Aktualitet

Meta publikon videon: Dënoj me forcë dhunën ndaj gazetarëve

Shkruar nga Liberale
Meta publikon videon: Dënoj me forcë dhunën ndaj gazetarëve

Presidenti Ilir Meta ka reaguar lidhur me incidentin që ndodhi gjatë aksionit të djeshëm të IKM-së në Tale të Lezhës, ku u ndalua edhe korrespondenti i një televizioni.

Presidenti ka publikuar videon, ndërsa shkruan se dënoj me forcë rastet e përsëritura të dhunës, shantazhit dhe kërcënimit policor mbi gazetarët në krye të detyrës.

Postimi i Metës:

Dënoj me forcë rastet e përsëritura të dhunës, shantazhit dhe kërcënimit policor mbi gazetarët në krye të detyrës, siç është edhe rasti i fundit i shoqërimit pa asnjë shkak të justifikuar ligjor të gazetarit z.Elvis Hila, i cili po raportonte për aksionin e IKMT në Shëngjin.

Duke shprehur solidaritetin e plotë me z.Hila, inkurajoj të gjithë gazetarët t’i shërbejnë me guxim, kurajo e profesionalizëm dhe transparencë informimit publik, bazuar vetëm mbi faktet dhe të vërtetat.

I bëj thirrje Policisë së Shtetit të tregojë profesionalizëm, të respektojë ligjin, lirinë dhe të drejtat e gazetarëve dhe të distancohet nga praktikat abuzive që na kthejnë pas në kohët më të errëta të dhunimit të të drejtave të njeriut, që e dëmtojnë rëndë imazhin e saj dhe të Shqipërisë.

Apeloj zbardhjen e plotë dhe hetimin me përgjegjshmëri maksimale të kësaj ngjarjeje dhe ndëshkimin pa hezitim të autorëve të këtij akti, si dhe të gjithë atyre që në mënyrë të përsëritur frymëzojnë dhunën, shantazhet dhe kërcënimet ndaj gazetarëve. /Gazeta Liberale

https://www.facebook.com/ilirmetazyrtar/videos/185307926255394

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH