Kryesore

Midis qiellores, natyrës dhe mendimit

               Publikuar në : 10:39 - 17/05/21 liberale

( Përsiatje për librin “Lus tokën” të autores Teuta Dhima)

Fatmir Minguli

Kish kohë që shumëkush priste të kishte në duar librin e autores Teuta Dhima, jo thjesht nga kureshtja. Ishte interesi për të lexuar krijimtarinë e kësaj poeteje, kësaj analisteje të mrekullueshme, moderatoreje të veprave letrare të dhjetra e dhjetra autorëve, jo vetëm në qytetin e Durrësit.

Dhe ja, sot kemi në duar poezinë e saj, mendimin dhe shpirtin poetik me poezitë elegante, delikate dhe njëkësisht aq të bukura, që janë kombinuar në këtë libër me disa proza poetike.

Një libër me poezi të shkurtra plor me mendime, të cilat zgjaten në hapësirat e detit ku perëndimet janë si fustane apo fustanet poetja i do në ngjyrën e perëndimit, mendimet zgjatet akoma më tej nga qielli që është i qëndisur si pëlhurë, deri te pema e sapombjellë në kopsht.

Poezitë e Teuta Dhimës janë tjetër lloj, janë një kompleks ku bashkohen me art ngjyrat e dashurisë, ku e kuqja e mistershme me qindra fraksionet e saj, duket se e merr flakërimin nga qendra e tokës, ku zjarri është i përhershëm.

Prandaj ajo i lutet tokës duke mbajtur qiellin mbi krye dhe i shëtit mendimet mes një harmonie, ku e padukshmja është më e fortë se e dukshmja. Ajo, poetja i kthen mendimet në fjalë, sepse edhe Borgesi erudit shkruan: “ Kur afrohet fundi nuk ka më tablo që mbahen mend, mbeten vetëm fjalët…”.
Kështu Teuta Dhima, si rrallë poetë e poete shqiptare, ka krijuar mitin artistik origjinal të saj sepse, nëse në teknikë dhe në shkencë ka shpikje konkrete, në poezi krijohet emocion i pabazuar në ngjarje reale, por në mbresa e vegime të së shkuarës ku reflektohet e ardhmja dhe e tanishmja kalon tangent.

Të lexosh Librin “Lus Tokën “ të Teuta Dhimës zëre se ke lexuar “Rrëfimet”, herë të Shën Agostinit e herë ato të Zhan Zhak Rusoit.

Por nuk mund të mos flasësh për poezitë dhe prozën poetike të këtij libri, pa komentuar poezinë brilante “Harpa”, ku poetja të fut në grackën e muzikës dhe shigjeton zemrën, apo poezinë e zhdërvjellët, lakonike dhe kuptimplotë “Nënmalësja”, e cila të kujton planin strategjik të mbretëreshës Teutë në luftën detare me akejtë në Korkyrë, plan i mendjes femër tek lidhi çdo katër anije ilire e ku ngecën anijet e akejve. Ishte viti 229 para erës së re.

Poezitë e Teutës poete fillimisht të duken të drojtura, pak si të pakuptueshme por me një mendim të qetë; me një matje emocionesh arrin të zbërthesh forcën poetike të tyre, si psh. tek poezia “Trokitje degëze” ajo duket sikur edhe lexuesit i thotë:

“ Eja!

Trokit pa nguruar, eja të flasim përsëri.”

Po të shikosh me vëmendje këto poezi, vë re se në shumicën e rasteve mungesën e ngjarjeve, domethënien e subjekteve e zëvenëson dualizmi, i cili herë vjen si ekzistencializëm, shprehje e lartë e njohjes së vetvetes, psikoanalitikë ku fenomeni i pritjes, ndoshta, është më shprehësi.

Nëse në fillim përcaktova se e pakuptueshmja është më e fortë se e kuptueshmja, kam dashur të tregoj forcën e metaforës që kjo autore përdor me kaq bukuri. Në poezinë “Veç një lojë”, metafora e bilardos me vdekjen, veç dualitetit, ka dhe një origjinalitet krejt të vecantë:

“ Në njerën anë, tym, tifozllëk,
pranë tyre, fare ngjitur,
një djalosh reklamon kurora.
Bilardo dhe kurora.
Duket sikur vdekja
Të jetë veç një lojë.”

Dhimbja, kjo kryefjalë e poezive të këtij libri, kalon faqe më faqe dhe endet jo vetëm në brengat, mallin për nënën, ikjen e stinëve, vyshkjen e pistileve, vallëzimin në shi të pëllumbave, udhët e heshtura, përhumbjen e zogjve, lotët e lotëve e deri te pusi që thahet prej mallit, por shkon më tej deri në thellësi të një mendimi poetik që kthehet në stil, në një origjinalitet të poezisë.

Sa mungojnë këto lloj origjinalitetesh në poezinë e sotme shqiptare! Sa mungojnë poezitë e vërteta ku subjekti mungon, por shfaqet papritmas me rreshtave të poezive të mendimit.

Në prozat poetike të librit “ Lus tokën”, lexuesi do të ketë një lloj pasthënie për poezitë e autores. Një pasthënie ku “shpirti ka dalë shëtitje” dhe ku mëngjesi lufton me perëndimin dhe malli triumfon jo vetëm për vajzën e ëndrrave por dhe për trishtimin, këtë formë emocionale të shumë poetëve.

Dhimbja e poetes, ky është libri i Teuta Dhimës, një dhimbje tjetërsoj që në një farë mënyre i sjell lexuesit vëmendjen e duhur për të parë realitetin në sy, ku fasadat shumëngjyrëshe nuk mund të mohojnë dhimbjen e brendësisë jo politike, por njerëzore.

Dhimbja është normale, sepse euforia, që është e kundërta e dhimbjes, nuk mund të prodhojë poezi si këto.

Shkoni në kishën e Shën Vlashit në Durrës e aty do gjeni qetësinë rreth e qark, aty ku:

“Mijëra hapa nxitojnë për t’i ndezur
Tym, qetësi dhe erë rozmarinë
për amëshim shpirtrash në Shën Vlash.”

Për poezitë e Teuta Dhimës do të shkruhet e do të shkruhet…Janë tjetër soj! /Gazeta Liberale


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back