Aktualitet

Ministrja: Nga 20 dhjetori testime të shpejta në qendra shëndetësore

Shkruar nga Liberale
Ministrja: Nga 20 dhjetori testime të shpejta në qendra

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka deklaruar nga Durrësi se testet e shpejta janë shpërndarë në çdo Njësi të Kujdesit Shëndetësor, nga veriu në jug duke rritur kapacitetet e testimit.

Manastirliu u shpreh se pas datës 20 dhjetor testet e shpejta do të kryhen në disa pika në Tiranë dhe më pas, edhe në rrethe.

“Prej datës 20 dhjetor ashtu sikundër ne e kemi thënë, do të fillojmë testimin e shpejtë të antigenit në qendrat shëndetësore. Pikat e qendrave shëndetësore për qytetin e Tiranës do të jenë 6 si fillim dhe më pas në një shtrirje deri në 10 pika për Tiranën. Edhe në qytetet e tjera janë evidentuar tashmë pikat që do të kryhet testimi shpejtë. Do të ketë një ndarje territoriale, në mënyrë që çdo pikë e përcaktuar si pikë testimi të mbulojë disa qendra shëndetësore dhe ku mjeku i familjes të mundet të drejtojë qytetarët në oraret e caktuara sipas sistemit elektronik”, tha Manastirliu.

Ministrja Manastirliu deklaroi gjithashtu, se po bëhen të gjitha përpjekjet për sigurimin e vaksinës në kohë, për të gjitha grupet e riskut.

“Jemi duke punuar për ta pasur në një kohë sa më të shpejtë vaksinën e sigurt, për ta aksesuar dhe për të qenë punonjësist e sistemit shëndetësor të parët ata që do të kenë mundësinë të vaksinohen me vaksinën antiCovid, në momentin që ajo të jetë e disponueshme dhe të plotësojë të gjithë parametrat e sigurisë. Ne po përpiqemi fort që ta kemi në një kohë sa më të shpejtë të mundur për të filluar me vaksinimin e grupeve më të riskuar, dhe sigurisht më pas për ta garantuar për të gjithë popullatën”, tha Manastirliu.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH