Aktualitet

Mes Kosovës e Serbisë, hija e frikshme e rezolutës 1244?!

Shkruar nga Liberale
Mes Kosovës e Serbisë, hija e frikshme e rezolutës 1244?!

Ben Andoni

Në çdo rresht të artikullit të përbashkët, që shkruan ditët e fundit Ministrat e Jashtëm të Rusisë dhe Serbisë, Lavrov dhe Daçiç, botuar njëkohësisht në një media serbe dhe ruse, përmendej vetëm një koncept: Rezoluta 1244. Pastaj, me një siguri gati matematike dhe me një qetësi, që ua imponon forca e Moskës në Këshillin e Sigurimit, dy autorët qesëndisnin përpjekjet e Kosovës dhe politikanëve të saj dhe indirekt edhe përpjekjen e pafrytshme të deritanishme të BE-së. Paradoksalisht në as edhe një rresht të vetëm në të, nuk flitej për vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare që shqyrtoi vlefshmërinë e pavarësisë së Kosovës (kërkuar nga vetë Serbia) dhe vendimin e Autoritetit të Drejtësisë Ndërkombëtare pro këtij vendimi.

Ditët e fundit, Kosova dhe Serbia janë duke ndërmarrë përgatitje të ethshme për takimin e Washington-it, ku deri më tani nuk është zbuluar as edhe një element i vetëm për axhendën veç fjalëve të ish-Ambasadorit Grenell. Deklaratat e promotorit të saj, emisarit të Trump, e shtojnë rebusin, kurse akuzat e tij ndaj ish-këshilltarit Bolton për ndryshimin e territoreve, konfuzojnë gjithçka. Duket sikur kemi tash e tutje dy SHBA. Kuptohet se edhe Prishtina që do përfaqësohet nga kryeministri Hoti dhe presidenti Thaçi, apo Beogradi me presidentin Vuçiç nuk kanë dhënë detaje për atë çfarë pritet nga bisedimet në Shtëpinë e Bardhë. Përndryshe, “Tanjug”, autoriteti zyrtar serb, e ka transmetuar “të plotë” draft-marrëveshjen, që duket shumë favorizuese për Kosovën përballë Serbisë, bash një element që e bën tamam të pabesueshëm.

Ajo që dihet qartë dhe kuptohet thjesht është se pengesa e vetme dhe e pakalueshme e Kosovës ose e vendit të saj në OKB është dhe mbetet Rusia. Jo më kot, emri dhe potenciali i saj dhe pesha në organizatat ndërkombëtare përdoret ngado nga zyrtarët e Beogradit. Dhe, justifikimi mbetet gjithnjë Rezoluta 1244, sipas të cilës Kosova është e kufizuar dhe administrohet nga jashtë. Me këtë logjikë duket se në të ardhmen do bëhet rezistencë për të ardhmen e Bosnjës, por ku ta dish mbase edhe vetë Ukrainës!!! Për të gjithë njohësit e Kosovës dihet se kjo rezolutë, e paraqitur nga Ahtisari, ka humbur fuqinë e saj kurse BE, pak vite më parë, në raportin e zgjerimit, kishte si klauzolë elementin që Serbia duhet të dakordësohej por ta nënshkruante juridikisht një marrëveshje të detyrueshme, që e rregullonte përfundimisht statusin e Kosovës. Dekadat e fundit, për Rusinë, dihet sesa i respekton, kur flitet për interesat e saj. Ndaj, edhe kur është nënshtruar e ulur Serbia sa i përket Kosovës, kjo nuk mund të thuhet për Rusinë, që duket se edhe nëse në Beograd ndihet frymë marrëveshje me Prishtinën, Moska sërish do nxjerrë pengesa në Këshillin e Sigurimit pa marrë atë që asaj i intereson.

Problemi është pak më ndryshe, pasi ndërsa Kosova do tejësisht heqjen e pengesave drejt ulëses në OKB, Bashkimi Evropian ka ngecur me punën e konsensusit për njohjen e Kosovës, për shkak se vendimet e saj merren në mënyrë kolegjiale. Krejt ndryshe, Amerika luan një rol tepër vendimtar, pasi ka ndihur në forcat e armatosura të Kosovës, inkurajon anëtarësinë e saj në NATO dhe mbi të gjitha artikulon thjesht e qartë për të ardhmen e saj. Pikërisht angazhimi i saj direkt është besueshmëria e vetme e shqiptarëve, por edhe siguria më e madhe e Kosovës.

Serbia e përcjell angazhimin e saj në përpjekjet kundër Kosovës edhe me një angazhim kundër Shqipërisë, që e akuzon sistematikisht se po punon për tezën e Shqipërisë së Madhe. E ndërkohë edhe paçka zotimeve të fundit vazhdon fushatën kundër njohjeve të Kosovës. Beogradi zyrtar ecën me dy regjistra: njëri që lidhet me presidentin Vuçiç, i cili ka tagrin zyrtar të besueshëm para Shtëpisë së Bardhë dhe tjetri me zëvendëskryeministrin Daçiç, që artikulon shpesh gjëra që presidenti serb i thotë me gjysmë zëri. Mbase edhe ardhja e Lavroc në Beograd ishte një konfirmim, që Daçiç edhe pas zgjedhjeve duhet të jetë në qeveri. Për shumë nga studiuesit është e qartë: Vetëm marrëveshja që përfshin ripërcaktimin e kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë do të ishte një marrëveshje finale. Por sërish kemi emisarin Grenell, promotorin e këtyre negocimeve, i cili ka qartësuar para shumë zërave kundërshtues se Kosova meriton më shumë dhe se deri më tani nuk flitet për ndryshime territoresh. Po cila është thembra e Akilit e gjithë kësaj?! A mos vallë duhet zhbërë Rezoluta 1244 me mirëkuptim?! E vështirë! Ajo është ganxha ku kapet e gjitha kundër Kosovës.

Intermexo

Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit u miratua më 10 qershor 1999, fill pas marrëveshjes për tërheqjen e trupave serbe nga Kosova. Në këtë rezolutë, statusi politik i Kosovës përcaktohej si protektorat i OKB-së, dhe i jepej administrimi i saj kësaj organizate ndërkombëtare. Rezoluta e OKB e bënte atë përgjegjësen për administratën civile kurse NATO-n për sigurinë në Kosovë. Paradoksi më i madh i rezolutës është se e bën Kosovën protektorat të OKB-së, ndërkaq jo pak herë në këtë rezolutë përmendet se Kosova është pjesë e Jugosllavisë!!! Ganezi, Kofi Annan, ishte sekretar gjeneral i OKB-së kur u miratua kjo rezolutë. Që në momentin që Jugosllavia nuk ekziston por edhe se Kosova ka kaluar në stad tjetër, kjo marrëveshje tashmë konsiderohet e tejkaluar.

...

Dhe, vërtetë ajo tashmë është tejkaluar, por në realitet funksionimi i plotë i shtetit të Kosovës dhe fuqizimi i sovranitetit të saj lidhet me atë sesi do i qaset Kosovës Lindore dhe dialogut me Serbinë. A do të lëshojnë Kosova dhe Serbia dhimbshëm, në mënyrë që të nënshkruajnë një marrëveshje jetëgjatë?! Si do jetë e ardhmja e Trepçes?! Disa herë Vuçiç e ka bërë me dije, e po ashtu edhe Thaçi se marrëveshja ka shumë anekse. A do shkohet pastaj drejt udhës për ndryshimin e kushtetutës së Kosovës dhe Serbisë? Këtë nuk di ta thotë askush, madje Grenell që di më shumë se të gjithë, e hedh poshtë ndarjen e territoreve dhe flet për marrëveshje ekonomike që do shërbejnë si shtrat për kalimin e marrëveshjeve të tjera. Po pse është kaq e gjatë udha?!

Duket se pengesë de jure dhe de facto është vetë kjo rezolutë me të cilin nisi jetën procesi i pavarësisë së Kosovës. “Një qasje e tillë e gabuar në shkelje flagrante të Rezolutës 1244 të KQZ-së ka për qëllim vetëm plotësimin e aspiratave separatiste kosovare”, citojmë letrën e Daçiç dhe Lavrov, që kanë gjetur mundësi të përflasin dhe misionin e Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), mandati i të cilës përcaktohet me Rezolutën 1244. Dhe, zyrtarët kanë kritikuar amerikanët dhe statusin e Camp Bondsteel, që sipas tyre u krijua si një bazë paqeruajtëse por u shndërrua në një vend trajnimi jashtë kufijve për "forcat e armatosura" të Kosovës. Ndaj shpresat e sotme të Serbisë janë veç Rusisë dhe tek Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë Josep Borrell dhe Përfaqësuesi Special i BE-së për Dialogun Beograd-Prishtinë Mirosllav Lajçak. Porse Evropa është e pabesueshme në Prishtinë: Nuk ia ka dhënë një mesazh lehtësimi.

Ndaj, një gjë kuptohet mirë: takimi i Uashingtonit nuk mund të mos jetë i kornizuar dhe paçka thuhet, palëve do t’u vihen para syve materiale, nga e cila nuk ka kthim aq të lehtë. Dhe, Grenell njeriu që po e menaxhon këtë si i dërguari i presidentit Trump, e ka pohuar se zgjidhja nuk është e shpejtë, porse evropianët para se të flasin duhet të ndihmojnë. Kjo ua mbyll gojën burokratëve patetikë të Brukselit, që nuk hoqën as vizat për të. Dhe, sërish, në mes mbetet ajo diga e pakalueshme e Rezolutës 1244, që SHBA bën sikur e ka harruar, kurse rusët e mbajnë me forcë në këmbë. Sepse ajo është aty. E paprekur në papërdorimin e saj. (Homo Albanicus)

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH