Aktualitet

Minatorët, jehona nga nëntoka

Shkruar nga Liberale
Minatorët, jehona nga nëntoka

Armand Kullau

Minierat në vendin tonë janë kthyer në vende flijimi ku përveç vdekjes që mbyt jetën e minatorëve, minierat kthehen edhe në shkaktare të rrënimit të familjeve që kanë kryefamiljarët nëpër këto vende. Atje ku merren mineralet e pasura, atje groposen jetët e njerëzve që me djersë e gjak mundohen të shtyjnë jetën para duke u përpjekur t'u japin fëmijëve të tyre një mundësi për t'u arratisur nga ky realitet Migjenian.

Asnjë qeveri nuk është kujtuar për këta njerëz, asnjë politikan nuk ka ardhur dhe të tregojë se kjo gjë duhet të marri fund.

Nuk po flasim të mbyllim minierat, absolutisht jo, por minatorët në Shqipëri duhet të kenë kushte sigurie dhe një status që u lejon atyre ta jetojnë jetën ashtu siç e meriton çdo njeri që jeton në një sistem demokratik.

Por politika e injoron këtë çështje sepse ajo rrezikon të jetë shkëndija që do prishi ekuilibrat politik duke i mobilizuar të gjithë punëtorët në kërkimin e të drejtave të mohuara pasi kjo është Shqipëria, një vend që ofron punëtorët më të mirë dhe më të nëpërkëmbur në Europë.

Por siç dihet kohët ndryshojnë dhe asgjë nuk është e përjetshme dhe si çdo vend që ka heronjtë e saj, Shqipëria i ka gjetur heronjtë e saj, minatorët e Bulqizës të cilët shpallën në 17 nëntor 2019 krijimin e Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës në Shqipëri me në krye minatorin Elton Debreshin, i cili ishte kandidati i vetëm i pavarur që kandidoi në qarkun e Dibrës në qytetin e Bulqizës për minatorët.

Minatorët e pushuar nga puna sepse krijuan një sindikatë të pavarur në Shqipëri, kanë nisur një mision që megjithëse është i vështirë, ky mision mbart vlera, mbart forcën për të jetuar si njeri mes njerëzve, mbart kurajon për tu rebeluar ndaj plogështisë që ka pushtuar politikën tonë.

Mbi të gjitha zërat e tyre janë një jehonë nga nëntoka, nga shpirtrat që kanë “ngecur” aty të cilët kërkojnë që minierat të ndryshojnë, që Bulqiza të ndryshojë por mbi të gjitha, ne shqiptarët duhet të ndryshojmë pasi emigracioni masiv është sfidë ekzistenciale e cila minon jo vetëm Shqipërinë e sotme por ato na sjellin idenë se ne shqiptarët do të kthehemi në një popull endacak, pa atdhe por veç me përralla e histori si një komb i pafuqishëm për të përballuar lakminë e “kazanit politik” që ka përfshirë Shqipërinë.

Nuk ka asgjë më të fuqishme sesa një ide brenda një njeriu sepse ideja jeton edhe pasi njeriu vdes. Është natyra e përjetësisë së ideve që i frikëson elitat sunduese të fshehura pas politikës sepse ekziston një e vërtetë absolute të cilën askush nuk mund ta mjegullojë dhe kjo është ideja që askush nuk mund të na bëjë të heshtim përgjithmonë, askush nuk mund të na burgosë të gjithëve, askush nuk mund të na ndalojë të gjithëvë, a e dini pse? Ne i duhemi sistemit politiko-ekonomik sepse sistemi bie pa ne ndërsa ne të ndërgjegjësuar për faktin që një pjesë e politikës duhet reformuar, ne do e nxisim politikën të realizojë një revolucion politik në vetvete.

Kjo ide vërtitet në kokën e minatorëve dhe kjo është arsyeja që çeshtja e minatorëve po merr vëmendjen nga të gjithë shqiptarët dhe nga organizatat ndërkombëtare ku edhe pse ata kanë nevojë për punën në minierë, ata sëbashku zgjodhën rrugën më të vështirë duke na kujtuar se oligarkët, politikanët e korruptuar dhe gangsterat mund të heshtin disa prej nesh por nuk mund të heshtin kurrë një komb të tërë, një komb që në 25 Prill dërgoi një mesazh të qartë për rrotën politike duke e shkatërruar por edhe një mesazh të qartë Partisë Socialiste. Partia Socialiste e Shqipërisë ka nevojë të rishikojë programin e vet politik dhe minatorët janë gurthemeli. 25 Prilli ishte shkëndija e parë që tregoi se minatorët kanë filluar të dëgjohen dhe mesazhi u përcoll.

Ne jemi këtu, ne nuk tërhiqemi dhe ne i bëjmë apel Kryeministrit Edi Rama të na shpalosë kësaj radhe aftësinë e tij për të qënë përparimtar duke rishikuar Statusin e  Minatorit në Kuvendin e Shqipërisë. I takon Partisë Socialiste të tregojë se ajo është e Majta progresiste e cila rikrijon programin e ri mbi themelet e të vjetrit. Le ta rindërtojmë Shqipërinë nga Thembra e Akilit, shtresa punëtore e cila mban ekonominë, mban vendin dhe që largohet thjesht prej pagave që mohojnë nocionin më të bukur të jetës, e drejta për të ndjekur rrugën e lumturisë.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH