Editorial

Misioni dantesk i Yuri Kim, ose drejtësia nga purgatori në parajsë

Shkruar nga Liberale
Misioni dantesk i Yuri Kim, ose drejtësia nga purgatori në

Klementin Mile

Në fjalën e saj para senatit amerikan, ambasadorja e nominuar për Shqipërinë nga presidenti Trump, Yuri Kim, theksoi si më thelbësoren në prioritetet e saj “ndihmën diplomatike dhe ndihmën e SHBA-së për forcimin e sundimit të ligjit dhe luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar”. Gjithashtu ajo gjykoi se “Shtetet e Bashkuara duhet të vazhdojnë të inkurajnë Shqipërinë që të zbatojë plotësisht reformat në drejtësi, të vazhdojë verifikimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe të krijojë një strukturë speciale të pavarur kundër korrupsionit dhe një Byro Kombëtare të Hetimit”.

Të gjitha këto, natyrisht, janë thënë edhe më parë nga përfaqësues të Ambasadës Amerikane në Shqipëri. Por është hera e parë që artikulohen qartësisht si prioritete në nivelin e ambasadorit të ardhshëm amerikan në Tiranë. Skeptikët, të cilët nuk kanë munguar ndonjëherë në vendin tonë, mund ta konfirmojnë seriozitetin e angazhimit amerikan për Reformën në Drejtësi duke e lexuar në kontekstin e prioriteteve të tjera të ambasadores Kim. Kështu, për Shtetet e Bashkuara është e rëndësishme që Shqipëria të mbesë një anëtar i NATOs që e jep plotësisht kontributin e vet financiar dhe njerëzor. Veç të tjerash, kjo do të thotë që amerikanët janë të interesuar që ky vend të mos bjerë në influencën e fuqive të tjera botërore jashtë organizatës së NATOs, si psh Kina, Rusia, Irani apo ndonjë tjetër.

Referuar Reformës në Drejtësi, misioni i ambasadores Kim është me të vërtetë dantesk. Ai ka për qëllim që ta kalojë drejtësinë shqiptare nga purgatori në parajsë. Lexuesve të “Komedisë Hyjnore” të Dantes me siguri u kujtohen nëntë rrathët e ferrit, shtatë tarracat e purgatorit dhe nëntë sferat e parajsës. Në thuajse 30 vjet pas rënies së komunizmit, drejtësia shqiptare ka qenë vazhdimisht në ferr, duke kryer “mëkate” të të gjitha llojeve, duke i shkelur përditë parimet e saj. Vendimi për rastin “Tahiri” duhet kuptuar si një trokitje e drejtësisë sonë në dyert e purgatorit. Po të mos kishte qenë presioni ndërkombëtar dhe veçanërisht ai amerikan, pa praninë, duhet theksuar, të një ambasadori amerikan në vendin tonë, drejtësia shqiptare do të kishte mbetur në ferr dhe Tahiri në politikë.

Me ardhjen e afërt të ambasadores së nominuar Kim, presioni amerikan mbi politikën shqiptare, që kjo të mos e vonojë dhe zvarrisë më tej Reformën në Drejtësi, vetëm do të shtohet. Shteteve të Bashkuara i duhet Shqipëria një aleat më i fortë dhe më i aftë i tyre. Për këtë arsye ambasadorja Kim do t’i shtyjë liderët shqiptarë që ta zgjidhin krizën politike; çka, ndër të tjera, do të thotë se do i shtyjë që t’i heqin pengesat që i kanë vënë avancimit të drejtësisë nga tarracat e purgatorit drejt sferave të parajsës.

Drejtësia shqiptare ka hyrë tashmë në purgator. Për politikanët shqiptarë që janë subjekt i saj, kjo do të thotë se janë krijuar dy vende: në politikë, ose jashtë politike. Por ardhja e afërt e ambasadores Kim me prioritetin thelbësor të avancimit të Reformës në Drejtësi, shenjon misionin e saj për ta ndihmuar drejtësinë shqiptare të kalojë nga purgatori në parajsë. Në gjuhën që kuptojnë politikanët, kjo përkthehet si krijimi i një vendi të tretë në sistem: pra, në politikë, jashtë politike, ose në burg. /Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH