Editorial

Mësimi i Mandelës për PD e 2B-ve: Puna ime të vendosja kursin, jo të drejtoja anijen

Shkruar nga Liberale
Mësimi i Mandelës për PD e 2B-ve: Puna ime të vendosja

Ben Andoni

“Puna ime ishte të vendosja kursin, jo të drejtoja anijen”. Kjo ishte fjalia që u tha bashkëpunëtorëve që donin ta mbanin ende në pushtet Mandelën. I lodhur, i drobitur, jo pak i zhgënjyer, ai vendosi t’i kushtohej pjesës së mbetur të jetës, pas asaj sfilitje nëpër burgje.

...

Deri më 22 Mars, Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit të PD-së, përbërë nga 29 emra mes tyre edhe mëtuesit për postin e kryetarit të PD-së, bashkë me Berishën (!!)  do “të drejtojnë” partinë “Foltorja”, dalë nga “Air Albania”. Shumë prej tyre tashmë janë të përjashtuar nga Partia e mbetur Demokratike...me vulë. E themi këtë, pasi realisht, Partia Demokratike e vërtetë dukej se ishte mbledhur në stadium. Të mendosh se ishin po këta që e votuan në masë Bashën, vetëm 5 muaj më parë, nuk të vjen habi, përveçse habitesh me metamorfozat e publikut shqiptar. E para, për formimin politik të pjesës më të madhe që përbën të Djathtën dhe e dyta për frymën Berisha, që mund të bëjë këto kapërcime me problem jo të vogël për të ardhmen. Një frymë e humbur dhe e prishur por më shumë mundësi të shumta për ndryshim pas 25 Prillit, që nuk janë mundur të kapen në kohën e duhur, të shtunën kërkonin qytetari. Megjithatë Berisha do vazhdojë me një referendum më 18 Dhjetor, kurse “mëkëmbësi” i tij do të vazhdojë të njëjtin aktivitet në Pallatin e Kongreseve për të treguar legjitimitetin e PD-së së mbetur. Fjala e z. Kadilli, të parit që guxoi të ngrihej para të tjerëve dhe të tregonte realitetin pas zgjedhjeve, i kushtuan pak vëmendje, ashtu si edhe Mark Markut në Kuvendin e PD-së, por fjala e tij elegante tregoi një realitet të dhimbshëm: “Është mendësia jonë politike ajo që krijon autokracinë në partinë tonë. Jemi ne, me mendësinë tonë, që ja lamë partinë Lulzim Bashës ta uzurponte për interesat e tij personale. Prej javësh, është trumbetuar një histori tjetër për Lulzim Bashën, një histori me tradhti, pengje, kapje. Por kjo është shpikje arsyesh për të shmangur arsyen e vërtetë të gjendjes ku kemi arritur:

  • mendësinë dhe kulturën tonë parademokratike politike e shoqërore:
  • neve na mungon kultura e lirisë dhe demokracisë.

 Prandaj, dalja nga gjendja ku jemi kërkon në radhë të parë të flakim mendësinë e përuljes, të bindjes së verbër, të frikës”.

Gjatë  kohës që artikulonte të vërtetat e dhimbshme, Kadilli, nisi zdërhallja tek aktiviteti, pasi kishte mbaruar fjalimi i z. Berisha, që mes të tjerëve nuk e kurseu edhe ambasadoren e SHBA-së, kurse qëllimi i tij personal ishte arritur. Njerëzit po kënaqeshin me impaktin e fjalëve të Berishës dhe sidomos bufonaturën e zbehtë të z. Basha në Partinë Demokratike me një memorial, fati i të cilit me gjasë nuk do të jetë i gjatë.

Paradoksi është se shumë në PD nuk e dinë ende se çfarë do ndodhi me të ardhmen e tyre dhe mbi të gjitha: qëndrimin individual përballë Berishës, nëse do të arrijnë të jenë institucion. Kë do të zgjedhin? Berishën apo “Dekriminalizimin”?

Në kohët tona, por sidomos në Shqipëri ka një lëmsh gjykimesh se cili është kryetar i mirë dhe cilësitë më pozitive të një lideri. Mos është vallë e mjaftueshme si në rastin e PS-së me Ramën, ai që e çon një formacion në fitore apo përballja me realitetet demokratike? Në një punim klasik referuar strukturave të partisë Robert Michels kishte demonstruar “ ligjin e hekurt të oligarkisë”. Përfundimi ishte i hidhur, çdo organizatë pashmangshëm do sjelli në jetë një klasë sunduese të cilën nuk arrin ta kontrolloj në mënyrë efikase për një kohë të gjatë. “Rrjedhimisht, liderët e partisë dhe strukturat e partisë gjithashtu bëhen edhe më shumë të pavarura, duke marr parasysh përparimet në teknologjinë e informimit dhe ngritjen e specializimeve të politikës. Akumulimi i përgjegjësive dhe monopolizimi i fuqisë janë simptomat e rritjes të oligarkisë, që përbën një problem për formimin e mendimit demokratik brenda partisë”, shkruajnë në një punë të tyren për partitë politike Wilhelm Hofmeister dhe Karsten Grabow. Këshilla e dy studiuesve ishte e thjeshtë: Vetëm përmirësimi në procedurat demokratike dhe në shkëmbimin e pikëpamjeve mund të kontribuoj në largimin e strukturave të ngurta të partisë. A është ky rasti i PD-së? Megjithë procesin e “Foltores” dhe “Mea Culpën” e Bashës, PD-ja e ka humbur prej kohësh demokracinë e brendshme dhe normalitetin. Përderisa, Berisha i mbledh militantët e PD-së me një fërshëllimë, kurse Basha ende nuk e di se ka humbur kemi një problem jo të vogël. Cili është lideri i mirë? Pragmatizmi i njohur i Makiavelit na e jep qartë sesi duhet të jetë Princi ashtu si “Mbreti filozof” i Platonit apo zhvillimet e kohës sonë që mbrohen nga shkolla të ndryshme sociologjike, citojmë studiuesit Hofmeister dhe Grabow.

Në fakt, Mandela, misionari i madh i popullit të tij dhe lideri i popullit të Afrikës së Jugut për të kaluar atë fazë të rëndë pas Aparteidit e ka pranuar me përulësi drejtimin, por duke treguar gjatë procesit sesa e vështirë është të dish edhe se si të braktisësh një ide, detyrë apo marrëdhënie të dështuar për qëllimin e mirë. Burrit, që iu desh të kaloj plotësisht 27 vjet në burg, la disa këshilla që shërbejnë si manual drejtimi në politikë: “Largimi është shpesh vendimi më i vështirë që një udhëheqës duhet të bëjë”. Dhe vërtetë, Mandela, mund të rrinte shumë më tepër në postin e presidentit, por ai që i dedikoi jetën vendit të tij nuk e mbajti peng, si Berisha apo “pengu” Basha që shprehet Berisha. “Puna ime ishte të vendos kursin, e jo të drejtoj anijen”. Ai e dinte se, thonë dy studiuesit e mësipërm se: “Liderët e mirë udhëheqin më shumë me atë që zgjedhin të mos e bëjnë njësoj si me atë që e bëjnë”. E kjo lidhej deridiku edhe me një gjykim makievalist të Mandelës: “Cili është përfundimi të cilin unë e kërkoj?” dhe “Dhe cila është rruga më praktike për të arritur aty?”

Por ky nuk është rasti i Shqipërisë. Megjithëse mund të pretendojmë se jemi në një nivel të mirë kulturor, krahasuar me vendin e tij nuk mund të krahasohemi me procesin e katarsisit kombëtar që ata bënë me procesin e Aparteidit. Sërish pas në temën tonë, Berisha dhe Basha më shumë e trajtojnë si pronë PD-në sesa një grup partie që do të jepte mbështetje për idetë e njerëzve të Djathtë që bashkohen në atë frymë. Berishizmi nuk është frymë është hakmarrje.

Sociologu Maks Weber, i cili duket se është marrë me moralin në masën e duhur me dilemat etike ka gjetur një lloj diference mes “etikës të qëllimeve përfundimtare” dhe të “etikës të përgjegjësisë”, ku udhëheqësit politik u duhet të përballen herë pas here, shkruan ai te eseja e njohur “Politika si Profesion”. Referuar atij,  udhëheqësit demokratik politik nuk duhet të udhëhiqet nga “etika e qëllimeve përfundimtare” por nga “etika e përgjegjësisë”. “Politika e përgjegjshme kërkon një instinkt për pushtet dhe një ndjesi të përgjegjësisë dhe masë, por gjithashtu dedikim me plot pasion ndaj një çështje të vet-imponuar supra-personale dhe karizma të jetë në gjendje të përmbush nevojat emocionale të pasuesve”. Berisha e ka arritur me aktivitetin e kësaj jave se qëllimi përfundimtar është mbi etikën e përgjegjësisë, por nga ana tjetër ka treguar edhe atë që e tregon mirë Weber se: njerëzimi nuk do të realizonte të mundshmen nëse nuk do të kërkonte të pamundurën. Kuptohet ky nuk është rasti mirëfilli i Berishës, por një gjë që i shkon egos së tij jo të zakonshme. Misioni i tij u mbyll qysh më 2013, kur mund t’i hapte rrugë një udhe të mirë ngritje të Partisë Demokratike. Ndaj i lini demokratët që t’ju drejtojnë në shekullin XXI ashtu si Mandela la në kohën e vet që impulset t’i merrte nga njerëzit dhe t’u shërbente atyre. Misioni Basha-Berisha ose B2-ve është përmbushur...Nëse do e donit aq shumë PD-në, do bënit atë që bëri Mandela dhe e la me një fjali: “Puna ime ishte të vendosja kursin, jo të drejtoja anijen”.  (Homo Albanicus)

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH