Kryesore

Misioni i pamundur i shkarkimit të Metës

               Publikuar në : 12:05 - 11/06/19 Liberale

Cilat janë arsyet e qeverisë për të iniciuar shkarkimin e Presidentit, kur e di se e ka të pamundur dhe çfarë po synohet me gjykatën administrative. 

Suadela Balliu

Zhvillimet e stuhishme të orëve të fundit, me shfuqizimin e datës së zgjedhjeve nga presidenti dhe përgatitjen e rezolutës për shkarkim të këtij të fundit nga Kuvendi, lënë pak vend për dyshime se të dy kampet nuk kishin ngritur prej kohësh armatat e tyre me juristë.

Kur vendin e ndajnë vetëm njëzet ditë nga data e zgjedhjes, dekretuar e më pas shfuqizuar nga presidenti, Meta doli në një konferencë të jashtëzakonshme për mediat mëngjesin e djeshëm, për të parashtruar argumentet juridikë.

Në një interpretim të frymës së Kushtetutës, pa gjetur një pikë konkrete në të për të bazuar dekretin e tij dhe duke e kërkuar atë në frymën e saj dhe tek kriteret e Kopenhagës në marrëveshjen e asociim-stabilizmit, presidenti Meta do të ndalej tek uniteti i popullit, mbrojtja e demokracisë dhe pluralizmit, që e çuan tek vendimi i lajmëruar i së shtunës.

Ashtu siç e kishte lajmëruar gjatë fundjavës në turet e fushatës se vendimi i presidentit ishte i pavlefshëm dhe  Meta nuk e meritonte më zyrën ku rri, Rama do të mblidhte paraditen e djeshme kryesinë e Partisë Socialiste, e cila doli me vendimin për të nisur pa vonesa,  procedurat për shkarkimin e Presidentit për në seancën plenare të Kuvendit, të enjten.

Përmes zëdhënëses së qeverisë, Elisa Spiropali edhe maxhoranca artikuloi të njëjtin qëllim që e shtyu presidentin në marrjen e vendimit suigeneris: mbrojtja e Kushtetutës.

“Është detyra jonë politike për të mbrojtur Kushtetutën, rendin kushtetues dhe Republikën parlamentare”, tha Spiropali, duke theksuar natyrën parlamentare të Republikës së Shqipërisë. Sipas saj Meta kishte shpikur institucionin e zhdekretimit, që nuk ekziston në asnjë kushtetutë, të asnjë vendi të botës.

Partia Socialiste po dje, dorëzoi në Kuvend kërkesën për mocion me debat në seancën e së enjtes dhe ku në fund do të kërkohet shkarkimi i Presidentit pas vendimit për të anuluar zgjedhjet lokale të 30 Qershorit dhe pa caktuar një tjetër datë zgjedhjesh. Ky duket një nga ata hapa –  tre para presidentit, duke cituar kryeministrin, që vinte nga qëmtimi i shtigjeve ligjorë të maxhorancës nëse çështja do të shkonte këtu.  Asgjë që nuk pritej, do të thoshte Rama të shtunën.

Argumentet e shpalosura nga maxhoranca në kërkesën e tyre sillen rreth pavlefshmërisë së aktit të presidentit, i cili sipas tyre është i paprecedentë e njëherazi në kundërshtim me Kushtetutën e që synon t’i pengojë shqiptarët të zgjedhin përfaqësuesit vendorë. Ndërsa presidenti ka theksuar mungesën e pluralizmit në zgjedhjet ku në gjysmën e bashkive merr pjesë vetëm kandidati i propozuar nga maxhoranca dhe në pjesën tjetër kandidatë të propozuar nga partia e krijuar në minutat e fundit, siç është Bindja Demokratike.

Interpretime kushtetuese kanë ardhur edhe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, që po aq në një akt të paprecedentë, nuk e kanë marrë në konsideratë dekretin presidencial për shfuqizimin e 30 qershorit si datë e zgjedhjeve lokalë, duke e cilësuar si akt të pavlefshëm.

Si në një lojë fjalësh ku ekziston një dekret që zhdekretohet përmes një dekreti, kreu i KQZ-së, Klement Zguri vendosi ta braktisë mbledhjen, para asaj që e cilësoi si sfidë dhe situatë të vështirë.

“Sot vetëm 20 ditë para datës së zgjedhjeve presidenti vendos shfuqizimin e dekretit për anulimin  e zgjedhjeve. Ky dekret i dytë është një akt i pavlefshëm sipas kodit të procedurës civile. Praktikisht dekreti i sotëm bie ndesh me parimin e ligjshmërisë ku thuhet se organet publike ushtrojnë detyrat brenda kompetencave të tij. Nxjerrja e dekretit është brenda kompetencave të presidentit, por ai nuk mund të anulojë apo të mos caktojë fare një datë zgjedhjesh. Pasi duke anuluar zgjedhjet e 30 qershorit Shqipëria është sot pa një datë zgjedhjesh. Duke e lënë vendin pa datë zgjedhjesh presidenti refuzon të përmbushë detyrimin që organi publik ia ka kaluar për ta ushtruar”, argumentoi nënkryetari i KQZ, Denar Biba, duke bërë kështu po aq një tejkalim të kompetencave të tij, analizë që do të duhej të bëhej nga Gjykata Kushtetuese.

Pafuqia e maxhorancës

E megjithë mungesën e saj, Spiropali do të thoshte as asgjë nuk e pengonte PS-në të niste procedurat për shkarkimin e presidentit. Sipas Nenit 90 të Kushtetutës. Presidenti i Republikës mund të shkarkohet për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe për kryerjen e një krimi të rëndë. Propozimi për shkarkimin e Presidentit në këto raste mund të bëhet nga jo më pak se një e katërta e anëtarëve të Kuvendit dhe duhet të mbështetet nga jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij. E ndërsa firmat janë mbledhur që paraditen e së hënës, maxhorancës do t’i duhen 16 vota nga opozita parlamentare  për të bërë 94 votat që duhen për shkarkimin e presidentit. Duhen  edhe dy ditë nga seanca e së enjtes, deputeti i PD-së,  por Myslim Murrizi, nënkryetar i Kuvendit, edhe pse e cilësoi vendimin e presidentit si të padëgjuar, nuk dha një qëndrim nëse do të votojë pro shkarkimit të tij. Reagime kanë ardhur edhe nga PD e LSI që e quajtën nismën si puç kushtetutës, ndërsa deputeti i opozitës parlamentare Lefter Maliqi e konsideroi antiligjore dhe antikushtetuese.

Reagime kundër nismës së maxhorancës kanë ardhur edhe nga deputeti Gjetan Gjetani, dalë nga listat e PS-së, por përjashtuar prej grupit parlamentar, me kërkesë të kreut të partisë, Edi Rama. “  “I bëj thirrje kolegeve të  mi socialistë  që  të  mos ndjekin Edi Ramën në rrugën e tij për shkatërrimin e përçarjen e Shqipërisë”, është shprehur Gjetani.

Veç hallkave proceduriale në komisionet e Kuvendit që duhen kaluar për shkarkimin e presidentit (vetëm komisioni hetimor që duhet ngritur, zgjat dy muaj), edhe nëse maxhoranca gjen pëlqim në radhët e opozitës për shkarkimin e presidentit,  sipas pikës 3, të nenit 90  të Kushtetutës, vendimi i  Kuvendit i dërgohet Gjykatës Kushtetuese, e cila, kur vërteton fajësinë e Presidentit të Republikës, deklaron shkarkimin e tij nga detyra. Në mungesë dhe në një përpjekje sado olimpike, krijimi i Gjykatës Kushtetuese  duket mision i largët – që në fakt mund të çonte në një tjetër përplasje institucionale me presidentin i cili emëron tre anëtarë të saj -, e gjitha duket një betejë për të treguar dhëmbët dhe forcën sesa në hapa konkretë.

Kjo u vu re edhe tek deklaratat që pasuan firmosjen e drejtpërdrejtë në konferencën e jashtëzakonshme të dekretit të presidentit për shfuqizimin e 30 qershorit.

“Ilir Meta ka vërtetë hallin e shpërthimit të dhunës dhe konfliktit civil në Shqipëri? Po e kishte dhe e ka shumë të thjeshtë: Le të bindë Monikën të mos hakërrehet dhe Saliun të mos ndërseje Lulin rrugëve deri në 30 qershor e ja ku e shpëtoi Shqipërinë!”, shkruante në rrjetet sociale Spiropali, status i cili u shpërnda edhe nga kreu i qeverisë, i cili shtonte fjalën “Sigurisht” mbi të.

Gjatë mesditës, Rama u takua me ambasadorë të shteteve të BE-së, por edhe zv.ambasadoren amerikane  Leyla Moses-Ones.

Opozita me Metën

Pak orë pas konferencës së jashtëzakonshme, të cilën e mbylli duke bërë me duar simbolin e shqiponjës dykrenore, presidenti Meta, zgjodhi të përcjellë një tjetër mesazh rreth vendimit të tij, në urimin për 141-vjetorin e Lidhjes Shqiptare.  “Kushtetuta do të mbrohet deri në fund me qetësi dhe shqiptari”, do të shkruante presidenti Meta.

Nga kampi opozitar ka reaguar edhe kreu i PD-së, i cili ka mbajtur të njëjtin qëndrim për zgjedhjet e 30 qershorit dhe për largimin e Ramës si kryeministër. Basha i sheh si blofe të kryeministrit, si realizimin e zgjedhjeve më 30 qershor, ashtu edhe shkarkimin e presidentit.

“Edi Rama po përpiqet të bombardojë opinionin publik me dy përbetime, që ai as nuk i mban dot, dhe as nuk ka interes t’i provojë: Ai po përbetohet se do t’i mbajë zgjedhjet edhe pa dekret presidencial, edhe pa pjesëmarrje politike. Ai po përbetohet gjithashtu se do të nisë procedurat për shkarkimin e Presidentit. Janë të dyja blofe dhe zhurmë me qëllim shpërqendrimin e vëmendjes tuaj. Edi Rama nuk do që të flitet për krimin, drogën dhe vjedhjet e tij të përditshme”, ka deklaruar kryedemokrati.

Basha, do të thoshte se vendimi i presidentit i shërben opinionit publik, por gjykimi i takon Kushtetueses. “Nuk më takon as mua të gjykoj vendimin e Presidentit, ndonëse e mbështes plotësisht. Politikisht unë mund të them që zgjedhjet moniste nuk janë zgjedhje. Politikisht unë mund të them se vendimi kushtetues dhe i përgjegjshëm i Presidentit i shërben njerëzve dhe interesit publik”, ka thënë Basha duke rikujtuar mungesën e Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë, sipas tij të shkatërruar nga vetë Rama.

Duke i cilësuar zgjedhjet si një partiake, nga të cilat do të prodhohej një rezultat fiktiv, presidenti  ka argumentuar se kjo “ i bën zgjedhjet e dekretuara për t’u zhvilluar më datë 30 qershor, zgjedhje jo demokratike, sepse cenohen të drejtat kushtetuese të sanksionuara në nenin 1, pika 3, nenin 45 dhe 109 të Kushtetutës”.

Sipas argumenteve të parashtruara mëngjesin e djeshëm nga presidenti Meta, opozita nuk hyn në zgjedhje jo sepse nuk ka shprehur vullnetin për të marrë pjesë në to, por ngrenë shqetësimin se zgjedhjet nuk do të jenë të lira dhe të ndershme. Më shumë se interpretim apo mbështetje striktmërisht juridike, presidenti do të ofronte dje tablonë e krizës politike në të cilën ndodhet vendi e duke ngritur edhe shqetësimin e përshkallëzimit në një konflikt social.

Edhe pse presidenti duket se e ka hedhur këtë hap, siç edhe e parashtroi dje, për të çuar palët politike drejt dialogut  -ku maxhoranca është e vendosur të shkojë drejt zgjedhjeve të 30 qershorit dhe opozita po aq e vendosur për t’i pamundësuar ato-, Basha do të theksonte se beteja e opozitës do të vazhdojë, deri në përmbushjen e kërkesave të saj, pa asnjë kompromis.

Precedenti

Akti i presidentit, i cili megjithë dyshimet që ngre si jashtë kushtetues apo në shkelje të  hapur të saj, mbetet në fuqi në kushtet e mungesës së Gjykatës Kushtetuese, duket se shton më shumë presionin ndaj Ramës, i gjendur tashmë para një dekreti që anulon 30 qershorin dhe kërkesës së opozitës për largimin e tij, ndërsa Meta nuk ka caktuar një datë tjetër zgjedhjesh.

Kjo e bën edhe më të paprecedentë vendimin e Metës. Dy vjet më parë, presidenti Nishani zhdekretoi datën 18 qershor, por caktoi menjëherë një datë të re,  duke i shtyrë me një javë zgjedhjet parlamentare, pas dakordësisë së të dy palëve, pas marrëveshjes së arritur mes Ramës dhe Bashës, më 18 maj.

Akti i presidentit Nishani u ankimua atëkohë nga partia “Forca Rinia, në Gjykatën Kushtetuese, por kjo gjykatë do të deklaronte se ndryshimi i datës së zgjedhjeve nuk ishte në juridiksionin e shqyrtimit nga Gjykatës Kushtetuese. Kundërshtimi i dekretit të Presidentit mund të jetë objekt i shqyrtimit nga gjykatat administrative apo në juridiksionin e Kolegjit Zgjedhor.

Në këtë betejë institucionale dhe politike, Rama mund të shënojë fitoren për të ruajtur 30 qershorin si datë zgjedhjesh, nëse do të ankimohet vendimi i presidentit për shfuqizimin e tyre në Gjykatën Administrative dhe gjithnjë nëse kjo e fundit do ta gjykojë  si të pavlefshëm dekretin e presidentit.

Megjithëse vendimi i presidentit Meta ishte i pritshëm siç e bëri të ditur vetëm dy ditë më herë kryeministri Rama dhe maxhoranca thekson se jemi republikë parlamentare, përpara presidentit në vendimin e tij për shfuqizimin e zgjedhjeve lokale, shkon si kryetari i një subjekti zgjedhor dhe jo si kryeministër.

Gjithë ç’mbetet nga vendimet e njërës palë dhe veprimet e palës tjetër, shoqëruar nga jashtë sistemit me thirrjet e opozitës në protestë janë tri fotografi të qarta: Një kryeministër që zotohet për të mbajtur zgjedhjet me 30 qershor, pa opozitën, në respektim të Kushtetutës, edhe pse të zhdekretuara nga presidenti. Një president, i cili në një akt të paprecedentë shfuqizon datën e dekretuar më herët prej vetë atij, duke ndezur një debat mbi antikushtetueshmërinë e veprimit të tij. Një lider të opozitës, i cili pasi ka djegur mandatet parlamentare dhe nuk është regjistruar në zgjedhjet vendore, zotohet se do të jetë në rrugë deri në largimin e kryeministrit dhe krijimin e klimës për zgjedhje të lira e të ndershme, përmes qeverisë kalimtare. Secili syresh në akte të paprecedenta dhe me fije të debatueshme drejt tejkalimit të  kompetencave. Pas kësaj çdo hap i ndërmarrë çon në një qerthull vicioz që e fut vendin edhe më thellë në krizën e trefishtë; institucionale, kushtetuese e të përfaqësimit.

Sikur Gjykata Kushtetuese të ishte aty, gati për të shqyrtuar votimin  e Kuvendit për shkarkimin e presidentit, maxhoranca vijon e pandalur, për t’i mbajtur zgjedhjet më 30 qershor.

Në mungesë të saj, të cilën maxhoranca e di mirë, ajo që mbetet në fuqi, edhe në qoftë antikushtetues është dekreti i presidentit, i cili do të vonojë të shkarkohet, edhe nëse të gjitha shkojnë sipas planit të maxhorancës./ Gazeta Liberale

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *