Në konferencën për mediat, presidenti Ilir Meta iu përgjigj jo vetëm kryeministrit Edi Rama, por edhe kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi, i cili, duke folur për përplasjet e forta Presidencë-Mazhorancë, tha se e pret në çdo kohë Metën në Parlament.
“Po dëgjoja Rucin pak më parë lidhur me këtë çështje, kam vetëm një pyetje shumë miqësore dhe institucionale: Pse duhet të krijohet gjithë kjo situatë, kur presidenti i ka kërkuar në kohën e duhur atij bashkëpunim, i ka kërkuar të veprojë sa më shpejt për anëtarin e parë në përputhje me përcaktimin e Kushtetutës, dhe nuk ka marrë asnjë lloj përgjigjeje. Të hënën në mëngjes, tre orë para se të vendosnin për vakancat, kam bërë dhe një mesazh publik.
Mendoj se ai duhet të kërkojë hetim për çështjen e ministres së Drejtësisë, sepse e kupton shumë mirë se është një vepër e patolerueshme. Duhet një analizë edhe nga vetë Kuvendi për t’u pozicionuar përfundimisht në anën e shtetit të së drejtës apo në anën e një grupi mafioz”, tha Meta. /Gazeta Liberale