua pasi as kryeministri Edi Rama as ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu nuk kanë pranuar takimin me përfaqësinë e mjekëve.

Ai tha se sot protesta do të jetë për një orë, ndërsa më tej do të merret një vendim nga këshilli koordinativ.

“Sot sapo morëm lajmin që dhe kryeministri dhe ministrja nuk kanë pranuar të takohen me përfaqësinë e sindikatës por kanë lënë këshilltarët në dispozicion të tyre. Ky është një mashtrim i madh që i kanë bërë sindikatës dje.

Besoj që do mblidhet këshilli koordinativ dhe do vendosë për më tutje. Sot është një orëshe protesta më pas do merret vendim nga këshilli”, deklaroi kirurgu Ruka.

Kujtojmë se mjekët kanë bërë thirrje për protestë, ndërkohë që policia e refuzoi kërkesën e tyre për shkak të ndalimit të grumbullimeve prej pandemisë. Ata kanë paraqitur katër kërkesa, një prej të cilave, ajo e rritjes së konsiderueshme të pagës ka marrë prej ditësh premtimin e Kryeministrit Rama, i cili ka deklaruar se do të ketë 40% rritje të pagës për mjekët dhe infermierët.

Mjekët bënë një kërkesë në polici për të zhvilluar sot tubimin e tyre në oborrin e QSUT, por nga policia erdhi një përgjigje negative për ta, pasi në kushtet e pandemisë nuk mund të mbaheshin protesta.

“Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu dhe Drejtori i Përgjithshëm i QSUT, Enkelejd Joti, janë duke zhvilluar një takim me përfaqësinë e sindikatës së mjekëve, në selinë e Kryeministrisë”. Ky është sqarimi që vjen nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, pas informacioneve më të fundit se përfaqësinë e mjekëve nuk e ka pritur as Kryeministri dhe as Ministrja.

Po sipas burimeve nga ministria, “nuk dihet se nga ka dalë lajmi që mjekët do të priten në takim nga Kryeministri Rama. Mjekët janë thirrur në selinë e Kryeministrisë për shkak se ankesën e tyre e kanë bërë tek portali i Bashkëqeverisjes, dhe prej ditës së djeshme është vendosur që ata do të priten në takim nga Ministrja Manastirliu”.

Kërkesat e mjekëve:
-Të shpallen dëshmorë të kombit të gjithë ata pjesëtarë të personelit shëndetësor të cilët humbin jetën në këtë luftë me këtë armik të padukshëm
-Të bëhet sigurimi i jetës së personelit shëndetësor, me qëllim që familjet e tyre të mund të vazhdojnë jetën edhe pas fatkeqësive të mundshme në këtë luftë.
-Rritje të vlerësueshme e trajtimit financiar të personelit shëndetësor.
-Personeli shëndetësor të çdo niveli t’i sigurohen të gjitha kushtet optimale në punë për parandalimin e infeksionit sipas të gjitha standardeve kombëtare dhe ndërkombëtare. / Gazeta Liberale

 

Tags: , , , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back