Aktualitet

Misteri/ Si u zhduk adoleshentja pasi protestoi kundër shtetit iranian (Video)

Shkruar nga Liberale
Disa video të publikuara në rrjetet sociale, tregojnë një adoleshente iraniane, e cila po proteston vetëm disa orë para vdekjes së saj. Ngjarja ka ndodhur në 20 shtator, ndërsa lajmi është bërë me dije nga nënë e saj për BBC Persian. 16 vjeçarja, Nika Shakarami shihet duke duke djegur shaminë e saj në Teheran, ndërsa të tjerët brohorasin me pankarta në duar kundër Republikës Islamike. Sipas BBC, më vonë vajza u zhduk, pasi i tha një shoku se, po ndiqej nga policia.   Nëna e saj, Nasrin, mohoi se, vajza ishte në një video CCTV të publikuar nga zyrtarët të cilët pretendojnë, se vdekja e saj nuk ishte e lidhur me protestat e asaj dite. Zonja Shakarami ka akuzuar forcat e sigurisë për vrasjen e vajzës së saj, por zyrtarët kanë thënë se ajo vdiq pasi u hodh nga një ndërtesë që ishte në ndërtim e sipër. Sipas BBC, javën e kaluar, televizioni shtetëror iranian transmetoi pamje të paqarta, që tregonin një vajzë apo grua adoleshent, të cilën e identifikoi si Nika Shakarami. Në pamjet dukej vajza, e cila po ecte në një rrugicë dhe më pas duke u futur në një ndërtesë. Por, zonja Shakarami i tha BBC Persian, të hënën, se personi në video nuk ishte vajza e saj. Një burim tjetër pranë familjes tha gjithashtu se vajza në video nuk ecte si Nika. Mamaja pretendoi gjithashtu, se motra e saj Atash dhe vëllai Mohsen ishin detyruar të bënin deklarata të rreme në lidhje me vdekjen e Nikës, ndërsa ishin në paraburgim. “Ata kërcënuan se do të ndalonin fëmijën katërvjeçar të vëllait tim”, tha ajo. Mohsen u shfaq në TV mbrëma të mërkurën e kaluar duke folur kundër protestave aktuale, teksa dikush jashtë kamerës duket, se i pëshpërit: "Thuaje, o e poshtër!" Atash tha se, Nika vdiq pasi ra nga një ndërtesë. Pas këtyre deklaratave, motër e vëlla u lanë të lirë. Familja e Nikës ka thënë, se e gjetën trupin e saj në morg 10 ditë pasi ajo u zhduk dhe se zyrtarët i lejuan ta shihnin fytyrën e saj vetëm për disa sekonda për ta identifikuar. Atash ka thënë gjithashtu, se Garda Revolucionare i tha asaj se Nika ishte në paraburgim për pesë ditë dhe më pas iu dorëzua autoriteteve të burgut. Nga ana tjetër, mamaja e Nikës ka thënë, sipas BBC, se Nika ishte zhdukur disa orë pasi mori pjesë në protestën e parë në videot që janë shfaqur në rrjetet sociale ditët e fundit. "Ashtu si Nika, unë kam qenë kundër hixhabit të detyrueshëm që kur isha fëmijë. Por brezi im nuk ishte aq i guximshëm për të protestuar", tha zonja Shakarami për BBC Persian. "Njerëzit e moshës sime pranuan vite të tëra shtypjeje, nënshtrimi dhe poshtërimi, por vajza ime protestoi dhe ajo kishte çdo të drejtë ta bënte këtë." Kujtojmë se, Nika nuk është e vetmja protestuese e re që është vrarë gjatë trazirave. Të hënën, Shoqata Iraniane për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve raportoi se, gjatë protestave ishin vrarë gjithsej 28 fëmijë.  Sipas tyre, shumë fëmijë të tjerë ishin arrestuar dhe po mbaheshin në qendrat e paraburgimit. /Përgatiti Liberale.al

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH