Kryesore

Mises, “Kalorësi” i fundit i Liberalizmit

               Publikuar në : 11:10 - 09/06/21 liberale

Kolana UETPRESS- 15 vjet

Titulli i librit: Menataliteti anti- kapitalist 

Autor: Ludwig von Mises

Prof. Dr. Adrian Civici

Në grupin e “ekonomistëve të shkollës austriake të ekonomisë”, Ludwig von Mises (1881-1973), konsiderohet si një nga personazhet më të rëndësishëm e influentë, sidomos për ndikimin e tij në mendimin liberal modern. Me origjinë nga një familje hebrenjsh nga Ukraina, ai e kaloi jetën dhe zhvilloi veprimtarinë e tij në Vienë, Gjenevë dhe së fundi në SHBA, në universitetin e New York-ut.

I cilësuar shpesh si një nga mbrojtësit më të zjarrtë të kapitalizmit dhe liberalizmit klasik, Ludwig von Mises vlerësohet vecanërisht për traktatin e tij mbi ekonominë “Human Action: A Treatise on Economics” (1949), një vepër monumentale prej 1000 faqesh në të cilin ekspozohen në mënyrë të plotë pozicionet epistemologjike dhe metodologjike të shkollës austriake mbi “konceptimin subjektiv të vlerës”, “individualizmin metodologjik”, “teoria e këmbimeve indirekte”, “teoria e parasë dhe kapitalit”, “teoria e tregut”, “teoria e cikleve ekonomike”, e deri tek problemet etike, politike e sociale që përmban ekonomia si shkencë.

Mises shkruan se “ekonomia nuk duhet lënë që të çmontohet në segmente të shkëputura apo degë të specializuara të saj. Ajo i trajton si një tërësi e pandashme të gjitha fenomenet dhe aksionet ekonomike. Çdo dukuri ekonomike është e lidhur dhe kondicionon gjithë të tjerat. Çdo problem ekonomik duhet të trajtohet në kuadrin e një sistemi kompleks që i jep vendin dhe peshën e duhur çdo aspekti të nevojave dhe dëshirave humane. Trajtimet monografike mbeten fragmentare, nëse ato nuk integrohen në një trajtim sistematik të gjithë trupit që përbëjnë marrëdhëniet ekonomike e sociale.

Mises nënvizon se “dhënia e një analize të tillë komplete e komplekse, është objekti i librit tim “Human Action: A Treatise on Economics”, është gjysmë shekulli eksperiencë. Unë kam parë veprimin e forcave destruktive ndaj civilizimit dhe prosperitetit të lartë të Europës. Duke shkruar këtë libër shpresoj ti kontribuoj përpjekjeve të autorëve më të shquar bashkëkohorë, që, për të penguar që ky vend (SHBA) të ndjekë rrugën e gabuar që mund ta çoje buzë greminës”.

Emri i Mises ka një vend kryesor ndër ekonomistët kritikë të socializmit dhe teorisë marksiste e leniniste të tij, të nazizmit e komunizmit, ndërkohë që ekonomistë liberalë nga më me reputacion në botë si Friedrich Hayek, Murray Rothbard, Israel Kirzner e përmendin me shumë konsideratë faktin se kanë qenë nxënës dhe dishepuj të tij.

Në mënyrë të vecantë ai refuzon çdo lloj matematizimi të ekonomisë, duke qënë kështu dhe një kundërshtar i hapur me shkollën neoklasike të ekonomisë. Mises mendonte se metodat matematike nuk duhen përdorur, se ato janë sterile dhe nisen nga hipoteza të gabuara që të cojnë në konkluzione po kaq të gabuara. Është vetëm “dualizmi metodologjik” ai që duhet të mbizotërojë: metoda e arsyetimit e aplikuar në ekonomi duhet të niset nga njohja jonë për vetvehten si qënie njerëzore vepruese për të derivuar pastaj në deduksionin e thjeshtë logjik të ligjeve që drejtojnë fenomenet e ndryshme njerëzore.

Teoria e veprimit njerëzor e quajtur ndryshe dhe “prakseologjia”, përbën thelbin e mendimit dhe arsyetimit të Mises. Ajo përbën sintezën e “shkencës në tërësinë dhe thelbin e saj” që Mises kërkonte ta precizonte. Në qëndër të këtij koncepti qëndron “catallaxia”, e cilësuar nga Mises si “degë e njohurive që studion fenomenet e tregut”, dmth, përcaktimin e raporteve të shkëmbimeve reciproke të mallrave të shërbimeve që negociohen në treg, dhe origjinën e tyre si veprim njerëzor. Sipas Mises, gjithshka që ne kërkojmë të studiojmë në ekonomi buron nga zgjedhja individuale, çelësi i kuptimit të së cilës është ekonomia subjektiviste. Në këtë kuptim, zgjedhja përcaktohet nga vendimi njerëzor.

Duke bërë një zgjedhje, njeriu nuk zgjedh vetëm të mirat materiale dhe shërbimet, por vë njëkohësisht në funksion të gjithë vlerat e tij njerëzore që disponon. Pikërisht për këtë arsye, thekson Mises, “veprimi njerëzor” është gjithnjë racional dhe nuk ekziston asnjë bazë objektive që të lejon të pohosh që zgjedhjet dhe marrëdhëniet e lira në treg mund të jenë irracionale.

Në moshën 60 vjeçare, si pasojë e origjinës së tij çifute, detyrohet nga nazistët që të emigrojë në SHBA, por kjo nuk e pengoi që vetëm disa vite më vonë e deri në ditët tona të konsiderohet si truri i liberalizmit amerikan dhe atij botëror. Vepra e tij ka qenë e shpërndarë dhe vështirësisht e konsultueshme në tërësinë e saj, por në vitin 1997 ndodhi një suprizë e vërtetë: i gjithë arkivi i Mises u gjet në gjendje shumë të mirë në arkivat ruse, të cilat e kishin marrë nga arkivat gjermane në vitin 1945 kur pushtuan Berlinin.

Për këtë arsye, biografitë dhe analizat më të plota për veprën e Ludwig von Mises datojnë mbas vitit 1998. Një kopje e plotë e tyre gjendet në universitetin Auburn në Alabama të SHBA ku, që në vitin 1982 është ngritur dhe “Instituti Ludwig von Mises” i dedikuar për kërkime në fushën e filozofisë dhe ekonomisë politike. Instituti i mbetet besnik koncepteve metodologjike të shkollës austriake, dhe vecanërisht mendimit e ideve të Ludwig von Mises dhe dishepullit të tij më të afërt Murray Rothbard.

Ludwig von Mises është një ekonomist shumë i vlerësuar ndërkombëtarisht në komunitetin e ekonomistëve. Idetë e tij frymëzuan “mrekullinë ekonomike gjermane” të pas Luftës së II-të Botërore. Në vitin 1956 nderohet me cmimin “William Volker Distinguished Service Award”, ndërsa tre vite më vonë, revista amerikane “Fortune”, duke ju referuar shkrimeve dhe analizave të tij, shkruante se “në planin e ideve, komunizmi nuk ka kundërshtar më të fortë se von Mises”.

Në 1962, merr medaljen e nderit austriake për artet dhe shkencat me motivacionin “për punën e tij të vlerësuar ndërkombëtarisht në shkencat politike dhe ekonomike. Një vit më vonë, në 1963, shpallet “doctor honoris causa” i Universitetit të New Jorkut për “për paraqitjen e filozofisë së tregut të lirë dhe përpjekjet për një shoqëri të lirë”, ndërsa një vit më vonë shpallet “Doctor rerum politicarum” nga Universiteti i Fribourg-en-Brisgau në Gjermani. Po në të njëjtin vit shpallet si “Distinguished fellow” nga American Economic Association.

Sipas Jorg-Guido Hulsmann, autorit të njërit prej librave më të mirë të shkruar për Mises “Mises: The Last Knight of Liberalism”, “Veprat e Mises meritojnë të jenë programe themelore në curriculumet e çdo universiteti, jo vetëm në departamentet e ekonomisë, por dhe në ato të filozofisë, historisë, politikave dhe administrimit publik, sociologjisë, jurisprudencës, tregëtisë, gazetarisë dhe humaniteteve. Mises meriton nderimet dhe mirënjohjen maksimale që shoqëria jonë mund të japë”.

Teoria ekonomike e përpunuar dhe mbrojtur nga Mises bazohet në themelet e “realizmit”. Duke u nisur nga premisa empirike të përgjithshme, ajo procedon me një analizë të natyrës njerëzore dhe konceptit të veprimit human që rrjedh prej saj. Ndryshe nga makroekonomia që analizon të dhënat statistikore, agregatet ekonomike e financiare, modelimet ekonometrike,etj., Von Mises mbështetet tërësisht tek roli dominant i “subjektivitetit në ekonomi”, duke insistuar tek rëndësia e opinioneve subjektive të individëve në formimin e fenomeneve sociale, në ekuilibrat ekonomiko-socialë, në rolin dhe funksionimin e biznesit, etj. Në përputhje me teorinë e utilitetit marxhinal zbritës, ai e përcakton vlerën si “shkalla e rëndësisë që i jepet nga njeriu një malli të caktuar” duke ju referuar për këtë “paradoksit të ujit dhe diamantit”: një gotë ujë në shkretëtirë nuk ka të njëjtën vlerë si në një rajon me ujë të bollshëm, por nëse shtojmë edhe një gotë të dytë apo të tretë, atëherë vlera e gotës së ujit do jetë më e ulët në krahasim me gotën e parë.

Pra, vlera nuk është një veti apo përmbajtje e brendshme e mallrave, por ajo është tek ne, në mendjen tonë, qëndron tek rëndësia dhe utiliteti që ne i japim mallrave në një moment dhe vend të caktuar.

…Sipas Mises, ndryshimi dhe adaptimi përbëjnë forcën themelore dhe esenciale të vetë jetës. Falë këtyre dy forcave shoqëria dhe individët evoluojnë dhe përmirësohen, falë tyre avantazhet dhe supremacia në treg është thjesht një moment i përkohshëm statu quo-je e cila ndodhet vazhdimisht nën presionin e ndryshimit dhe përmirësimit. Ndryshimi dhe adaptimi shqetëson vetëm ata që nuk dalin dot përtej ideve të vjetra dhe qëndrimeve të ngurta. Në këtë këndvështrim, Mises nënvizon në mënyrë të përsëritur në libër se anti-kapitalizmi është një formë rezistence kundrejt ndryshimeve të domosdoshme për zhvillimin e shoqërisë.

Tags: ,


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back