Kryesore

Mendja që na qeveris

               Publikuar në : 09:16 - 16/05/19 Klementin Mile

Klementin Mile

Në kushtet e një krize politike të paprecedentë për vendin, të merresh me mendjen e kryeministrit nuk është aspak luks, është domosdoshmëri. Prej kryeministrit priten vendimet për zgjidhjen e krizës, si qytetari i veshur me pushtetin politik më të lartë. Deri tani, kjo nuk ka ndodhur. Rama e ka lejuar krizën të zhvillohet dhe, ashtu si ato bimët kacavjerrëse, të shtrihet në të gjithë sektorët e jetës së vendit: nga politika drejt ekonomisë, drejtësisë, edukimit, shëndetësisë, rendit.

Mendja që na qeveris, megjithatë, nuk duhet diagnostikuar psikikisht. Diagnoza të tilla do të shërbenin vetëm për ta klasifikuar kryeministrin si “të sëmurë” ose si “të shëndetshëm”. Por sëmundja dhe shëndeti nuk janë nocione politike. Edhe pse mund të përdoren për ta ngritur ose për ta degraduar figurën publike të një personi, ato nuk artikulojnë asnjë problem politik dhe nuk orientojnë drejt asnjë zgjidhjeje. Konkretisht, ta quash Ramën të shëndetshëm apo të sëmurë nga mendja, kjo nuk i jep sistemit politik asnjë referencë për daljen nga kriza.

Mendja që na qeveris duhet diagnostikuar politikisht. Në filozofinë politike të Platonit mund të gjejmë piketat për këtë diagnozë. Filozofi i shquar grek flet për një cikël të ndryshimit politik, i cili reflekton ndryshimet cilësore të mendjes që na qeveris. Cikli që përshkruan Platoni fillon me ideokracinë, e cila është forma e shtetit që vjen si rezultat i llojit më të lartë të mendjes. Ky është shtet i dijes së përkryer, ku vetë dija është sovrani real. Ideokracia, sipas Platonit, është shtet ideal, më i miri nga të gjitha shtetet, por nuk ekziston. Më afër ideokracisë dhe si të mundshme Platoni sheh monarkinë (qeverisjen nga një njeri i mençur në të gjitha gjërat) dhe aristokracinë (qeverisjen nga më të mirët).

Por ideokracia, qeverisja e idesë ose e arsyes, me kalimin e kohës degjeneron në një lloj shteti ku arsyen e zëvendëson ambicia për lavdi. Ky shtet quhet timokraci. Timokracia është qeverisje prej parimit të nderit dhe lavdisë dhe është, në fakt, shtet militar. Në shtetin timokratik ka ende elemente të arsyes, por ai përmban gjithashtu elementin e dëshirës, për shkak të pronës private. Prona private orienton drejt bërjes së parave dhe me kalimin e kohës vendin e timokracisë e zë oligarkia.

Në oligarki qeverisin klasat e pasura. Gradualisht njerëzit revoltohen ndaj pasurisë dhe shtypjes që sjell ajo. Kjo shpie në demokraci. Në demokraci, thotë Platoni, njeriu i rëndomtë i rrugës është tipi karakteristik. Demokracia është mohimi i rendit dhe lirisë. Nuk ka as drejtësi as unitet në demokraci. Gradualisht demokracia kalon në duart e demagogëve (liderëve populistë që nuk kanë parime) dhe, përfundimisht, demagogu më i fuqishëm merr frenat e qeverisë dhe bëhet sundimtar i vetëm. Kjo formë qeverie, tirania, është më e keqja nga të gjitha.

Artistin mund ta njohësh nga vepra e tij. Politikanin nga aktet. Edhe pse nuk i kemi parë të gjitha, tashmë njohim mjaft akte politike të kryeministrit aktual të vendit. Ato mjaftojnë për të shtruar e për t’i dhënë përgjigje pyetjes: A është ideokratike, timokratike, oligarkike, demokratike, demagogjike, apo tiranike mendja që na qeveris?.

Kryeministri, tre muaj pas shpërthimit të krizës politike, në vendin që e ka për detyrë ta qeverisë, thotë se nuk ka nevojë për ndërkombëtarët që të ulet për dialog me opozitën! Kryeministri e meriton një kompliment. Pavarësisht gazit të përdorur në protesta, ai nuk motivohet nga lavdia e prandaj nuk mund të quhet timokrat. Në fakt, ai e ka kapërcyer edhe oligarkun dhe në mendjen e tij nuk ka vend për demokratin. Prej kohësh, ai e ka fituar garën me demagogët e tjerë, duke e marrë timonin në duar i vetëm, si më i fuqishmi ndër ta./ Gazeta Liberale

 

 

(Visited 5 times, 1 visits today)

Etiketa:

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *