Aktualitet

Mësimet që na dha foto e drekave të Ilir Metës me Sali Berishën!

               Publikuar në : 21:49 - 02/05/20 liberale

Nga Alfred Peza

Një foto e publikuar këtë fundjavë në mes të karantinës, tregon për nostalgjinë e drekave mes Presidentit të Shqipërisë Ilir Meta dhe ish Kryeministri i vendit Sali Berisha. Pavarësisht që pretendohet se i përket një viti më parë, ndoshta në Gjirin e Lalzit, ajo është ikona për të kuptuar raportin mes tyre.

E para, kjo foto ka një dimension pandemik. Pasi na rikujton se përse janë të përjetëshme kryeveprat e letërsisë botërore si “Ferma e kafshëve” e George Orwellit, që thotë se të gjithë jemi të barabartë (përpara rregullave të forta të karantinës, në këtë rast). Por se disa, janë më të barabartë se të tjerët. Që në këtë rast do të thotë, se rregullat që vlejnë për qytetarët, nuk vlekan për disa liderë politikë, që flasin në emër të tyre.

Ilir Meta nga njëra anë është deklaruar me fjalë, se është në krah të atyre që luftojnë kundër Covid-19. E nga ana tjetër, çdo ditë në rrjetet sociale ka treguar me vepra, se është në anën e atyre që shkelin rregullat e pandemisë, për aq kohë sa i bie Shqipërisë kryq e tërthor. Sigurisht që i qan zemra se i mungon vetëm diçka me sa duket sot, (të paktën publikisht) drekat me ish Kryeministrin.

Sali Berisha nga njëra anë i ka bërë në këtë periudhë thirrje shqiptarëve për të dalë në protesta kundër qeverisë, “se po shkela të drejtat e njeriut”. E nga ana tjetër vetë i deklaron mediave se ai vetë, nuk i shkel rregullat e karantinës, pasi dalja jashtë shtëpisë është shumë e rrezikshme përballë virusit vrasës.

E dyta, foto nostalgjike e Ilir Metës dhe Sali Berishës ka dimension politik. Pasi shërben si një mesazh për të gjithë opozitarët e Shqipërisë që kanë qenë të shqetësuar këto ditë, se mos Presidenti i Shqipërisë i ka tradhëtuar. Duke qenë në anën e luftës ndaj Covid-19 me fjalë, shumë prej tyre e kishin marë këtë, si një tregues se Kreu i Shtetit mund të kishte bërë ndonjë pazar politik me mazhorancën dhe Kryeministrin Edi Rama.

Shqetësimi nuk lidhej me fatin e vetë Ilir Metës në këtë histori, por me projeksionin që opozitarët kanë krijuar tashmë për figurën e Presidentit të Republikës jo si garant i Kushtetutës. Por si lideri i tyre më i besueshëm përballë mazhorancës socialiste, në kushtet kur Lulzim Basha me gjithë sforcimin e tij, duket se nuk ua mbush syrin.

Pas kësaj fotoje, të gjithë të shqetësuarit kanë arësye tashmë që të kuptojnë se çfarë kanë parë deri tani, ka qenë loja e Ilir Metës, për tu identifikuar ndryshe nga Lulzim Basha në këtë periudhë pandemie. Deri në atë pikë, sa të krijon përshtypjen sikur Sali Berisha vetë, ua kishte ndarë më parë rolet. Në mënyrë që njëri të ishte pro e tjetri kundër. Njëri me qytetarët, e tjetri kundër tyre.

Kjo qasje të kujton ato tregimet e Luftës së Dytë Botërore, kur i pari i shtëpisë i ndante të vetët, që të bëheshin ca me ballin dhe ca me partizanët. E kur të mbaronte lufta, ato që do të qëllonin të ishin në anën e fituesve, të mbronin ata që ishin kundër. E kështu, të vazhdonin ta kishin mirë në çdo kohë, me çdo lloj pushteti.

E treta, foto e tyre ka dimension “historik”. Takimet nëpër restorantet publike po bëhen një institucion i ri, i munguar shumë vite më parë, në marrëdhëniet publike mes Ilir Metës dhe Sali Berishës.

Plot një vit më parë, më 30 maj 2019 për pesë orë me radhë, të shoqëruar nga të njëjtët personazhe, ata kanë kanë qenë sërisht sëbashku për drekë në një restorant duke u kujdesur si sot, që fotoja e tyre dhe lajmi të bëheshin publik në rrjetet sociale dhe media.

I vetmi rast që ishte raportuar në media përpara kësaj, ka qenë darka në shtëpinë e Ilir Metës, ku Sali Berisha Kryeministër shkoi para vendimit të Gjykatë së Lartë për çështjen “bllok”-ut, në videopërgjimin e famshëm të Dritan Priftit.

Se çfarë solli kjo darkë mes Metës dhe Berishës, dihet tashmë. Ashtu siç dihet se çfarë solli dreka e tyre vitin e kaluar, kur pas një jave Presidenti çdekretoi zgjedhjet e 30 qershorit. Për të dekretuar tre ditë përpara së dielës së votimeve, zgjedhjet e reja të 13 tetorit, që nuk u zhvilluan kurrë, e që nuk i përmend më askush.

Secili mund ta lexojë nga këndvështrimi i vet politik, edhe nostalgjinë e fundit të tyre për drekën e përbashkët, siç ka lexuar edhe ato të mëparshmet. E sigurtë është që Sali Berisha as ka ndryshuar, as nuk ka për të ndryshuar ndonjëherë edhe pas 30 vjetësh. Sa herë që do të keni ndonjë dilemë për Ilir Metën, mos u mërzisni, se ditët të gjitha të Zotit janë dhe dreka të tjera ju presin!

Tags: , , , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back