Aktualitet

Meta kthen në Kuvend ligjin “Për shtetësinë”

               Publikuar në : 12:13 - 15/08/20 liberale

Presidenti i vendit i ka kthyer sot nje tjeter ligj Kuvendit te Shqipërisë, ate per Shtetesine.

Kreu i shtetit numeron arsyet se pse nuk e dekreton ate ligj dhe pse deputete duhet ta rishohen serish.

Kuvendi ka miratuar në seancën plenare të datës 29 korrik 2020 ligjin nr. 113/2020 “Për shtetësinë”. Ky ligj me shkresën me nr. 1989 prot., datë 04.08.2020 të Kuvendit, i është përcjellë Presidentit të Republikës për dekretim dhe shpallje.

Arsyet e kthimit të ligjit

Një ligj kaq i rëndësishëm dhe me ndikim të drejtpërdrejtë në sigurinë kombëtare si dhe në politikën e shtetit për dhënien e shtetësisë shqiptare, nuk ka patur një konsultim të mirëfilltë me institucionet përgjegjëse në trajtimin e kërkesave për dhënien apo lejimin e lënies së shtetësisë shqiptare.

Kriteret e përcaktuara në ligj kufizojnë jo vetëm kompetencën ekskluzive të Presidentit të Republikës për dhënien dhe lejimin e lënies së shtetësisë shqiptare, por cenojnë edhe të drejtat e subjekteve për të aplikuar/marrë shtetësinë shqiptare përmes kritereve jo proporcionalë, në kundërshtim me nenet 19 dhe 92 të Kushtetutës.

Ky ligj ngatërron konceptin e “fitimit” të shtetësisë shqiptare, si një e drejtë kushtetuese e patjetërsueshme e çdo njeriu që lind brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, apo nga paraardhës shqiptarë, me “marrjen” e shtetësisë shqiptare nga çdo subjekt tjetër që nuk ka patur më parë lidhje me Republikën e Shqipërisë.

Ligji krijon pasiguri për sa i përket procedurave të paqarta për aplikimin për shtetësi shqiptare.

Ky ligj shkel parimin e shmangies së gjendjes pa shtetësi sanksionuar nga Konventa për Statusin e Personave pa Shtetësi, në të cilën Republika e Shqipërisë ka aderuar që në vitin 2003.

Ky ligj, përmban gabime edhe në përmbajtje apo mënyrën si është zbardhur, duke referuar në terma që nuk rregullohen në përmbajtjen e tij, si dhe vijon të rëndojë skemën institucionale duke krijuar agjenci pas agjencie, pa asnjë funksion të qartë ligjor, në shkelje të rregullimeve të ligjit në fuqi për administratën shtetërore dhe në rëndim arbitrar të buxhetit të shtetit, për sa kohë dublohen detyrat që duhet të përmbushen nga organe si Policia e Shtetit apo Shërbimi Informativ Shtetëror.

Ky ligj cenon direkt Konventën Europiane “Për shtetësinë” ratifikuar nga Republika e Shqipërisë, duke bërë diferencim dhe trajtuar në mënyrë diskriminuese, pas dhënies së shtetësisë shqiptare, shtetasit që nuk e kanë pasur më parë atë, në raport me shtetasit e vetë shtetit.

Tags: , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back