Kryesore

Metamorfoza e protestës

               Publikuar në : 10:25 - 14/05/19 Liberale

Efekti i ndërkombëtarëve te protesta e djeshme dhe ngjashmëria me marshimin homazh të ish-opozitës së Ramës, më 28 janar 2011. Pse opozita realizoi, edhe pa molotov, qëllimet për përgjigjen e ngjarjeve të së shtunës dhe vijimësinë e protestave. Reagimi ndryshe i CDU/CSU dhe dialogu i ambasadës së SHBA.

Arion Sulo

E pritur me vëmendje të shtuar për shkak të pikës kritike të arritur në protestën e së shtunës, ku skenografia përbëhej nga policë në mes të molotovëve, flakëve dhe kapsollave dhe në fund shkopinjtë e gomës mbi Sahit Dollapin, sekretarin organizativ të PD-së, marshimi i djeshëm zhgënjeu nxitësit e përshkallëzimit dhe qetësoi pjesën e distancuar nga dhuna.

Nën një shi të pandërprerë që ndikoi në zvogëlimin e numrit të mbështetësve të opozitës nga e shtuna, identiteti paqësor i protestës-marshim në pesë stacione u përcaktua nga qëndrimet e selive kryesore të ndërkombëtarëve në Tiranë,  që reaguan të gjithë në një kohë. Deklaratat e ambasadës së SHBA-së, të Gjermanisë, Italisë, Britanisë dhe delegacionit të BE-së, u bënë qëllimisht një orë para nisjes së protestës. Për të shmangur përsëritjen e ngjarjeve të së shtunës, apo më keq përshkallëzimin ata theksuan se “dënojnë dhunën e pranishme gjatë protestave të 11 majit në Tiranë dhe përgjegjësit e saj”. Thirrjet e faktorit të huaj i drejtoheshin me emër kryetarit të Partisë Demokratike dhe drejtueses së Lëvizjes Socialiste për Integrim  Monika Kryemadhi,   për të dënuar dhunën në protestën e së shtunës dhe të siguronin se protestat e ardhshme do të jenë paqësoreDuke përmendur dhunën që çoi në plagosje, përfshirë edhe dëmtim të vendbanimit së Ambasadorit të OSBE-së, selitë nënvizuan edhe se policia nuk është dorëjashtë. “Edhe autoritetet ligjzbatuese kanë përgjegjësi për të vepruar me vetëpërmbajtje, përfshirë edhe rastet kur iu përgjigjen provokimeve”.

Paqe pas furtunës

Nëse numri më i vogël i pjesëmarrësve lidhet me kohën e pakët në dispozicion të organizimit, motin me shi dhe përkimin me muajin e Ramazanit, gjatë të cilit shumë qytetarë agjërojnë, frenimi i ashpërsimit dhe heqja dorë nga molotovët i atribuohet dje selive perëndimore, lëvizja e të cilëve nisi që në mëngjes, kur kreu i delegacionit të BE në Tiranë, Luigi Soreca i shkoi në Tiranë kreut të PD, sigurisht në lidhje me përmbajtjen e protestës që do mbahej pas pak orësh.

Por nga ana tjetër opozita, me manifestimin e djeshëm, kërkoi të tregojë se mund të mbajë protesta kombëtare jo vetëm një herë në muaj, por edhe të vijueshme. Megjithë vështirësitë e ditura teknike, ajo e djeshmja ishte politikisht e paracaktuar për shkak të protestës së 11 majit, ku përveç rrahjes së Sahit Dollapit, kurba e tensionit erdhi në ngritje. Reagimi i shpejtë i opozitës, as 48 orë më pas, ishte sipas saj një përgjigje e dhunës së policisë natën e së shtunës. Në këtë sens, debatet për numrat nuk janë më prioritet.

E realizuar si një marshim, taktika e opozitës për t’u ndalur në pesë institucione të lidhura me kauzën e saj, protesta arriti të bllokonte përkohësisht qarkullimin e automjeteve, të shpërndante hartën e territorit të shkelur, ndërsa përcolli imazhin se paqësisht, reagimi ishte njëherësh edhe i ndjeshëm.

Për ta kthyer protestën nga të dhunshme në paqësore mjaftoi heqja e molotovit nga arsenali i një pjese të protestuesve, ndërsa vendosmëria dhe vijimësia ishin dy tiparet që përcolli Basha.

Pas manifestimit të djeshëm natyra e protestave në vijim do të duhet të përcaktohet për të shmangur lodhjen, që vjen nga ndryshimi i strategjisë së lidershipit opozitar.

Furtuna diplomatike dhe sinjalet e dialogut

Reagimi i ambasadorëve që pritej në mesditë, u koordinua të ishte sa më pranë orës së nisjes së protestës. Ndërkombëtarët ia dolën të frenonin eskalimin e dhunës, njësoj siç ndodhi tetë vite më parë, një javë pas protestës së opozitës së asokohe më 21 janar 2011, kur ish ambasadori Arvizu arriti që t’i kthente mendjen kryeministrit Berisha për të mbajtur një miting me demokratët, ndërsa Ramës t’i ulte vrullin dhe ta kthente protestën në marshim-homazh për katër të vrarët.

Nga ana tjetër,  për herë të parë në deklaratat e ambasadës amerikane që nga fillimi i krizës politike, kërkohet që të gjitha palët të zmbrapsen nga përplasjet dhe të përfshihen në një dialog konstruktiv, që synon t’i japë fund ngërçit politik”.

Por më e pazakonta për këto kohë, kur opozita nga ndërkombëtarët është kritikuar për djegien e mandatave dhe bojkotin e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit, ishte qasja e përfaqësuesve të grupit parlamentar në Bundestagun gjerman, CDU/CSU. I dyti në pak ditë, qëndrimi i dy deputetëve gjermanë dënon dhunën në protesta dhe ofron ndihmë në kapërcimin e krizës. Zëvendëskryetari i grupit parlamentar të Unioni Kristiandemokrat / Unioni Kristiansocial (CDU/CSU) në Bundestag dhe njëherazi kryesues i grupit të punës së Ballkanit Perëndimor, Johann David Wadephul (CDU), si edhe raportuesi për Shqipërinë në Komisionin e Bundestagut për Çështje të Jashtme, Christian Schmidt (CSU), kërkojnë nga pozita dhe opozita në Shqipëri,  që të hyjnë në dialog pa kushte. Në një deklaratë të përbashkët, pasdite në Berlin, të dy deputetët e këtyre dy partive simotra me Partinë Demokratike të Shqipërisë, shprehen se “Si udhëheqësit politikë, organizatorët e demonstratave, ashtu edhe forcat e sigurisë, duke përfshirë edhe Ministrin e Brendshëm, duhet ta sigurojnë këtë. Të dyja palët duhet të kontribuojnë për shtensionim. Por, mjerisht po ndodh e kundërta. Shtensionimi përfshin edhe vetëpërmbajtje në përzgjedhjen e fjalëve! Por kush flet për “luftë”, bën të kundërtën! Qeveria dhe opozita tani duhet të hyjnë në dialog urgjentisht dhe pa asnjë parakusht dhe,  të jenë të gatshme për kompromise. Të dyja palët janë njësoj përgjegjëse për paqen e brendshme dhe për krijimin e kushteve për çeljen e negociatave të anëtarësimit. Ata që nuk janë të gatshëm ta bëjnë këtë menjëherë, janë duke e çuar veten drejt izolimit politik. Ne jemi të gatshëm për të ndihmuar në kapërcimin e krizës”, përmbyllet deklarata e dy politikanëve gjermanë.

Java vendimtare

Basha të shtunën tha se java që vjen është vendimtare. Kjo s’ ka të bëjë vetëm më karikimin që ai deshi t’u bëjë pjesëmarrësve, por para së gjithave me kohën që shtrëngon dhe afatet ligjore të zgjedhjeve që po digjen. Dje u kapërcye afati për regjistrimin e kandidatëve, i cili gjithashtu u kapërcye edhe në 2017. Por më shumë se kaq, nisja e fushatës zgjedhore i fut palët në llogore më të ngurta se tani dhe kuptohet që, dialogu me qeverinë dhe kryeministrin bëhet më i vështirë nëse ata nisin fushatën elektorale.

Duke bërë të njëjtat llogari,  kryeministri dje i bëri kreut të PD një gjysmë ftese për dialog, por duke i nënvizuar se “autobusin e 30 qershorit e humbe, por mos humb trenin e qershorit 2021”. Ky reagim i Ramës vjen edhe si pasojë e deklaratave të djeshme nga përfaqësuesit diplomatikë të ShBA-së dhe Gjermanisë, ndërsa vërtetësia e tij mbetet të verifikohet gjatë ditëve në vijim. Edhe pse duket se ftesa është për zgjedhjet e pas dy viteve kuptohet që ky është një kusht paraprak i tij, por nuk dihet sesa mund të qëndrojë në këmbë, nëse palët fillojnë komunikimin me qëllimin gjetjen e një marrëveshje më të gjerë se zgjedhjet lokale të 30 qershorit./ Gazeta Liberale

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *