Largimi i Damian Gjiknurit dhe opozitës parlamentare si dhe prezenca e SHBA e BE në komisionin e reformës zgjedhore janë ende në fuqi nga opozita, ndërsa koha për një reagim ndaj kushtit të Bundestagut për çeljen e negociatave shtrëngon
Suadela Balliu
Kreu i opozitës nuk ka pritur që kryeministri ta bëjë fakt zotimin e tij se ishte gati të shkonte edhe në selinë e Partisë Demokratike për miratimin e Reformës Zgjedhore, por i ka kujtuar se i ka dërguar në adresë të tij platformën prej pesë pikash për zgjidhjen e krizës.
Jo më shumë e as më pak sesa propozimi i përfaqësuesit të PD-së në tryezën e pak ditëve më parë organizuar nga OSBE.
Prej kohësh ambasadori i BE-së fliste për një dialog në mes të urës mes dy palëve, që nënkuptonte heqjen dorë nga disa kushte dhe gjetjen e kompromisit, por si kryeministri ashtu edhe kryeopozitari nuk duket të heqin dorë prej kushteve të tyre.
Ndërsa PD dhe opozita e bashkuar kërkuan një strukturë të posaçme ndërkombëtare për Reformën Zgjedhore, kreu i qeverisë do të përgjigjej prerë se do të miratoheshin ndryshime që i përmbaheshin striktmërisht rekomandimeve të OSBE/ODIHR e kjo mund të ndodhte pa pasur nevojën e opozitës jashtëparlamentare. Për të tjerat, që mund të diskutoheshin në një fazë të dytë, sërish Rama do të thoshte se nuk kishte për të pranuar që të merrej vesh me përkthyes me qytetarët e tij, duke iu referuar kërkesës për strukturën ndërkombëtare.
Por ndërsa koha drejt përgjigjes për çeljen e negociatave shtrëngon me 18 tetorin që afrohet, Reforma Zgjedhore është pika që i ngarkon thuajse me të njëjtën barrë përgjegjësie si Ramën, ashtu edhe Bashën. Që Shqipëria të mbërrijë në konferencën e parë të anëtarësimit, do të duhet të ketë plotësuar të dyja kushtet e vendosura nga Bundestagu, që pak ditë më parë i ndezi dritë jeshile me kushte vendit për çeljen e bisedimeve me BE-në, ku ndër to qëndron miratimi gjithëpërfshirës i Reformës Zgjedhore. I zotuar se do të bëjë gjithçka ka në dorë që Shqipërisë t’i hapen negociatat, Basha prej ditësh thekson, duke hasur edhe në skepticizmin e anëtarëve të kryesisë së partisë së tij, se Reforma në fjalë është e rëndësishme për opozitën dhe PD-në.
Por, miratimi i saj, sipas Bashës do të duhet të bëhet sipas kushteve të opozitës, e cila për mëse gjashtë muaj kërkon largimin e kryeministrit Rama, por edhe ndëshkimin e autorëve të shitblerjeve të votave, të dalë nga përgjimet e dosjeve “339” dhe “184”.
Kjo e fundit ka të përfshirë emrin e ish-ministrit Gjiknuri, aktualisht kreu i Komisionit të Reformës Zgjedhore. Sipas PD Reforma duhet të realizohet nga institucione apo subjekte zgjedhore që kanë vullnet për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe që, nuk janë objekt i hetimeve për vjedhjen e zgjedhjeve dhe sipas opozitës komisioni parlamentar nuk gëzon legjitimitet, duke u drejtuar nga njerëz që duhet të ishin në burg.
Por përtej largimit të Gjiknurit, opozita kërkon edhe atë të opozitës parlamentare, që në komision kryesohet nga deputetja Rudina Hajdari. “Asnjë Komision që ka në përbërje dhe drejtim individë që nuk përfaqësojnë opozitën, nuk mund të përcaktojë rregullat për pjesëmarrje në zgjedhje të partive politike opozitare”, citohet në platformën opozitare.
Hetimin e çështjeve penale për dosjet që lidhen me shitblerjen e votave e ka kërkuar mes nëntë kushteve edhe Bundestagu gjerman. Por edhe largimi i opozitës parlamentare nga komisioni i Reformës Zgjedhore, miratimi i së cilës do të kërkojë shumicë të cilësuar votash në Kuvend, duket i pamundur në një kohë kur opozita është jashtë parlamentit dhe prej kohësh ka refuzuar vendin në Komision.
Nisur edhe nga kushtet e vendosura për çeljen e negociatave, Basha po shtyn gjithaq fort me kushtet e opozitës ndaj kryeministrit Rama.
“Kjo nuk është një çështje për Ramën, nuk është një çështje për Bashën. Shqipëria është në krizë, vendi është në krizë. Ne kemi një plan për ta nxjerrë vendin nga kriza, për Reformën Zgjedhore”, do të shprehej dje Basha, duke zbuluar se planin në fjalë ia ka dorëzuar Ramës dhe përfaqësuesve të tij. “Të marrë ta zbatojë dhe nëse nuk e zbaton dot të hapë krahun se e zbatojmë ne”, vijonte kreu i selisë blu, ndërsa pak ditë më parë në mbledhjen me kryesinë dhe ish-grupin parlamentar të PD-së do të fliste për dy palë zgjedhje, parlamentare dhe lokale, si edhe përgatitjen e strukturave zgjedhore.
Mes kushteve dhe ndërkombëtarëve
Nëse çelja e negociatave do të llogaritej si sukses i qeverisë Rama, kjo mund të llogaritet nga opozita si kohë e volitshme për të marrë sa më shumë prej kushteve të vendosura që prej shkurtit.
Por megjithëse është shprehur i gatshëm për dialog rreth Reformës Zgjedhore, si kusht i parë për integrimin, Rama do t’i përgjigjej Bashës se “një karrocë nuk mund t’i thotë një treni hap krahun”, duke theksuar qëndrimin se ai nuk do të largohet nga detyra e tij, të cilën e ka artikuluar edhe më herët si një kontratë me qytetarët shqiptarë deri më 2021-shin.
Dora e shtrirë për dialog, edhe në ftesat e mëparshme, ka qenë për miratimin e Reformës e cila mund të gjente zbatim në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Në listën e kërkesave të tij, parlamenti gjerman, kërkon edhe vendimin e Kushtetueses për zgjedhjet e 30 qershorit dhe në rast përsëritjeje do të duhet të bëheshin me Ligjin e ri Zgjedhor.
Kërkesat e opozitës, kreu i qeverisë i ka etiketuar si tërmete artificiale.
“Unë nuk i trembem asnjë ndërmjetësimi. E kemi treguar se kur duam të merremi vesh, jemi marrë vesh. Ky vend nuk mund të vazhdojë me teka”, do të shprehej në një intervistë televizive dy ditë më parë kryeministri. Pavarësisht ftesave, Rama ka bërë të ditur se nuk do ta presë pafundësisht opozitën e zotit Basha, ndërsa një prej opsioneve është integrimi i rekomandimeve të OSBE/ODIHR në ligjin ekzistues. “…dhe nga kjo pikëpamje do të jemi gati në raport me Këshillin Evropian dhe Komisionin duke u thënë se kjo pjesë u plotësua paralelisht me ngritjen e institucioneve”, do të thoshte Rama, ndërsa duket sikur dy aktorët politikë i kanë gati përgjigjet për ndërkombëtarët rreth përpjekjeve të tyre për dialog dhe zgjidhje të krizës, ndonëse pa prodhuar asnjë rezultat konkret veç fitimit të kohës me hapat e hedhur.
Deri më tani, opozita jashtëparlamentare ka kaluar nga refuzimi për të qenë pjesë e Komisionit të Reformës Zgjedhore, tek pranimi i rëndësisë së saj për integrimin europian të vendit dhe deri tek pohimi se mund të marrë pjesë në tryeza të ngjashme me atë të OSBE-së, nëse ftesa nga maxhoranca do të ishte e sinqertë.
Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi do të shprehej dje se para se të shkojë drejt selisë së PD-së për dialog, kryeministri Rama duhet të plotësojë pesë pikat që propozon opozita, sipas saj reflektim i kushteve të Bundestagut dhe e vetmja mënyrë e daljes nga kriza politike.
Ndërsa maxhoranca prej muajsh i bën ftesë PD-së si partia më e madhe opozitare në vend për t’u përfshirë në Komisionin e Reformës Zgjedhore dhe Basha do të përjashtonte opozitën parlamentare nga komisioni, duke e lënë atë në tre palë – PS, PD dhe ndërkombëtarë -,
Kryemadhi është shprehur se tashmë Basha nuk përfaqëson më vetëm PD-në, por opozitën dhe se në pikat e platformës thuhet qartë Opozita e Bashkuar.
Me orën që vrapon, Rama i kujton Bashës edhe njëherë opozitën brenda parlamentit, deputetë të së cilës kanë folur për miratim të rekomandimeve të OSBE/ODIHR , por që nuk do të bashkojnë votat me maxhorancën në rast të një pakti Rama-Basha. “
Opozita në parlament ka një qasje të sajën të respektueshme dhe ne do e debatojmë, por duhet të mos humbasim asnjë sekondë për të plotësuar dy kushtet dhe fatmirësisht për reformën zgjedhore është shumë e qartë, sipas rekomandimeve të OSBE-së”, ka deklaruar kryeministri, ndërsa opozita e re ka kërkuar ndryshim të sistemit zgjedhor.
“Jemi gati të diskutojmë, nëse do të na bindin patjetër do ta rishikojmë sistemin”, do të thoshte Rama, duke mos e kursyer presion e ndërsjellë për kundërshtarin politik dhe kushtet e vendosura për miratimin e Reformës Zgjedhore.
Delegacioni gjerman nga grupimi parlamentar CDU/CSU i paralajmëruar nga Basha ka mbërritur dje në Tiranë, duke e realizuar takimin e parë pikërisht me kreun e opozitës, por megjithë mbështetjen që ka nga partia simotër dhe reflektimin e krizës politike në nëntë kushtet e miratuara nga Bundestagu pak ditë më parë, ky i fundit do t’i kërkojë patjetër rezultate dhe hapa konkretë edhe kreut të opozitës mbi Reformë Zgjedhore, ku përgjegjësia e Bashës është po aq sa edhe e Ramës, ndërsa pesë pikat që opozita kërkon, më shumë sesa e afrojnë dialogun e thellojnë edhe më shumë krizën, kësaj herë në kurriz të qytetarëve që presin përgjigen pozitive më 18 tetor për çeljen e negociatave. Kryeministri Rama duket se i ka paraprirë zhgënjimit të shqiptarëve, ndërsa ka deklaruar se vizionin e mikut të tij, presidentit Macron mbi skepticizmin e politikave të zgjerimit të unionit, nuk e ndikon as Reforma Zgjedhore e as Gjykata Kushtetuese në Shqipëri. Megjithëse dy kushtet e para i sheh të realizueshme brenda vitit, kur palët lëshojnë deklarata dialogu, por ai ende nuk duket në horizont me akte konkretë, hapat e tjerë Rama i sheh përtej përpjekjeve dhe arritjeve të politikës shqiptare.
“Duhet të mësohemi që integrimi në BE ka shumë anëtarë, shumë interesa që jo gjithmonë përputhen”, ka thënë kryeministri me një frazë që do të justifikonte edhe dështimin e dialogut për zgjidhjen e krizës e ndoshta edhe zvarritjen e institucioneve që do të zgjidhnin pikat kyçe të saj, edhe pse siç ka thënë ai Reforma në Drejtësi nuk varet nga qeveria.
Pak kohë më parë, Basha fliste për vullnet politik, që mund të sillte edhe zgjidhjen e krizës politike. Deri më tani ka vetëm kushte dhe qëndrime të patjetërsueshme. /Gazeta Liberale