Aktualitet

Meta letër institucioneve: Risku i lartë, merrni masa për zgjedhjet

Shkruar nga Liberale
Meta letër institucioneve: Risku i lartë, merrni masa për

metaPresidenti Ilir Meta u ka nisur një shkresë institucioneve për marrjen e masave të shtuara përgjatë periudhës para dhe pas zgjedhore.

Në letrën e kreut të shtetit drejtuar ndër të tjera drejtorit të përgjithshëm të policisë, avokatit të popullit, kreut të KQZ-së, drejtorit të burgjeve, të doganave dhe tatimeve, guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, si edhe kryetarit të KLSH-së kërkohet garancia për mirëfunksionimin e aparatit shtetëror në tërësi.

“Presidenti i Republikës, në ushtrim të kompetencave kushtetuese është angazhuar maksimalisht për të ndjekur edhe me më shumë vëmendje dhe për tu informuar, mbi funksionimin e institucioneve shtetërore, përgjatë periudhës së fushatës zgjedhore, situatën para dhe paszgjedhore në tërësi, deri në daljen e rezultatit përfundimtar zyrtar të zgjedhjeve dhe fillimit të ushtrimit të mandatit prej Kuvendit të ri”.

Presidenti do të monitorojë me vëmendje veprimtarinë e të gjithë administratës shtetërore dhe situatën zgjedhore për të frenuar çdo veprim të paligjshëm. Sipas tij kjo periudhë paraqet nivel të lartë të rriskut, për shfaqjen e veprimeve të kundraligjshme.

“Në funksion të realizimit të një procesi zgjedhor të qetë dhe sipas standardeve europiane; për mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut; dhe për të frenuar e denoncuar çdo fenomen negativ që mund të shfaqet përgjatë gjithë kësaj periudhe, Presidenti i Republikës, do të ketë vëmendjen maksimale për të monitoruar veprimtarinë e administratës shtetërore, situatën zgjedhore në tërësi, për të evidentuar apo frenuar çdo veprim apo mosveprim të kundraligjshëm, që reflekton hapur përpjekje për të ushtruar trysni politike, apo që synon të cenojë votën e lirë të qytetarëve të Republikës së Shqipërisë, duke përfshirë këtu edhe vëmendjen e shtuar ndaj të gjithë fenomeneve që mund të reflektojnë shpërdorim të ushtrimit të funksionit shtetëror”.

Presidenti kërkon gjithashtu nga institucionet të ndërmerren të gjitha masat e duhura për respektimin e kuadrit ligjor në fuqi, e për të vënë para përgjegjësisë individuale administrative apo penale, çdo shkelës të ligjit.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH