Franca dhe Greqia kanë shpallur masat e reja anti-Covid. Presidenti i Francës, Emmanuel Macron kërkoi detyrimin për të vaksinuar të gjithë personelin mjekësor kundër koronavirusit deri më 15 shtator.
“Nëse nuk reagojmë që sot, numri i rasteve do të vijojë të rritet shpejt, gjë që do të sjellë shtimin e shtrimeve që nga muaji gusht”, u shpreh presidenti.
Gjithashtu, një tjetër masë është dhe pasaporta e imunitetit e cila që nga gushti do të jetë e nevojshme për të hyrë në restorante, qendra tregtare, kafene, trena, avionë etj. Që nga 21 korriku, pasaporta shëndetësore do të përdoret për të hyrë në vendet kulturore ku mblidhen më shumë se 50 persona.
Edhe Greqia ka bërë të detyrueshëm vaksinimin ndaj Covid-19 të personelit shëndetësor. Njoftimi erdhi nga kryeministri, Kyriakos Mitsotakis, teksa vala e katërt e pandemisë shfaqet në horizont.
Po ashtu, vetëm klientët e vaksinuar do të lejohen brenda bareve, kinemave, teatrove dhe hapësirave të tjera të mbyllura.
Detyrimi për vaksinim do të aplikohet menjëherë për stafin e qendrave të përkujdesjes, ndërsa punonjësit e shëndetësisë do të imunizohen duke nisur nga 1 shtatori. Ata që refuzojnë mund të përballen me pezullim nga puna.