Aktualitet

Meta i ktheu në Kuvend, maxhoranca i rrëzon tri dekretet

Shkruar nga Liberale
Meta i ktheu në Kuvend, maxhoranca i rrëzon tri dekretet

Maxhoranca ka rrëzuar tri dekrete që Presidenti i Republikës, Ilir Meta i kishte kthyer për rishqyrtim në Kuvend.

Dekretet e rrëzuara nga maxhoranca janë: Ligjin për “Tatimin mbi vlerën e shtuar”, i rrëzuar me 83 kundër 16 pro; Ligji për “Prokurimet në fushën e mbrojtjes dhe te sigurise” rrëzuar me 81 kundër 17 pro dhe Ligji për “Aktivitetet e turizmit detar” rrëzuar me 84 kundër 17 pro.

-Disa ditë më parë Kreu i Shtetit, Ilir Meta refuzoi të dekretojë ligjin e ri të qeverisë për “Tatimin mbi vlerën e shtuar”, që përjashton nga TVSH-ja të gjithë blerësit e mjeteve lundruese si jahte.

Meta e ka rikthyer sërish për rishqyrtim ligjin dhe në argumentet e tij thekson se kjo nismë krijon idenë e përjashtimit menatyre klienteliste. “Krijon idenë e një përjashtimi me natyrë klientiste dhe preferenciale, sepse përjashton jahtet dhe mjeteve të tjera ujore që përdoren për qëllime turistike, kënaqësie dhe argëtimi. Është një veprim, i cili zvogëlon më tej bazën tatimore të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar; Nuk është në harmoni me nevojat emergjente të vendit, si dhe me parashikimet e Institucioneve Financiare, të cilat raportojnë për përkeqësimin e situatës ekonomike në vendin tonë.”- thekson Presidenti. Nisma e qeverisë krijoi mjaft debat në opinionin publik dhe nga opozita për shkak se përjashtimi i importit të jahteve u bë në një kohë që vendi ishte në karantinë dhe qytetarët po merrnin ndihma ekonomike”.

-Në datë 11 maj Presidenti i Republikes, Ilir Meta i ka kthyer Kuvendit te Shqiperise, ligjin per “Prokurimet ne fushen e mbrojtjes dhe te sigurise”.

“Pavarësisht qëllimit pozitiv të deklaruar të kësaj nisme ligjore, mënyra e formulimit të disa prej dispozitave që lidhen me shtrirjen e zbatueshmërisë së këtij ligji, cenojn parime të rëndësishme kushtetuese”– thuhet ne argumentimin e Presidentit, qe arsyeton edhe faktin pse nuk ka vene firmen mbi kete ligj.

Sipas kreut te Shtetit, “Nga shqyrtimi i përmbajtjes së disa dispozitave konkrete të ligjit, mungesa e përcaktimit të qartë e shterues të fushës së zbatimit të këtij ligji sa i përket llojit të mallrave dhe shërbimeve që mund të prokurohen sipas përcaktimeve të tij, krijon hapësirë që jo vetëm të shmangen procedurat e hapura për prokurimet në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë, por dhe të ulet ndjeshëm mundësia e biznesit vendas për pjesëmarrje në këto procedura prokurimi, ku kriter kryesor është pasja e CSI-së (Certifikatës së Sigurimit Industrial)”

Ne relacion theksohet se “Mungesa e përcaktimit të qartë të fushës së zbatimit të këtij ligji sa i përket objektit jo shterues të mallrave dhe shërbimeve që mund të prokurohen sipas tij, cenon parimin e lirisë së veprimtarisë ekonomike, barazisë përpara ligjit, me pasojë diskriminimin e operatorëve të ndryshëm në treg, duke rritur mundësitë për dëm ekonomik ndaj financave të shtetit”.

-Ndërsa në datë 26 maj, Presidenti Meta ka kthyer ne Kuvend ligjin për aktivitetet e turizmit detar.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH