Detaje të reja kanë dalë nga ngjarja në Kavajë, ku para dy ditësh mbeti i vrarë 41 vjeçari Dritan Haxholli. Ai u qëllua për vdekje në shtëpinë e ish të dashurës Marsida Qatja, nga polici Bledar Toçi.
Por, Haxholli nuk ka qenë një person i panjohur për policinë. Ai ishte proceduar penalisht pasi kishte kundërshtuar Policinë, në momentin që e ndaluan kur drejtonte makinën në gjendje të dehur. Për këtë vepër penale, Gjykata e Kavajës kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, në mungesë, masë që nuk u ekzekutua asnjëherë.
Ai rezulton i dënuar me 13 vite burg për krime kundër personit dhe për trafikim lëndësh narkotike. Ndërsa më herët, ishte dënuar edhe në Greqi, për një sulm ndaj forcave të Policisë në shtetin fqinj. Pavarësisht rrezikshmërisë, ai lëvizte i lirë dhe i armatosur në qytetin e Kavajës.
Nga ana tjetër, mësohet se ai nuk ishte i panjohur me autorin që i mori jetën. Ditën e djeshme është publikuar një foto në JOQ, ku dy personat ishin fotografuar pranë njëri- tjetrit të armatosur.
Nuk dihet periudha kur është shkrepur fotografia.
Edhe në dosjen e Prokurorisë, publikuar nga News 24, thuhej se fjalët e fundit thënë nga viktima në banesën e 30 vjeçares, ishin ato drejtuar ndaj policit. “Pse ma bën ti këtë”, iu drejtua Haxholli, Toçit para se të qëllohej për vdekje./Gazeta Liberale