Aktualitet

Meta dorëzon sot ‘çelësat’ e Presidencës, Begaj betohet me 21 të shtëna topi

Shkruar nga Liberale

Presidenti Ilir Meta do të dorëzojë sot detyrën në krye të shtetit.  Meta do të pasohet në Presidencë nga ish-Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Bajram Begaj.

Presidenti i ri do të betohet në një seancë të posaçme parlamentare që do të zhvillohet në orën 18:00, në Kuvend, dhe më pas, në Presidencë, do të zhvillohet ceremonia e marrjes së detyrës së Presidentit nga Bajram Begaj.

Në ditën e fundit, Meta ndau një foto familjare me tre nga fëmijët e tij dhe me një mesazh të shkurtër, në profilin e tij Facebook.

“Ishte një nder dhe privilegj i jashtëzakonshëm të shërbeja këto pesë vite si President i Republikës të Shqipërisë”.

“Uroj për atdheun dhe kombin tonë më të mirën! Paqe dhe mbarësi për çdo familje shqiptare!”

“Zoti e bekoftë Shqipërinë!”, shkroi Meta.

Sakaq, këshilltari i Presidentit Meta, Tedi Blushi ka zbardhur axhendën e kësaj ceremonie e cila pritet të fillojë që në orën 18:45 me mbërritjen e personaliteteve të ftuar.

E diel 24 korrik 2022, në ora 19:15, në Institucionin e Presidentit të Republikës, do të organizohet ceremonia e fillimit të detyrës të Presidentit të Republikës, Sh.T.Z Bajram Begaj.

18:45 – 19:15- Mbërritja e të ftuarve.

19:15 – Mbërritja e Presidentit të Republikës Bajram Begaj në Presidencë.

19:29 – Presidenti i Republikës Bajram Begaj bashkë me ish-Presidentin e Republikës Ilir Meta, dalin nga Presidenca dhe zënë vend në tribunë.

19:30 – Luhet Himni Kombëtar nga Orkestra Frymore e Forcave të Armatosura, shoqëruar nga 21 të shtëna topi.

19:35 – Znj. Vitore Tusha, Kryetare e Gjykatës Kushtetuese i dorëzon Presidentit, Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

19:40 – Fjala e Presidentit të Republikës, Bajram Begaj.

19:50 – Largimi i ish-Presidentit të Republikës, Ilir Meta.

19:53 – Komandanti i Truprojës së Nderit i Forcave të Armatosura i paraqet forcën Presidentit. Kalim në revistë i Presidentit.

19:58 – Presidenti i shoqëruar nga familja hyjnë në Presidencë.

20:00 – Pritje zyrtare në oborrin e Presidencës. /Liberale.al/ 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH