Aktualitet

Miratohet ligji për hapjen e dosjeve, çfarë do të ndodhë me politikanin I.M.

Shkruar nga Liberale
Miratohet ligji për hapjen e dosjeve, çfarë do të

Parlamenti votoi mesnatën e së enjtes, disa ndryshime në ligjin për “Të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të shtetit”, të cilat parashikojnë ndër të tjera hapjen e dosjeve, deklasifikimin e të gjithë dokumenteve nga 29 nëntori 1944 deri në 2 korrik 1991.

Ndryshimet morën mbështetjen e 94 deputetëve që ndodheshin në sallë, pa asnjë votë kundër, falë konsensusit të gjetur mes socialistëve dhe deputetëve demokratë në opozitë që mbështesin kryetarin e grupit Enkelejd Alibeaj.

Zanafilla e këtyre ndryshimeve ishte një shkresë që Autoriteti i Dosjeve, i dërgoi parlamentit në fund të muajit korrik, ku bënte të ditur se emri i një politikani të lartë me inicialet I.M. “figuron në dokumentet e krijuara nga strukturat e ish Sigurimit të Shtetit”.

Edhe kryeministri Edi Rama në fjalën e tij në parlament, tha se “ne këtu në këtë proces na solli shtetasi I.M.. Doli një I.M., u mbush dynjaja me fjalë, u pa që nuk merrej dot vesh kush është ky I.M., a është I.M.-ja që u shkon mendja atyre që u shkon mendja për keq, apo është ndonjë I.M. tjetër dhe shumë thjeshtë u zbulua, apo u kuptua, apo u mor vesh, apo u kujtua që ka një pengesë për shtetasin I.M.. Të hapet gjithë kjo kategori dosjesh edhe të lehtësohen të gjithë edhe ku ta gjejmë që të marrim një përgjigje lehtësuese dhe jo akoma më rënduese dhe largqoftë të mësojmë që shtetasin I.M. e paskemi pas 30 vjet jo vërdalle, po 30 vjet merre e ngjite ku ka pas vend në gjithë piramidën shtetërore dhe ule aty”, deklaroi zoti Rama.

Sipas këtyre amendamenteve, kandidatët për poste të larta drejtuese duhet të kalojnë sërish në kontrollin e Autoritetit të Dosjeve, pavarësisht se më parë mund të kenë marrë një certifikatë pastërtie nga dy komisionet “Mezini” dhe “Bezhani”.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH