Aktualitet

Meta letër Ramës për Covid-19: Të parandalohet në kohë katastrofa!

Shkruar nga Liberale
Meta letër Ramës për Covid-19: Të parandalohet në

Presidenti Ilir Meta i ka dërguar një letër Ramës, Manastriliut dhe Ruçit lidhur me përkeqësimin e situatës pas rekordit të djeshëm të ‘zi’ nga COVID-19.

Meta thekson se situata po shkon drejt një katastrofe dhe duhet parandaluar në kohë.

Po ashtu ai thekson se në këtë moment me këtë përkeqësim duhet një rivlerësim tërësor i situatës dhe masave të ndërmarra. Përpos paralajmërimit Meta shtron edhe 11 pyetje Ministrisë së Shëndetësisë dhe për dijeni kryeministrisë e Kuvendit, lidhur me situatën dhe masat.

Meta do të dijë se kur do të rritet numri i testimeve, a ka Shqipëria staf mjekësor mjaftueshëm për të gjurmuar kontaktet, rolin e mjekut të familjes, rimbursimin e shpenzimeve për trajtim, sa kapacitete spitalore dhe reanimatore janë vendosur në dispozicion të të sëmurëve me COVID-19 dhe atyre me sëmundje kronike, plani për vaksinën, financimet që janë ndërmarrë si dhe fondet që janë parashikuar në buxhet për në vijim.

Ditën e djeshme Shqipëria shënoi rekord viktimash, pasi 7 pacientë humbën jetën teksa rastet dita ditës janë mesatarisht rreth 300.

STATUSI NGA ILIR META

Nisur nga përkeqësimi i dukshëm i situatës së pandemisë COVID-19, me shtim të numrin të personave të infektuar, e fatkeqësisht me rritje edhe të numrit të qytetarëve të cilën kanë humbur jetën, shtrohet si domosdoshmëri një rivlerësim tërësor i situatës dhe masave të marra në raport me të, duke konsideruar edhe afrimin e stinës së ftohtë, si një tjetër faktor rëndues.

Me përshkallëzimin e krizës së rëndë politike e institucionale, veçanërisht pas shkeljes brutale e të njëanshme të Marrëveshjes konsensuale të 5 Qershorit, situata e pandemisë pritet të përkeqësohet drejt një katastrofe, që duhet parandaluar në kohë.

Në këto kushte, po bëj publike letrën zyrtare që i kam dërguar ministres së Shëndetësisë, për dijeni Kryeministrit ende në detyrë dhe Kryetarit të Kuvendit.

Referuar informacioneve zyrtare, situata e pandemisë COVID-19 është rënduar dukshëm javët e fundit në vendin tonë.

Sa më sipër, mendoj se duhet bërë një rivlerësim tërësor i situatës dhe masave të marra në raport me të, duke konsideruar edhe afrimin e stinës së ftohtë, si një tjetër faktor rëndues.

Elementët themelorë, të përcaktuara qartë nga OBSH, si testimi, gjurmimi dhe trajtimi, kërkojnë natyrshëm një intensifikim të jashtëzakonshëm të masave për realizimin e plotë të tyre.

Duke pasur parasysh që Shqipëria ka numrin më të ulët të testimeve në Evropë, çfarë masash janë marrë për të shtuar këtë numër? A ka ndonjë parashikim se kur dhe sa do të rritet numri i testimeve në ditët në vijim?

A kemi staf mjekësor dhe mbështetës mjaftueshëm për të siguruar gjurmimin e kontakteve, veçanërisht me rritjen e numrit të të infektuarve me Covid-19?

Çfarë përpjekjesh janë bërë për vënien në efiçencë të plotë të mjekut të familjes, si në nivel testimi ashtu edhe diagnostikimi dhe mjekimi të pacientëve që mjekohen ambulatorisht?

Çfarë masash janë marrë për rimbursimin e shpenzimeve për mjekim apo kontroll të pacientëve, që mjekohen ambulatorisht, duke pasur parasysh që këto shpenzime kapin vlera shumë të larta për qytetarët shqiptarë?

Për sa i takon trajtimit, vërehet qartë se të dy strukturat e përcaktuara, spitalet COVID1 dhe COVID2 janë tepër të ngarkuara.

Sa kapacitete spitalore dhe reanimatore janë vendosur në dispozicion të të sëmurëve Covid dhe sa në dispozicion të të sëmurëve të tjerë me sëmundje kronike ose jo, të cilët kanë vështirësi në marrjen e ndihmës mjekësore?

A ka një plan koordinimi midis sistemit shëndetësor publik e atij privat për testimin, gjurmimin dhe kurimin sa më të mirë të pacientëve të prekur nga Covid-19?

Si është planifikuar vaksinimi stinor dhe sa është përqindja e popullsisë me risk të lartë, e vaksinuar deri në këto momente?

Çfarë masash janë marrë për sigurimin e vaksinës dhe për vaksinimin e popullsisë kundër Covid-19 dhe si mendohet të kryhen fazat e këtij vaksinimi menjëherë mbas daljes së vaksinës?

A janë planifikuar në buxhetin e shtetit fonde të mjaftueshme për përballimin e pandemisë Covid-19, në rritje dhe pasojat e saj në shëndetin e popullsisë?

Sa financime janë kryer deri tani, sa janë parashikuar të kryen në javët dhe muajt e ardhshëm dhe cilat janë instrumentet financiare që do të përdoren për të përballuar situatën shëndetësore që po përkeqësohet dita ditës?

Duke Ju falënderuar për bashkëpunimin,

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH