Editorial

Mini-shengeni ballkanik si epilogu i një rruge të gjatë dështimi...

Shkruar nga Liberale
Mini-shengeni ballkanik si epilogu i një rruge të gjatë

Ervis Iljazaj

Kryeministrat e Serbisë, Maqedonisë dhe Shqipërisë kanë firmosur krijimin e një shengeni ballkanik, që nënkupton heqjen e barrierave ekonomike për të krijuar një zonë ekonomike të përbashkët. Në terma ekonomikë personalisht nuk e di nëse Shqipëria fiton nga ky treg i përbashkët apo jo, pasi kjo është cështje e ekonomistëve. Por, një kostatim në këtë drejtim mund të bëhet edhe pa patur shifrat reale të shkëbimeve ekonomike midis shteteve. Heqja e barrierave favorizon gjithmonë vëndin që eksporton më shumë. Dhe vëndi që eksporton më shumë brenda ‘’ shengenit’’ është Serbia.

Zakonisht kur je vëndi më i dobët  ‘’ luhet’’ në mbrojtje. E megjithatë, Shqipëria ka vendosur të luaj në fushë të hapur. Ndoshta duhet pritur për tu vënë në  zbatim për  të kuptuar nëse Shqipëria do përfitojë apo jo nga kjo zonë ekonomike pa barriera.

Por, përtej arsyeve ekonomike shengeni ballkanik ka dhe një aryse politike, ose më saktë gjeopolitike. Krijimi i këtij shengeni vjen në një moment kur zërat se Europa po bllokon apo po stopon përparimin e procesit të integrimit të këtyre vëndeve po shtohen gjithmonë e më shumë . Me sa duket, bllokimit të Bashkimit Europian. vëndet e Ballkanit Perëndimor po i përgjigjen duke krijuar zonën e tyre të përbashkët ekonomike.

Në fakt, kjo është strategjia e ndjekur nga Bashkimi Europian në raport më vëndet e Ballkanit Perëndimor. Duke filluar që nga Konferenca e Selaniku e vitit 2005 e deri te ajo e Berlinit e këtij viti, procesi i integrimit të Ballkanit Perëndimor  në Bashkimin Europian, duke konsideruar kohën e gjatë që ka kaluar, mund të konsiderohet pa frikë si një proces i dështuar.

BE ka qenë gjithmonë  në një pozicion midis interesit të saj gjeopolitik për ta patur këtë rajon brenda saj dhe pamundësisë për ta integruar. Në këtë kuptim, sidomos Gjermania është përpjekur të krijojë një zonë ekonomike të përbashkët brenda Ballkanit Perëndimor. Mjafton këtu të përmendim procesin e Berlinit apo iniciativa të tjera si këto të ndërmara me qëllim për mbajtur këtë rajon të lidhur, duke e ditur mjaft mirë që është një zonë me potencial të lartë konflitkti.

Në të gjithë këtë histori, është ende  i hapur debati më shumë se kurrë nësë vonesat në procesin e integrimit të këtyre vëndeve është faji i Europës dhe kontekstit të saj të brendshëm, apo faji i keq qeverisjes të klasës politike që drejton këto vënde. Këtë debat e ka ushqyer sidomos Kryeministri i Shqipërisë, që është dhe iniciatori i shengenit ballkanit. Në të vërtetë qëndrojnë të dyja opsionet. Vonesa e integrimit të Ballkanit Perëndimor në disa aspekte vjen si pasojë e stopimit të politikave të zgjerimit të BE, por në shumë aspektë të tjera është totalisht përgjegjësi e keq qeverisjes e politikës në Shqipëri dhe vëndeve te tjera që kanë mbetur pas.

Natyrisht që një shengen i tillë nuk duhet parë me shqetësim, ashtu sikurse është gjykuar në ditët e fundit nga shumë njërëz, fundja është një shkëmbim tregtar dhe shoqëror që nuk ka në parim asnjë efekt negativ. Por, ajo që duhet të shqetësojë Shqipërinë dhe që duhet të jetë dhe fokusi i saj në këto raste, është cështja e Kosovës. Shqipëria kurrsesi nuk mund të lërë jashtë iniciativave të tilla Kosovën, aq më tepër rajonale, gjë e cila do ta izolonte atë edhe më tepër. Në këtë rast, raportet midis Kosovës dhe Serbisë po vendosen dhe do të vendosen gjithmonë  e më shumë nga marrëdhëniet tregtare, taksa që vendosi Kosova ndaj mallrave serbe e vërtetoti këtë. Në këtë kuptim, Shqipëria nuk mund të marrë asnjë iniciativë të tregut të lirë pa u konsultuar më parë me Kosovën, duke qenë se nga këto marrëdhenie varet edhe ardhëmeria e Kosovës në raport me Serbinë.

Prandaj, shengeni ballkanik sa do efekte pozitive mund të sjellë për Shqipërinë, nuk mund kurrsesi të zëvëndësojë shengin europian për shqiptarët e Kosovës dhe Shqipërisë. Nëse bëhet vetëm për të zëvëndësuar tregun e përbashkët europian është e rrezikshme dhe nuk na con asgjëkundi. Mirë se të vij një treg i përbashkët ballkanik, por ëndrra e shqiptarëve është Europa. Ata që na kanë premtuar Europën, nuk mund të na gënjejnë me Ballkanin e bashkuar. /Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH