Aktualitet

"Më detyroi të bëja 10 fëmijë", 14 vite burg për gruan që vrau burrin me sqepar

Shkruar nga Liberale
"Më detyroi të bëja 10 fëmijë", 14 vite burg

Gjykata e Kurbinit ka dënuar me 14-vite burg 60-vjeçaren Drane Deda. Në nëntor të 2020 ajo goditi për vdekje me sqepar bashkëshortin e saj, Llesh Deda. Ngjarja ndodhi në Sanxhak të Kurbinit.

Gruaja u shpall fajtore për veprën penale “Vrasje për shkak të marrëdhënies familjare” dhe u dënua me 21 vite burg. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi i saj u ul në 14 vite, të cilat do t'i vuajë në një burg të sigurisë së zakonshme.

Mëngjesin e 6 nëntorit të vitit 2020, nëna e 10 fëmijëve goditi me sqepar në kokë bashkëshortin e saj Llesh Deda 61-vjeç. Ky i fundit mori plagë serioze dhe gjeti vdekjen pak ditë më vonë në spitalin e Traumës në Tiranë. Pas krimit 60-vjeçarja është vetëdorëzuar në polici, duke shfaqur pendesë. Çifti i bashkëshorteve me origjinë nga Mirdita kishin pasur konflikte të vazhdueshme, pasi burri ishte përdorues alkooli.

Drane Deda pohoi para oficerëve se për shumë vite kishte pasur konflikte me bashkëshortin e saj, madje sipas rrëfimit të saj, ai e kishte detyruar të bënte 10 fëmijë.

“Më detyroi të bëja 10 fëmijë, më është nxirë jeta me të edhe pse kam vijuar të qëndroj kaq gjatë. Atë ditë nuk jemi grindur fare. Ai ishte në gjumë dhe unë shkova në magazinë mora një sqepar dhe ashtu siç flinte e kam qëlluar dy-tre herë. Kam menduar se e kam vrarë pasi nuk ka lëvizur fare. Më pas kam shkuar në shtëpinë e kunatës dhe i kam treguar se çfarë kishte ndodhur”, ka rrëfyer Deda para oficerëve.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH