Kryesore

Media-E dyshuara e zakonshme

               Publikuar në : 11:26 - 05/12/20 liberale

Rritja e gjobave për mediat në rast të shpifjes, burgosja për “memet”, veçimi i dënimeve më të larta nëse shpif për politikanët dhe zyrtarët duket se shkon drejt censurës apo më keq auto censurës në prag të zgjedhjeve

Edhe pse draft-ligji i ndryshimeve të Kodit Penal që po punohet në Ministrinë e Drejtësisë ka ndryshime më të gjera sesa ato që takojnë medias, sërish ashpërsimi i masave për shtypin, televizionet dhe median on line është momenti që hap më shumë debat. Kjo është e kuptueshme në një vend si ne, ku media vuan bllokimin e informacioneve nga institucionet,  mungesën e pavarësisë dhe trysninë e politikës më së shumti qeverive. Më pak se pesë muaj nga zgjedhjet rritja e gjobave për mediat në rast të shpifjes, trajtimi i politikanëve, zyrtarëve dhe gjykatësve si kategori më e barabartë se qytetarët e tjerë, pasi nëse shpif ndaj tyre gjobitesh më shumë, duket se shkon drejt censurës apo më keq auto censurës në një nga përballjet më të forta elektorale të pas viteve ’90.

Një dokument i Ministrisë së Drejtësisë mbart ndryshime të thella në Kodin Penal të vendit duke zgjeruar kufijtë e asaj që konsiderohet shpifje në krahasim me kodin aktual si dhe duke ashpërsuar gjobat, duke krijuar një mbrojtje të veçantë për zyrtarët e lartë dhe duke njohur si ent që mund të fyhen organet politike, administrative apo gjyqësore. Dokumenti rrodhi në media ndërsa dje Ministria e Drejtësisë në një deklaratë për shtyp të publikuar në disa media të caktuara, pranoi se ai është një “dokument pune”.

Nëse bëhet realitet, ndryshimet në kodin penal do të jenë nisma e katërt e qeverisë së kryeministrit Edi Rama dhe e pesta (përfshirë amendamentin Bregu) që synon të censurojë ose shtyjë drejt vetë censurës median nën kërcënimin e gjobave dhe burgut. Të pesta nismat e mëparshme, amendamenti Bregu në vitin 2015, dënimi me tre vjet burg i “shpifësve” ndaj kryeministrit, projektligji për Tregtinë Elektronike dhe paketa antishpifje, kanë dështuar të miratohen në Kuvendin e Shqipërisë pas protestave vendëse dhe ndërkombëtare. Paketa anti-shpifje është aktualisht në ngërç parlamentar ndërsa Komisioni Europian ka vendosur kusht që një ligj i tillë të respektojë opinionin e Komisionit të Venecias, nëse miratohet.

Mjegullim

Kodi Penal aktual parashikon shpifjen si kundra vajtje penale të dënueshme me deri në 3 milionë lekë gjobë me kushtin që shkelësi të ketë përhapur të pavërteta duke e ditur se kanë qenë të rreme. Propozimi i ri në formën e draftit të punës e heq kriterin e pasjes dijeni mbi faktet e pavërteta dhe bashkon termin “ofendues” bashkë me fjalën “të rremë”. Sipas propozimit të ri, personi është përgjegjës penalisht edhe në rast se nuk ka pasur dijeni për pavërtetësinë e faktit, një ndryshim ky që dukshëm bie ndesh me një traditë shumëshekullore, e mishëruar në çështje të tilla si Sullivan vs. The New York Times apo në çështje të tilla në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut si Aquilina and Others v. Malta apo Editorial Board of Pravoye Delo and Shtekel v. Ukraine në të cilat është sanksionuar se raste të tilla zgjidhen me kërkimin e ndjesës dhe jo me dënime penale.

Gjoba edhe më të larta

Një dekadë më parë, një numër zyrtarësh politikë socialistë, të tillë si Saimir Tahiri apo Taulant Balla, u ngarkuan me dëmshpërblime prej dhjetëramijëra eurosh nga gjykatat civile pasi një numër zyrtarësh politikë demokratë i sfiduan ata në gjykatë nën akuzën e shpifjes. Në vitin 2012, nën reflektimin e gjobave milionere për socialistët e dënuar për shpifje, me asistencën e ndërkombëtareve dhe me këmbënguljen e organizatave të të drejtave të njeriut, Shqipëria kreu një reformë të kuadrit ligjor duke synuar reduktimin e shkallës së arbitraritetit të neneve të mëparshme, të cilat ishin reminishencë e kohës së komunizmit. Pas këtyre ndryshimeve, Këshilli i Europës nisi një program të gjerë trajnimi të gjyqtarëve në lidhje me çështjet e shpifjes, me synimin e informimit të këtyre të fundit me parimet themelore Europiane mbi lirinë e shprehjes. Një dekadë më vonë, një mision vrojtimi organizatave ndërkombëtare në Shqipëri, vërejti se në fund fare, pavarësisht se gjobat penale të shpifjes janë të parashkruara në kod në shifra shumë të larta, (aktualisht deri në 30 mijë euro), gjykatat shqiptare kanë zbatuar në përgjithësi rregullat e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, të cilat vlerësojnë se masa e gjobës duhet të jetë e tillë që të mos shkaktojë efekt frikësues për lirinë e shprehjes.

Propozimi aktual i qeverisë shkon në drejtim të kundërt, duke parashikuar rritjen e gjobave. Propozimi që dukshëm shënjestron shtypin, shton se, në rast se shpifja bëhet përmes shtypit apo internetit, gjoba do të duhet të rritet në 1 deri në 3 milionë lekë ndërsa nëse subjekt i shpifjes është “një organi politik, administrativ ose gjyqësor, ose një personi në cilësinë e përfaqësuesit të një prej këtyre organeve”, gjoba shtohet në 1.5 deri në 4.5 milionë lekë. Dukshëm në shkelje të standardeve ndërkombëtare, të cilat sanksionojnë se gjobat për shpifje nuk duhet të jenë kurrë në përmasa të tilla sa të vënë në vështirësi financiare personin e prekur, propozimi, nëse bëhet realitet, do të shkaktojë atë që në Europë njihet që prej tre shekujsh si chilling effect, efekt frikësues.

Propozimi duket se shkel gjithashtu parimin e barazisë para ligjit, duke veçuar zyrtarët politikë dhe ata shtetërorë si persona që janë më të barabartë se sa qytetarët e tjerë, shpifja ndaj të cilëve me doemos duhet të dënohet më rëndë se sa shpifja që mund të bëjnë zyrtarët politikë ndaj popullit. Nëse vepra penale i drejtohet një organi politik, administrativ ose gjyqësor, ose një personi në cilësinë e përfaqësuesit të një prej këtyre organeve, ose një autoriti të përbërë që funksionon në kolegj, dënimet e parashikuara në paragrafët 1 apo 2 shtohen me 1/2.

Ndryshimet ligjore nuk mjaftojnë këtu. Sipas propozuesit, personi i prekur mund të kërkojë njëkohësisht dënim penal dhe dëmshpërblim civil për shpifjen.

Kryeministri Edi Rama nuk e ka fshehur dëshirën e tij për të bërë ligje që mbrojnë biznesmenët nga media, duke argumentuar se biznesmenët shqiptarë janë viktima të sulmeve mediatike. Opinioni i Komisionit të Venecias mbi paketën e tij antishpifje theksoi para së gjithash se paketa e tij do t’i japë mundësi oligarkëve të pretendojnë se po diskriminohen për shkak të cilësisë së tyre si të pasur kur sulmohen nga media.

Paketa aktuale antishpifje ka ngecur në parlament pavarësisht përpjekjeve të njëpasnjëshme të deputetëve të ndryshëm socialistë për ta çuar atë përpara, për shkak të kundërshtimeve të forta vendëse dhe ndërkombëtare.

Memet

Një moment që ka provokuar debate ka qenë edhe ai për botimin e fotove apo e videove të montuara, të ashtuquajturat Meme, që ironizojnë apo vënë në lojë personazhet e njohur. Sipas asaj që parashikojnë ndryshimet në Kodin Penal, mediat duhet të shfaqin dukshëm faktin që fotoja apo video e publikuar është montazh, nëse jo, kjo konsiderohet kundravajtje penale dhe dënohet me burg deri në 1 vit.

Por kryeministri të paktën deri tani ka përjashtuar dënimet për “memet”.   I ftuar në “Politik On” në RTV Ora, kryeministri Edi Rama iu përgjigj edhe një herë lajmit që lidhet me dënimin me burg të atyre që prodhojnë dhe shpërndajnë meme në rrjetet sociale.

Sipas kryeministrit, një gjë e tillë është e pamundur të ndodhë ndërsa rrëfeu se është fan i tyre. “Jo, jo. Absolutisht! Siç ka ndodhur me ata që janë habitur apo mahnitur nga ky lajm. Edhe mua kur ma thanë, e para sepse është e pamundur, teorikisht dhe praktikisht ti ndalosh memet. Por e dyta sepse, unë jam një njeri që më pëlqen të argëtohem me memet dhe shijues i kahershëm i humorit dhe humorit vizual po themi. Kam patur shumë dëshirë dhe e kam ende dëshirën që Bujar Kapexhiu të ekspozojë të gjitha karikaturat për mua në sallën e ekspozitave në kryeministri. Ai e di. Mbase e ka marrë si shaka, nuk e di por për të ardhur te pyetja juaja, e para nuk bëhet fjalë për një projekt.”

Teksa Lela i lexoi atë çfarë përmban neni 238 në projektligjin në fjalë: 1. Publikimi në cdo formë, mënyrë apo mjet i një montazhi të realizuar me fjalët ose imazhin e një personi pa pëlqimin e tij, nëse kryhet për qëllime përfitimi material ose jo material, apo kur ka qëllim të dëmtojë reputacionin e një personi, kur materiali nuk shfaqet dukshëm që është një montazh ose nëse nuk përmendet shprehimisht se eshtë i tillë, përbën kundrvajtje penale dhe dënohet me burgim deri në 1 vit, Rama u shpreh:“Bëhet fjalë për një material të shkruar nga një grup pune, i cili po punon për Kodin e ri Penal dhe e dyta, edhe në atë material që nuk është akoma një projekt i Ministrisë së Drejtësisë dhe aq më tepër i qeverisë. Është nen i marrë që e kanë shumë Kode Penale të Europës. E ka Franca… Dhe sigurisht që nuk lidhet me memet”

Si është

Neni 120

Shpifja

(Ndryshuar paragrafi i dytë me ligjin nr. 8733, datë 24.1.2001; ndryshuar me ligjin nr. 23/2012, datë 1.3.2012)

Përhapja e qëllimshme e thënieve, si dhe çdo informacion tjetër, duke e ditur se janë të rreme, që cenojnë nderin dhe dinjitetin e personit, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga pesëdhjetë mijë gjer në një milion e pesëqind mijë lekë.

Po kjo vepër, kur kryhet botërisht, në dëm të disa personave ose më shumë se një herë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga pesëdhjetë mijë gjer në tre milionë lekë.

Propozimi

Neni 227

Shpifja

Përhapja e qëllimshme e deklaratave rreth një fakti specifik të rremë dhe ofendues ndaj personit si dhe/apo çdo informacioni tjetër të rreme, që cenojnë nderin dhe reputacionin e personit, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga pesëdhjetë mijë deri në një milion e pesëqind mijë lekë dhe denimin plotesues te përgënjeshtrimit dhe faljen publike ndaj viktimes.

2. Nëse vepra penale është kryer nëpërmjet shtypit ose ndonjë mjeti tjetër komunikimi mediatik, elektronik, nëpërmjet rrjeteve sociale në internet, ose nëpërmjet një akti publik, dënimi shtohet ne dyfishin e parashikuar ne paragrafin e pare.

3. Nëse vepra penale i drejtohet një organi politik, administrativ ose gjyqësor, ose një personi në cilësinë e përfaqësuesit të një prej këtyre organeve, ose një autoriteti të përbërë që funksionon në kolegj, dënimet e parashikuara në paragrafët 1 apo 2 shtohen me 1/2.

4. Cilido që ka kryer ndonjë prej veprimeve të parashikuara në këtë nen në gjendje zemërimi nuk ka përgjegjësi penale, nëse kjo gjendje dhe këto veprime janë shkaktuar si pasojë e një fakti të padrejtë i të tjerëve ndaj tij dhe menjëherë pas tij.

5. Procedimi penal fillon me kërkesën e viktimës dhe çështja pushohet kur ajo tërheq ankimin.

6. Kur vepra penale e shpifjes është kryer me anë të shtypit, përgjegjësia shtrihet edhe për drejtorin administrues ose, sipas rastit, zv/drejtorin, botuesin dhe printuesin ne rastet e dijenisë se tyre rreth faktit penal. Dënimi penal shoqërohet edhe me dënimin plotësues të përgënjeshtrimit të deklaratës/faktit/informacionit të rremë me të njëjtën mënyrë dhe me të njëjtin mjet sikundër është realizuar përhapja e tij, dhe detyrimin e publikimit të vendimit gjyqësor penal nëpërmjet medias apo në komunitet.

Neni 238

Cënimi i imazhit të personit

1. Publikimi në cdo formë, mënyrë apo mjet i një montazhi të realizuar me fjalët ose imazhin e një personi pa pëlqimin e tij, nëse kryhet për qëllime përfitimi material ose jo material, apo kur ka qëllim të dëmtojë reputacionin e një personi, kur materiali nuk shfaqet dukshëm që është një montazh ose nëse nuk përmendet shprehimisht se eshtë i tillë, përbën kundrvajtje penale dhe dënohet me burgim deri në 1 vit.

Reagimi i Ministrisë së Drejtësisë

“Ende një dokument pune”

 “Ende një dokument pune” e ka quajtur Ministria e Drejtësisëdraftin që është publikuar në media duke provokuar debate. “Sqarojmë se dokumenti që po qarkullon nuk është draft final, pasi po punohet në vazhdimësi. Ministria e Drejtësisë ka përmbyllur procesin e konsultimit publik dhe tani ekspertët dhe praktikantët e ligjit të grupit të punës do të finalizojnë projektligjin, i cili pasi të konsultohet teknikisht, do të depozitohet në Këshillin e Ministrave” thuhet në njoftimin që ka ngjallur shqetësim në media në lidhje me kërcënimet për gjoba dhe dënime që rikthehen përmes një forme tjetër pas rrëzimit të paketës Antishpifje./Gazeta Liberale

 

Tags: , , ,


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back