Aktualitet

Ministri serb: Nuk e njohim Kosovën si shtet të pavarur, është ende pjesë e Serbisë

Shkruar nga Liberale
Ministri serb: Nuk e njohim Kosovën si shtet të pavarur,

Bisedimet në Bruksel mes zyrtarëve të lartë evropianë dhe drejtuesve të Kosovës dhe Serbisë, duket se nuk po shkojnë gjëkundi, pasi presidenti serb refuzoi marrëveshjen. Veprimi i Aleksandar Vuçiq është pjesë e politikës së tij që e mban në pushtet, ndërsa ministrat vijojnë të trumbetojnë se nuk do ta njohin Kosovën si shtet të pavarur.

Ministri i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, deklaroi këtë të premte, se bisedimet në Bruksel me përfaqësuesit evropianë për Kosovën ishin të vështira dhe të dhimbshme, por sipas tij Serbia “shmangi skenarin për të qenë fajtori dhe faktori përçarës”.

"E mira është që Serbia e shmangi atë skenar për të qenë fajtore, për të qenë një faktor përçarës, për të dashur konflikte, sepse ai skenar tashmë është përgatitur me qëllim që jo vetëm ta akuzojnë Serbinë, por edhe ta ndëshkojnë atë”, tha Vuçeviq për televizionin Happy.

Sipas tij, Serbia është e gatshme të negociojë për të gjitha propozimet që përjashtojnë pavarësinë e Kosovës dhe futjen e saj në OKB.

“Ne nuk pranojmë asnjë formë të njohjes 'de jure' apo 'de facto' të Kosovës si shtet i pavarur. Mund të flasim për gjëra të tjera, qoftë deklaratë doganore, vulë kjo apo ajo... Gjithçka që nuk shpie në pavarësinë e Kosovës është për ne diçka që mund të jetë temë në tryezë”, tha ai.

Ministri vlerësoi se 90 për qind e qytetarëve serbë më së shumti do të donin të dëgjonin se Serbia refuzon gjithçka nga ai dialog dhe largohet prej tij.

“Të gjithë do të ishin të lumtur ta shihnin ushtrinë tonë në Kosovë dhe Metohi, por ne duhet ta dimë, duhet të kujtojmë, se jemi tërhequr nga Kosova dhe Metohia në vitin 1999 në përputhje me Marrëveshjen e Kumanovës dhe Rezolutën 1244 dhe se ne jemi 'de facto' autoriteti ushtarak, që ata ia lanë Kfor-it”, tha Vuçeviq.

Vuçeviq thekson se nuk e ka inat Kurtin, ndërsa e cilëson si një tiran të vogël, që ushtron terror ndaj serbëve.

"Unë mund ta fajësoj atë dhe të mos pajtohem thellë me politikën e tij ndaj serbëve dhe dëshirën e tij për t'u shkëputur nga Serbia, por mendoj se ndryshe nga Ponoshi, Kosova dhe Metohia janë ende pjesë e Serbisë... Sa i përket shqiptarëve në Kosovë dhe Metohi, ata janë absolutisht unikë për mendimin tim, ata pothuajse 100% e shohin Kosovën jashtë Serbisë dhe si pjesë të Shqipërisë së Madhe, dhe kjo ka rrënjë të largëta", shprehet politikani serb.

Vuçeviq thekson se aspiratat e shqiptarëve janë shfaqur edhe në kohën e Josip Brozit dhe për Kurtin nuk ka qenë asnjëherë pjesëtar i UÇK-së, por me të njëjtën ideologji ka qenë i mbarsur.

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës Aljbin Kurti patën dje në Bruksel takime disa orëshe me të dërguarin special të BE-së për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës Miroslav Lajcak, kreun e diplomacisë evropiane Josep Borrell, presidentin e Këshillit Evropian Charles Michel dhe liderët e Francës, Gjermanisë dhe Italisë, Emmanuel Macron, Olaf Scholz dhe George Meloni./Liberale.al

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH