
Nga Forumi Ekonomik i Shkupit ku marrin pjesë liderët e Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Serbisë, Kryeministri Edi Rama ka thënë se Minishengeni Ballkanik është një nismë e hapur për të gjithë dhe që duhet të jetë projekt i së ardhmes.
Gjatë fjalës së tij, Rama tha se bashkëpunimi mes 4 vendeve të Ballkanit synon të njëjtat liri themelore që ka edhe Bashkimi Europian. Më tej, ai theksoi se nisma nuk është ekskluzive për 3 shtete, por se të mirëpritur janë të gjithë.
“Kjo nuk është një nismë ekskluzive e Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, por është një nismë e hapur për të gjithë. Cilido është i mirëpritur të na bashkohet, por ne nuk mund të presim konsensus për t’u takuar. Çohet njëri e thotë unë vë veton dhe ju nuk mund të nënshkruani këtë apo atë. Ne nuk kemi luksin të humbasim kohë, pasi kemi humbur shekuj. Ne nuk mund ta bëjmë si ata dy ballkanasit që luftuan për sulltanin.
Kush thotë se është një nismë e projektuar në bodrumet e ish-Jugosllavisë, se Serbia do të na marrë gjithçka kemi, e para jeton në një botë paralele, e dyta jeton për politik në lëkurën e njerëzve dhe jo për rritjen e mirëqenies dhe forcimin e urave mes njerëzve. E treta, harron se po të nisemi kështu edhe BE-ja është një Jugosllavi e madhe. Nëse kjo është e vërtetë, kjo është një Jugosllavi e vogël. Kjo nuk është e vërtetë, pasi është një hapësirë që jeton me vlerat e BE”, tha Rama.