Aktualitet

“Metamorfoza e një kryeqyteti”, si pasqyrë e ndërgjegjes së të...  

Shkruar nga Liberale

Dritan Idrizi

“Metamorfoza e një kryeqyteti” romani i shkrimtarit Ylljet Aliçka, na sjell në vëmendje ndryshimet thelbësore që pësuan intelektualët, por dhe shoqëria në tërësi, pas diktaturës komuniste. Metamorfoza në vetevete është një transformim i madh, i beftë që e kemi ndeshur dhe ne vepra te tjera letrare, si një ndryshim që e prek indivin në psikën e tij dhe luftën që ka me veten ose me shoqërinë. Metamorfoza e qenieve që udhëhiqen nga arsyeja, jo gjithnjë merr një drejtim pozitiv, mjafton të kujtojmë një nga veprat më të shquara të letërsisë botërore siç është “Metamorfoza” e Franz Kafkës.

Romani prezanton që në faqet e para personazhin kryesor, shëmbëlltyrë e intelektualit të viteve ‘70, në Shqipërinë Komuniste, Beniamin Bendon. Ai është një personazh që mund ta ndeshësh lehtësisht edhe sot, në përditshmërinë e tranzicionit, i cili “vlerat” e kohës së diktaturës i shfaq si anti-vlera të shoqërisë së sotshme, ku personazhet e jetës aktive të Tiranës së pas viteve ’90, janë kthyer në kundërshtarët më të mëdhenj të sistemit të kaluar edhe pse ishin po aq aktivë dhe të zellshëm ndaj sistemit monist.

Ky roman është një parodi e mprehtë, me doza të forta ironie dhe sarkazme, të cilat e bëjnë këtë libër interesant dhe gjithëpërfshirës për çdo lexues kurioz për kohën e kaluar dhe kohën në të cilën po jetojmë sot.

Metamorfoza e individit që ishte mësuar t’i shërbente partisë dhe sistemit në kurriz të vetë individit, nëpërmjet analogjisë stilistike të shkrimtarit na e lehtëson identifikimin e personazhit të atëherëshëm dhe individit të transformuar në dukje, në ditët e sotme.

Ky roman na tregon sesi shoqëria e diktaturës “kaloi” nga një shoqëri që në krye të vëmendjes kishte  gjithë të “mirën” e përbashkët, në një shoqëri e cila “rrëshqiti” në një të ashtuquajtur demokraci kaotike, ku mjafton të anatemohej e shkuara dhe keqbërjet e sistemit - duke harruar përgjegjësinë e secilit që i kishte shërbyer me devotshmëri atij, jo vetëm prej frikës, por dhe dëshirës për të shtypur ata që nuk ndiqnin “frymën e partisë” dhe të kohës - për të qenë një qytetar i “devotshëm” i shoqërisë pluraliste.

Në objektin e këtij romani dallohet fryma e njeriut që ndryshon qëndrimet dhe botëkuptimin e tij sipas “oreksit”, kohës dhe situatës. “Përshtatshmëria” vlerësohet si suksesi i madh edhe pse, shpesh, ajo bie ndesh me etikën morale të vetë personazheve (Vladimiri, Sadiku, Beniamini, etj).

Beniamini, personazhi qendror i veprës, aftësitë e tij artistike, i vë në shërbim të parave të lehta – duke thutur vargje për vdekjen e njerëzve të panjohur, familjarët e të cilëve kur humbasin të dashurit e tyre kërkojnë të përjetësojnë kujtimin e tyre me disa vargje here-herë heroike dhe here-herë qesharake sa që duket sikur ishin shkruar për gjithkënd, por jo për të afërmin e tyre që po të kishte mundësi të dëgjonte ato fjalë që ishin shkruar enkas për të do mendonte se e kishin ngatërruar me ndonjë hero lufte, artist të njohur apo me çdokënd që kishte pasur një jetë të lavdishme! Një tipar absurd ky i kohës kur njerëzit filluan ta shikonin lirinë e ardhur si pasojë e ndryshimit të menjëhershëm, si një rrugë për të bërë çfarë të donin duke lënë në harresë të shkuarën aspak të lavdishme.

Ky roman gjithashtu, na sjell në vëmendje kaosin post-komunist të krijuar nga ata që i shërbyen sistemit të shkuar dhe që me vrull e “energji të reja”, krijuan një oaz të ri për t’iu përgjigjur si duhet sfidave të demokracisë. Dikush që kish’ qenë skulptor i shquar gjatë dikataturës, pas rënies së kësaj të fundit, e gjeti veten në rrugët e vendeve Perëndimore duke shitur artin e tij për të mbijetuar. Dikush tjetër shante jashtë shtëpisë të shkuarën dhe thurte lavde për të tashmen post-komuniste, por në gjirin e familjes vajtone lavdinë e kohës së partizanëve dhe të “komandantit”.

Këto histori njerëzish të të dy kohëve na kujtojnë të shkuarën absurde dhe na bëjnë t´i kushtojmë vëmendje të tashmes rutinore të kryeqytetit, si entiteti ku çdo shqiptar kishte “përfaqësuesin” e tij, që kaloi mendjelehtësisht nga diktatura në post-diktaturë pa bërë asnjë analizë të së keqes dhe fajeve të së shkuarës dhe si rrjedhojë asnjë përçapje për të nxjerrë mësime.

Autori shkon më tej, duke u thelluar në brendësi të personazheve. Ai paraqet natyrën njerëzore dhe sjelljet e saj të ndryshuara jo vetëm nga koha, por dhe nga mundësia për t’i ndryshuar ato pa qenë e nevojshme të japësh llogari “përpara pasqyrës”, e cila në momente dobësie herë shfaqej në formën e lotëve e herë në formën e një mediokriteti dhe hipokrizie kolektive mes të njëjtëve.

Boshllëku i vlerave, hipokrizia dhe çorientimi i hapjes së pakontrolluar post-komuniste, nënshtrimi, servilizmi dhe kurajo për të linçuar ata që mendonin ndryshe, tregon shumë për identitetet fiktive të improvizuara të shumë intelektualëve të kryeqytetit, por dhe të vetë shoqërisë tonë.

Çdo personazh mvesh një veti që ne e gjejmë lehtësisht tek personazhe të shquara publike në vend, që në një pjesë të rasteve janë kthyer në një “model anti-komunist” dhe që karrierën e tyre e kanë ndërtuar mbi “kufomat në dollap” të së shkuarës së tyre në harmoni të plotë me regjimin monist dhe tani si anatemuesit më të mëdhenj të asaj kohe, vazhdojnë të bëjnë analiza të atyre që drejtuan vendin për rreth pesë dekada, por duke harruar pozicionin e të “vegjëlve” dhe kontributin e tyre në thellimin e vujtjeve të atyre që mendonin ndryshe nga fryma e kohës.

Kjo vepër letrare gjithashtu na kujton orvatjet e atyre që sistemin e shkuar e donin për atë që zotëronin dhe këtë të riun për atë që i jep pa bërë asnjë “mea culpa” për të shkuarën aspak të çiltër dhe duke i qeshur pasqyrës së tashme. /Gazeta Liberale

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH