Aktualitet

Meta: S'ka amnisti, do shembim Tiraninë dhe Rindërtojmë Teatrin

Shkruar nga Liberale
Meta: S'ka amnisti, do shembim Tiraninë dhe Rindërtojmë

Presidenti Ilir Meta ka reaguar sërish për shembjen e Teatrit Kombëtar, teksa thotë se ngjarja e 17 majit nuk do të amnistohet kurrë. Në një postim në Facebook, Meta shkruan se bota demokratike u shokua nga ajo që ndodhi dhe se nuk do të harrohet pa u vendosur drejtësia mbi rrënojat.

"Tani kauza e tyre është e të gjithëve ne, dhe nuk do të ndalojë deri në shembjen e Tiranisë dhe Rindërtimin e Teatrit. Mirënjohje të përjetshme artistëve të cilët zgjuan qytetarinë", shkruan ndër të tjera Presidenti.

Postimi i plotë

Ajo që ndodhi në errësirën e 17 majit nuk do të amnistohet kurrë! Ndërgjegjja shoqërore dhe kombëtare u lëndua si kurrë më parë.

Maska e tiranisë ra përpara të gjithë shqiptarëve dhe e gjithë bota e vërtetë demokratike u shokua. Kurrë një ngjarje nga Shqipëria s'do prodhonte një jehonë të tillë dhe negative, që nuk shlyhet më dhe as harrohet derisa mbi rrënojat e 17 Majit të vendoset Drejtësia.

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit nuk humbi, por fitoi një kauzë edhe më të madhe duke i ndihmuar të gjithë shqiptarët e përgjumur për t'u zgjuar e bashkuar para se Tirania t'i shembë secilit shtëpinë e tij si banorëve të Unazës së Re.

Të gjithë shqiptarët e ndershëm u ndjenë të dhunuar pabesisht dhe poshtërsisht pasi Teatri ishte tempulli i tyre i përbashkët.

Të gjithe u ndjenë edhe në faj e borxh për heronjtë dhe heroinat që e mbrojtën atë për dy vjet e gjysmë me sakrifica të patreguara dhe nën presione të gjithanshme.

Tani kauza e tyre është e të gjithëve ne, dhe nuk do të ndalojë deri në shembjen e Tiranisë dhe Rindërtimin e Teatrit. Mirënjohje të përjetshme artistëve të cilët zgjuan qytetarinë.

Një popull që fle në demokraci zgjohet në diktaturë.

A nuk u zgjuam në diktaturë në mes të errësirës në 17 maj?

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH