Aktualitet

Meta i jep themeluesit të Spitalit të Beratit dekoratën “Nënë Tereza”

Shkruar nga Liberale
Meta i jep themeluesit të Spitalit të Beratit dekoratën

Presidenti i Republikës Ilir Meta vlerësoi sot themeluesin dhe drejtuesin e parë të Spitalit të Beratit, doktorin epidemiolog Hajdar Sulo (pas vdekjes) me Dekoratën e lartë “Nënë Tereza me motivacionin: “Për kontributin e vyer në fushën e mjekësisë, humanizmin dhe veprimtarinë e tij në çështjen kombëtare. Epidemiolog i shquar, themelues dhe drejtor i parë i Spitalit të Beratit, i cili me pasionin dhe përkushtimin e një atdhetari të palëkundur, vuri një gur të rëndësishëm themeli në shërbim të shëndetit publik shqiptar”.

Postimi i Metës:

Në kuadër të 100-vjetorit të themelimit të spitalit rajonal të Beratit, pata sot kënaqësinë të vlerësoja me Dekoratën e lartë “Nënë Tereza”, themeluesin dhe drejtuesin e parë të tij, Doktorin epidemiolog Hajdar Sulo, i cili me pasionin dhe përkushtimin e një atdhetari të palëkundur, vuri një gur të rëndësishëm themeli në shërbim të shëndetit publik shqiptar.

Me një kontribut tepër të vyer në fushën e mjekësisë, Doktor Hajdar Sulo, gjatë gjithë jetës së Tij u vu në shërbim të të varfërve dhe të sëmurëve.

Ashtu si Shenjtorja jonë e madhe Nënë Tereza, Ai ndoqi të njëjtin shembull humanizmi, duke shërbyer me dashuri e përkushtim për të gjithë bashkëkombasit e tij dhe duke vënë në jetë thënien e Saj: “Jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha. Por, ne të gjithë mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe”.

Nderim dhe mirënjohje të thellë për Doktor Hajdar Sulon, dhe në këtë përvjetor të Spitalit të Beratit, respekt dhe mirënjohje edhe për të gjithë stafin mjekësor, që ka shërbyer dhe vazhdojnë t’u shërbejnë me dashuri dhe përkushtim qytetarëve, veçanërisht në këto kohë plot me sfida për shëndetin publik.?? /Gazeta Liberale

https://www.facebook.com/1477517792294489/posts/3095924300453822/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH