Letërsi

Me sytë në “Qiell”

Shkruar nga Liberale

Vështrim kritik mbi dramat “Frigoriferi” dhe “Karamel” nga Naser Shatrolli

Tobias Xhaxhiu

 "Unë e shoh teatrin si më të madhin nga të gjitha format e artit, shtegun më të menjëhershëm përmes të cilit, një qenie njerëzore mund të ndajë me një tjetër, kuptimin e asaj çka do të thotë të jesh njeri." - Oscar Wilde

Kjo shprehje ka qenë për mua një pikë kthese dhe një çelës reflektimi, për të zbuluar më lehtë magjinë e artit dramatik. Duke qenë shkrimtar dhe autor i një shfaqjeje, unë gjithmonë ndiej nevojën për të zbuluar dhe lexuar vepra të reja, veçanërisht ato të shkruara në gjuhën shqipe. Kohët e fundit pata mundësinë të shfletoj përmbledhjen dramaturgjike "Qiell", me autor dhe regjisor Naser Shatrollin. Një emër i njohur në skenën e teatrit ballkanik, Shatrolli plotësohet me këtë botim, i cili paraqet korpusin e tij letrar dhe, nga ana tjetër, dëshirën e brendshme të autorit për të lënë gjurmën e tij artistike në planin regjisorial. Ky kombinim "dramaturg-regjisor", e bën çështjen e Shatrollit të pavarur në krahasim me krijues të tjerë, sepse siç mund të shihet në aktet e veprave të tij, logjika e veprimit skenik dhe forca e dialogut i bëjnë personazhet të duken të lëvizshëm, ende pa kërcyer nga faqet në skenë.

Megjithatë, le të hyjmë në temë:

Frigoriferi

Ku ka më mirë se të ruash kujtimet e tua në një vendprehje të jashtme, të ftohtë e të izoluar? Frigoriferi duket se është zgjidhja ideale. Në të mund të strehosh përgjithësisht materie të vdekura, prodhime industriale dhe ndoshta, refugjatë të arratisur vullnetshëm nga realiteti, siç janë Atdheu dhe Liria, viktimat e përjetshme të një lufte të shkuar. Tragjikë për nga natyra, personazhet në fjalë duket se janë në kërkim të vazhdueshëm të një mjeti për të zvogëluar përmasën e emrave që mbajnë mbi supe, si për t’i shpëtuar së kaluarës. Alegoria e marrëdhënies së tyre nis çuditshëm, si biseda e një çifti në krisje, të pashpresë për të ardhmen e përbashkët. A mund të ketë Liri pa Atdhe? Po Atdhe pa Liri? Dilema i gërryen personazhet, gjersa marrin vendimin për të zbrazur “frigoriferin” e kujtimeve, përmes një gjyqi imagjinar. Me detaje ngjethëse, në dukje autobiografike, Shatrolli analizon traumën e familjeve të shuara nga lufta e 1999-ës, në Kosovë. Në endje mes absurdit dhe psikanalizës, Shatrolli e përdor dramën e tij me nota tragjike, si një terapi së pari për vetveten, më pas për të tjerët, çka i jep veprës autenticitet dhe kërshëri. Stili është ai i teatrit modern, me një gjuhë të ftohtë, deri diku klinike, por pa e humbur tingëllimin e brendshëm poetik. Ndonëse fundi i dramës ofron shpresë, vajtimi i ujkut në terr i pret personazhet jashtë frigoriferit. A do t’i bëjnë dot ballë frikës? Mbetet për t’u zbuluar.

Karamel

A mund të përfundojë një radio e vjetër, zhurmuese, në kanalet shkarkuese? A mund të qëndrojë dikush përherë fëmijë? Dilema si këto shoqërojnë raportin bab’e bijë, mes Maksit dhe Melit. Komunikimi në familje shfaqet i atrofizuar. Dyshja kërkon një rrugëzgjidhje, por elementë të shumtë e bëjnë të pamundur marrëveshjen mes tyre. Ndofta largësia mes brezave, gjinitë e kundërta apo mungesa e një hallke në zinxhir, siç është figura e nënës, e bën situatën edhe më të nderë. Një rekuizitë e rëndomtë duket se është bileta e vetme drejt lumturisë, fshehur në skutat e fëmijërisë. Megjithatë, as ky objekt skenik nuk mjafton. Fjalë të rënda, atipike për një marrëdhënie kaq të afërt, shpërthejnë nga gojët e personazheve. A do të jetë i gatshëm Maksi që për hir të dëshirave të tij më të fshehta, ta zhbëjë Melin, siç Agamemnoni të bijën, Ifigjeninë? Fundi i dramës zbulon gjithçka.

Në dramat e Shatrollit, komploti reduktohet tek thelbësorja, si një evolucion i mikro-ngjarjeve dhe shpesh, atëherë kur duket se gjithçka ndalet, nëse vështrojmë më nga afër, gjithçka është në lëvizje. Titulli i përmbledhjes së këtyre veprave, ku ndër të tjera vetojnë edhe drama si “Kosovatrans” apo “Shkumsi”, nuk është i paqëllimshëm. Tek zbrazëtia, magjia dhe epërsia e qiellit, Shatrolli gjen shpresën dhe shpëtimin, pikëmbërritjen e tij të paprekshme. Po kështu, ai na rrëfen se nën të njëjtin qiell ngjasin të gjitha mbrapshtitë e botës. Me sytë në “Qiell”, ai shkruan:

Atdheu: Nuk lejoj që ta interpretosh pyetjen. Përgjigju saktë dhe qartë në pyetje. Pra, ku po i mbaje sytë?

Liria: Në ballë!

Atdheu: E shikimin, ku?

Liria: (Me buzë në vaj) Në qiell.

Atdheu: Përse në qiell?

Liria: Sepse vetëm atje kisha sadopak shpresë për vete... /Gazeta Liberale

 

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH