Aktualitet

Meta dhe Basha ngrejnë shqetësimin për fondet që shkojnë në bujqësi

Shkruar nga Liberale
Meta dhe Basha ngrejnë shqetësimin për fondet që

Presidenti Ilir Meta dhe kryedemokrati Lulzim Basha kanë reaguar ditën e sotme lidhur me gjendjen në të cilën gjendet bujqësia në Shqipëri.

Të dy i referohen një shkrimi në “Monitor”, sipas të cilit në programin e mbështetjes për bujqësinë vetëm 40% e fondeve kanë shkuar për fermerët.

Meta shkruan se fonde te përcaktuara nga buxheti për bujqësinë janë 10 herë më pak se fatura, që do t’i paguhet Becchettit.

"Mosmbështetja e bujqësisë dhe e fermerëve, është e pafalshme dhe rrënja e braktisjes së fshatrave dhe e shpopullimit të vendit.

Edhe ato pak fonde “mjerane” të përcaktuara nga buxheti për Bujqësinë dhe që janë 10 herë më pak se fatura, që do t’i paguhet Becchettit, harxhohen në pjesën dërmuese për spote, konferenca, panaire dhe “kotësira” korruptive.

Plot 60 përqind e parave të subvencioneve shkojnë për pagesa jo produktive. Ndërsa vetëm “thërrimet” përfundojnë te fermeret, të cilët të braktisur punojnë dhe prodhojnë me kosto 40% më të lartë se fqinjët në rajon.

Prandaj 25 Prilli, është referendum popullor për shumë më tepër para dhe mbështetje për Bujqësinë dhe fshatin", shkruan Meta në rrjetet sociale.

Po ashtu, edhe kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ndalet sërish tek ato, që ai i quan si “dështimet e Ramës në 8 vite”, duke përmendur edhe fondet që akordohen për bujqësinë.

"8 ditë deri më 25 prill. 100 dështimet e Ramës në 8 vite. Sa përqind e fondeve të akorduara për bujqësinë shkojnë për fermerët? Përgjigjja: 40%. Shqipëria ofron mbështetje më të ulët direkte për bujqësinë në raport me vendet e tjera të rajonit", shkruan Basha.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH