Aktualitet

Ministri austriak: Terroristi me origjinë shqiptare vjen nga...

Shkruar nga Liberale
Ministri austriak: Terroristi me origjinë shqiptare vjen nga...

Kancelari i Austrisë, Sebastian Kurz dhe ministri i Brendshëm, Karl Nehammer mbajtën paraditen e së martës konferencë për shtyp ku dhanë detaje nga sulmi terrorist që tronditi mbrëmjen e së hënës Vjenën.

Gjatë konferencës ministri Nehammer iu shmang pyetjeve direkte rreth identitetit të një prej të dyshuarve si terrorist, i cili u vra, mirëpo pas saj, në intervista për agjenci vendase dhe ndërkombëtare të lajmeve, ai konfirmoi se i dyshuari ishte një 20-vjeçar me dyshtetësi austriake dhe verio-maqedonase.

Agjencia e lajmeve Associated Press (AP) citoi ministrin të thoshte se i dyshuari quhej Kujtim Fejzullahu, me origjinë nga Maqedonia e Veriut, i cili në prill të vitit 2019 ishte dënuar me 22 muaj burg për shkak se ishte përpjekur t'i bashkohej organizatës terroriste të njohur me emrin "Shteti Islamik" në Siri.

Sipas AP-së, në muajin dhjetor të vitit 2019, atij i qe dhënë lirimi i parakohshëm për shkak të moshës. Kjo u konfirmua gjithashtu edhe nga Agjencia Austriake e Lajmeve (APA).

Më herët ishte kryeredaktori i gazetës së përjavshme austriake Falter, Florian Klenk, ai i cili raportoi se autori i sulmit kishte qenë rreth 20 vjeç, i lindur dhe rritur në Vjenë dhe me prejardhje shqiptare.

Korrespondentja e Euronews Albania në Maqedoninë e Veriut, Ferikan Iljazi, konfirmoi gjithashtu informacionet në fjalë.

Ajo tha në edicionin e mesditës se autoritetet verio-maqedonase po bashkëpunojnë me ato austriake për të ndihmuar në zbardhjen e plotë të ngjarjes që tronditi Vjenën të hënën.

“Hetimet në Austri po vijojnë paralelisht me ato të Maqedonisë së Veriut, policia këtu po bashkëpunon për të zbuluar më shumë rreth personalitetit dhe jetës që ka pasur i riu 20-vjeçar me origjinë nga Çellopeku i Tetovës. Prindërit e tij janë me prejardhje nga Maqedonia e Veriut, ai ka lindur në Austri, por për faktin se ka kombësi veri-maqedonase ai po hetohet edhe në vendin e origjinës,” – u shpreh Iljazi, e cila shtoi se nga autoritetet lokale nuk kanë pasur dëshirë ta bëjnë publik emrin e autorit.

“Euronews Albania e mësoi më parë emrin e autorit nga burime jo-zyrtare, policia verio-maqedonase tha se do të ishte e rezervuar deri në momentin kur homologët austriakë të jepnin detaje,” – tha gazetarja e Euronews Albania teksa shtoi se udhëheqësit politikë i dërguan mesazhe mbështetjeje Vjenës.

Në konferencën për shtyp, kancelari Kurz dënoi ashpër sulmin terrorist duke këmbëngulur se “për këtë ngjarje, Austria nuk duhet të dënojë të gjithë besimtarët e një feje” pasi kjo “është një luftë mes njerëzve që besojnë në paqe dhe atyre që besojnë te terrorizmi”.

Policia tha se i dyshuari kryesor për sulmin, Fejzullahu, u vra rreth orës 20:09, pak minuta pas nisjes së të shtënave.

Nga sulmi, që ndodhi në të paktën gjashtë vende në qendër të Vjenës, humbën jetën katër persona ndërsa rreth shtatëmbëdhjetë të tjerë u lënduan, prej së cilëve shtatë janë në gjendje të rëndë.

Rreth 1 mijë punonjës policie u angazhuan mëngjesin e së martës për sigurinë e qytetit duke vijuar kështu gjendjen e alarmit.

Policia aktualisht po vijon aksionin për kapjen e të dyshuarit tjetër për aktin terrorist, i cili thuhet se i shpëtoi aksionit. Deri më tani janë bastisur 15 banesa ndërsa janë shoqëruar disa persona.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH